Këtë vit të Ri e kalova në Shkodër. Ku edhe rizbulova pasionin e madh të shkodranëve, për gëzimin e Jetës. Shkodra e kulturës së thellë dhe të vjetër. Shkodra pak veneciane dhe pak fiorentine. Shkodra e shijes së hollë dhe pasionit të teshave të shtrenjta dhe të hijshme. Shkodra e humorit dhe Shkodra e trimave! Shkodra bujare dhe zemërgjerë! Shkodra, qyteti më i shtypur, më i përvëluar dhe më i shkeluri i diktaturës, mbetet një qytet i pashuar në zjarrin e vet të brendshëm.
Duke dashur tu tregoj fëmijëve se sa e bukur mund të bëhej Shkodra, u tregova rrugës së kthimit për në Tiranë, një Përrallë, që përrallë nuk është. U fola për Liqenin e Lashtë dhe për luftën e madhe të shkodranëve dhe të malcorëve shkodranë, për të mbrojtur Liqenin e tyre nga venecianët, nga turqit apo nga sllavët. Dhe se si sllavët, na e rrëmbyen që na e rrëmbyen gjysmën.
Legjendën e Rozafës e njihnin, kështu që e kapërceva, por u nënvizova se kështjella e fundit që pushtuan turqit në Shqipëri, 20-30 vjet mbas rënies së Krujës së Gjergj Kastriotit, ishte Shkodra.
Në vazhdim të Përrallës, që përrallë mund të mos mbetet, u fola për Lumin e bukur dhe të lundrueshëm Buna. Që nëse shqiptarët duan dhe munden, ai Lumë mund të thellohet dhe të pajiset me një shëtitore të mrekullueshme buzë tij. Dhe të ndërtohen në Liqen të Shkodrës dhe nëpër Bunë, skela dhe porte të vegjel anijesh, e të lundrohet Buna e Liqeni, si Lumi Senna në Paris, si bëjnë “Bateaux Mouches” në kryeqytetin më të bukur të Botës.
Dhe u thashë e u rrëfeva në Përrallën time të Shkodrës, se Liqeni dhe Lumi është krejt i pashfrytëzuar për turizmin e brendshëm dhe dhjetra e mijëra shqiptarë, marrin rrugën e kalojnë kufirin në Mal të Zi, për tu argëtuar e për të lënë miliona euro të çmueshme, në Splendid apo Majestic-un e Budvës, fare kot në thelb!
Sepse Shkodra dhe krejt qarku mund të bëhet një perlë turistike e Ballkanit. Sepse ka det blu, sepse ka Shëngjin, Shirokë e Velipojë, Liqen magjik dhe Lumë të lundrueshëm.
Por në vend që të përmbytet nga turistët dhe vizitorët, përmbytet nga ujrat e tepërta dhe të padisiplinuara, sepse qeverisjet shqiptare, ua vjedhin fondet dhe kanë qenë dhe mbeten pa Vizion dhe pa Dritë, për ringritjen e Shkodrës “loce”.
U thashë se si Shkodra, kjo Shqipëri-themeluese e Madhe, ka mbetur pa asnjë investim në vepra kulturore, të kujtesës dhe të Panteonit të saj!
Krahina e madhe, që përfshirë me Dukagjinin, Hotin e Grudën, Bushatin, Ulqinin e Lezhën, ishte toka e bekuar e 300 Katedraleve të dikurshme Mesjetare dhe streha e Kulturës dhe Poezisë së pavdekshme shqiptare.
Shkodra e harruar nga qeveritë, por e patradhëtuar nga shkodranët, ndonëse edhe ata të rraskapitur, nga Tradhëtia e Madhe, që këto 70 vjet rresht i bëhet kësaj Krye Zoje!
Por në harenë e pritjes së ndrrimit të viteve, në gjallërinë dhe gëzimin e Shkodranëve, kishte shpresë. Shpresë për Shkodrën, dashurinë tonë të madhe, që mundet të Rilindë nga bijtë dhe bijat e veta, që ia dystojnë çdo ditë nga një rrudhë dhe ja mjekojnë plagët me dhimsuri… /Nga Artur ZHEJI, 360grade.al/