“Të vësh ukrainasit kundër rusëve, është njëlloj sikur të vësh kosovarët kundër shqiptarëve. Ose malazezët kundër serbëve”! (XH. Z.).
“Lufta brenda llojit, është më e ashpër se sa lufta mes llojeve”! (Çarls Darwin, “Origjina e llojeve”).
Pas dy vitesh duke “konsumuar” koronavirus tre vaktet e ditës, i erdhi radha “ndërrimit” të menysë me “krizën” ukrainase! Po gjëmojnë kudo mediat zyrtare e sociale, duke dënuar satrapin Putin për sulmin e pabesë ndaj popullit vëlla martir ukrainas.
Në valle kanë hyrë edhe politikuajt shqiptarë, të cilët po çjerrin fytyrat dhe maskat, po zhgulin flokët dhe qimet ku i kanë e ku nuk i kanë (përfshirë edhe qerosët!), të cilët po kërkojnë me ngulm mobilizim popullor për të nisur vullnetarë në ndihmë të popullit vëlla ukrainas.
Janë të njëjtët politikuaj që e kanë masakruar dhe gjakosur popullin shqiptar tash tre dekada. Janë të njëjtët politikuaj që e gjakosën popullin shqiptar në vitin 1997, ndërsa vetë bridhnin bordeleve dhe kazionove të Europës e botës me familjet e tyre. Bashkë edhe me dashnoret!
Në rastin konkret, bën çudi se si nuk u dëgjua zëri i po këtyre politikuajve kur u bë grushti i shtetit në Ukrainë në sheshin Maidan në vitin 2014 me skenar, regji e financim amerikan. Askush nuk u skandalizua dhe nuk u revoltua me rastin e masakrës së Odesës (2 maj 2014) tek Shtëpia e Sindakatave, ku paramilitarët nazistë ukrainas masakruan e dogjën 42 protestues (34 burra, 7 gra dhe 1 djalë 17 vjeç) që po manifestonin në favor të qeverisë së rrëzuar ukrainase.
Askush prej tyre nuk u skandalizua me faktin se nga viti 2014 deri më sot, paramilitarët nazistë ukrainas kanë masakruar 15 mijë banorë rus të dy republikave të Donbasit dhe Luganskut.
Po ashtu askush prej këtyre nuk u skandalizua kur NATO-ja (me “bekimin” e Amerikës) ndërhyri dhe masakroi e shkatërroi Libinë, Afganistanin, Irakun apo Sirinë.
I njëjti arsyetim, vlen edhe për politikanët e shteteve të tjera. Kjo nuk do thotë që të justifikohet sulmi rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, kur ai mund të kufizohej vetëm në mbrojtjen dhe sigurinë e dy republikave ruse të sapo shpallura.
Sidoqoftë, në rastin konkret duhet të kihet parasysh edhe fakti se Ukraina dhe Rusia pavarësisht ndonjë diference, kanë të përbashkët historinë, kulturën, besimin fetar, etj.. Historikisht Kievi (i themeluar rreth shekullit të pestë pas Krishtit), un zgjodh si NËNA e qyteteve ruse dhe ishte kryeqyteti i Rusisë në vitet 882-1169. Në Kiev formohen edhe priftërinjtë ortodoksë (popët) rusë. Gjuha ukrainase flitet më shumë në pjesën perëndimore të vendit, ndërsa në atë lindoren flitet rusishtja. Por, shumë persona flasin një përzierje mes dy gjuhëve, që quhet SURZHIK. Një i huaj që zotëron në mënyrë modeste rusishten, nuk e ka shumë të vështirë që të merret vesh edhe me një ukrainas.
Nga të dhënat modeste si më sipër (pasi ka edhe shumë të tjera), rrjedh se rusët dhe ukrainasit kanë më shumë gjëra që i bashkojnë se sa që i ndajnë. Madje mund të guxohet që të thuhet se ata janë VËLLEZËR mes tyre, pavarësisht se politika bën të mundurën e të pamundurën që të futet edhe mes vëllezërve. Nëse serbët e quajnë Rusinë NËNË (pa pasur ato elementë të përbashkët me rusët siç i kanë ukrainasit!), edhe ukrainasit vështirë se mund të bëjnë përjashtim.
Do kisha kuriozitet të dija nëse ndonjë mercenar shqiptar që do shkonte të luftonte në Ukrainë për vëllezërit e tij ukrainas, se si do i njihte ai armiqtë rusë! Dikush mund të thotë nga uniforma ushtarake! Po pse kaq vështirë qënka që një ushtar rus të ndërrojë uniformën dhe të shtiret si ukrainas e ta rrasë plumb ballit!? Pasi për nga gjuha, vështirë se mercenari mund të dallonte një ukrainas nga një rus!
Sidoqë të jetë, vëllezërit sado që të grinden e të prishen, herët apo vonë ata pajtohen. Por, ata KURRË nuk pajtohen me ata që kanë luftuar kundër tyre për hatër të njërit vëlla.
Por, kurioziteti do ishte shumë i madh për të parë ndonjë politikal shqiptar që do merrte dyfekun e lidhur me gjalmë dhe të shkonte në Ukrainë që të luftojë përkrah vëllezërve të tij ukrainas. Madje edhe të bjerë dëshmor, pasi kështu do merrte një farë vlere akti i tij “heroik”! Duke qenë se në atdhe nuk ka vlejtur asgjë.
“Sado e ashpër që të bëhet luftë brenda llojit, ky lloj nuk zhduket kurrë, por forcohet akoma më shumë”. (XH. Z.). /Nga Av. Xhabir ZEJNUNI/