Në imagjinatën kolektive, emri i Piero Manzonit lidhet me veprën e tij më përdhosëse, “Mutin e Artistit”, e cila vepër e paraqet atë personazh bohem dhe provokues. Por sipas dëshmive të atyre që e njihnin Manzonin, ai nuk ishte as bohem e as provokues, ishte ca më shumë… artist.
Një mëngjes të 1961-it, Piero Manzoni i kërkon motrës së tij Elenës të shkojë e të blejë disa konserva mishi. Pastaj mbyllet në studio dhe fillon të punojë. Ajo që krijoi pas kësaj qenë kutitë e famshme prej teneqeje me etiketën: “Mut Artisti – Përmbajtja neto 30 g, e ruajtur, prodhuar dhe konservuar në mënyrë natyrale në maj 1961”.
Ideja që ai pati, duke futur jashtëqitjen e tij në kanaçe për ta shitur, ka magjepsur dhe skandalizuar gjithmonë publikun. Por aspekti më i rëndësishëm i këtij operacioni konceptual e artistik nuk është dhe aq përmbajtja e vërtetë apo e rremë e kanaçeve, se sa fakti që Manzoni i nxori ato në shitje më 12 gusht të po atij viti, me një çmim që i korrespondonte vlerës aktuale të arit, (për kohën 700 lireta për gram, pra për 21 mijë lira). Praktikisht ai kish lidhur simbolin maksimal te vlerës, pra arin, me idenë maksimale të zhvlerësimit, mutin.
Tani, imagjinoni të ktheheshim në atë verë të nxehtë të vitit 1961, e të kërkonim një investim të mirë për të ardhmen… Çfarë do zgjidhnim për të marrë, 30 gram flori apo 30 gram mut nga një artist? Jam i sigurt se fare pak do kishin zgjedhur kanaçet (me siguri të penduar më pas).
Aktualisht ari ka arritur cmimin 50 euro për gram. Kanoçja e fundit, e nxjerrë në ankand në Londër nga “Christie’s” në korrik 2012, është shitur për 129 mijë euro, dmth 4300 euro për gram (sot do shitej mbi 7.000 € grami)… Bëjeni vetë llogarinë. Nuk është e thjeshtë t’i gjykosh artistët e mëdhej!