Jehona e erës demokratike që fryu në vitin 1989 në Europën Lindore ishkomuniste, u ndje edhe në Shqipëri, veçmas në Shkodër. Teksa regjimet diktatoriale në vendet i ish- Traktatit të Varshavës, po shembeshin një e nga një, në Shkodër, një grusht burrash kishin marrë vendimin të organizonin një demostratë paqësore, me objektiv kryesor rrëzimin e bustit të dikatorit Stalin, që gjendej në mes të qytetit, si shenja më kuptimplotë e terrorit shtetëror komunist, i cili në Shkodër më shumë se kudo, për afro gjysëm shekulli, kishte vënë nën thundrën e përndjekjes një popull të tërë duke vrarë, burgosur e internuar, plaçkitur e sekuestruar, të gjithë elementin opozitar.
Demostratës së 14 Janarit, diktatura iu përgjigj me barbarinë e saj: mbi 160 qytetarë të arrestuar e torturuar duke shkuar deri në dënime ekstreme, ndërkohë që publikisht e kishte mohuar si fakt të ndodhur. Edhe pse nën terrorin e egër shtetëror i cili tashmë po mbante të angazhuar për patrullim e vigjilencë deri pensionistët veteranë, Shkodra vazhdoi të qendronte duke pritur rastin e rradhës për të demostruar edhe njëherë etjen e saj për liri dhe demokraci. Demostrata e 16 Qershorit, ishte një tjetër sinjal i qartë ndaj diktaturës, e cila, e mbetur pothuajse e vetme nuk kishte asnjë shans të mbijetonte përballë një ndryshimi rrënjësor të botës.
Diktatura nuk u ndal të reflektonte as para ngjarjeve të ndodhura në bllokun e ambasadave të huaja. Qytetarët që çanë hekurat e izolimit u quajtën jashtëqitje, ndërsa Shqipëria, as lindje as perëndim, duke deshmuar se arroganca politike kishte mbërritur në fazën e fundit të degjenerimit, atë të shterpësisë.
Në të hyrë të dimrit, Shkodra i mbajti sytë e zemrat hapur ndaj ngjarjeve të pritshme studentore. Informacionet që vinin nga Tirana përcillnin shpresë se një lëvizje me përmasa mbarëshoqërore ishte në prag të shpërthimit. Dhe jo rastësisht, në krye të kësaj lëvizjeje, që në orët e para, do të shquheshin shumë studentë shkodranë: Tefalin Malshyti, Arben Broci, Shenasi Rama, Edmond Bushati, Adrian Paci, Alban Pici, Arben Lika, Arben Muça, Arben Okaj, Arben Ibro e dhjetra studentë të tjerë, jo më pak të rëndësishëm.
Shkodra, duke vlerësuar sinqeritetin e kësaj lëvizjeje, u gjend që në orët e para në mbështetje të saj. Që me shpalljen e themelimit të Partisë Demokratike me 12 Dhjetor, nga Shkodra merr pjesë në mitingun e organizuar në Qytetin Studenti Z. Pjetër Arbnori. Ai takon disa nga drejtuesit nismëtarë, duke parashtruar idetë e tij të mbështetura në kulturën dhe përvojën personale. Ditët në vijim marrin kontakt me drejtuesit e PD në Tiranë Zotërinjtë Xhemal Uruçi dhe Surri Dizdari, por i pari, ngarkohet nga qendra si person kontakti.
Ndërsa në Shkodër, me 13 Dhjetor, zhvillohej demostrata antikomuniste që do të kulmonte me shembjen e bustit të diktatorit Hoxha, Z. Kolec Ndoja merr kontakt me drejtuesit e PD në qendër. Krahas pajisjes me autorizim nga Azem Hajdari, ai ngarkohet të sjellë në Shkodër 50 kopje të Statutit dhe programit minimal të PD, të cilat u shpërndanë nga Z. Eduard Grishaj në datat 14-15-16 ndër intelektualë me bindje antikomuniste në Shkodër.
Po me 13 dhjetor, lexohet në mjediset e Shkollës Artistike “Prenk Jakova” një kopje e programit, sjellur në Shkodër nga studentët e Institutit të Lartë të Arteve Arben Muça, Adrian Paci, Vahid Çoku dhe Andi Hila. Të drejtuar nga Shenasi Rama, grupi i studentëve, nën terrorin e strukturave shtetërore zhvillojnë takime me studentë të Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”, me nxënës shkollash të mesme, me qytetarë dhe krerë të institucioneve fetare.
Diktatura edhe kësaj rradhe iu përgjigj egërsisht demostratës me arrestime pas mesit të natës të kryera nga forca të shumta policore të ardhura nga Kryeqyteti. Disa nga demostruesit, nisur nga përvoja e hidhur historike dhe agresiviteti me të cilën po kryhej operacioni policor, u fshehën; disa morën rrugën për t’u arratisur. Në tentativën për të kaluar kufirin me Jugosllavinë, vritet nga forcat e kufirit, Olsi Lorja, njëri nga demostruesit më aktivë. Gjykata, iu vu punës për të dhënë dënime të shpejta, me akuza nga më banalet.
Pikërisht në këtë klimë, me 14 dhjetor në kulmin e një terrori shtetëror, mblidhen për herë përpara Hotel-Turizmit nismëtarët Xhemal Uruçi, Kolec Ndoja, Fran Gjergji, Ilirian Idrizi, Eduard Grishaj, Surri Dizdari, Mark Mhilli. Zoti Alfons Grishaj, për shkak të ndjekjes nga organet e Degës së Brendshme nuk mori pjesë në këtë takim. Megjithëse takimi u krye në qiell të hapur u morën disa vendime të pjekura:
1.Grupi nismëtar të mblidhej çdo pasdite.
2.Mbledhjet të zhvilloheshin në banesat private që ofronin kushtet e përshtatshme.
3.Meqënëse grupi ishte i pastrukturuar u kërkua që Komisioni Nismëtar i PD në qendër të autorizonte të deleguarit për të shoqëruar procesin strukturues në përputhje me statutin.
Mbledhjet u zhvilluan rregullisht në banesat e nismëtarëve Lilian Idrizi, Mark Mëhilli dhe Nikolin Thana, i cili iu bashkangjit grupit menjëherë. Në emër të parimeve demokratike, ishte i Iirë të merrte pjesë çdo qytetar që shprehte vullnetin për të aderuar në Partinë Demokratike, edhe pse respektimi i kësaj norme shpesh shkaktonte probleme. Impulse akoma më të mëdha i dhanë veprimeve ardhja e studentëve nga Tirana Edmond Bushati, Arben Broci, ndërkohë që pranë grupit të nismëtarëve u atashuan si të deleguar Shenasi Rama dhe Tefalin Malshyti. Në vazhdim grupit i bashkohen Zhani Sekuj dhe Eduard Perjaku. Njëkohësisht dhe me shumë intensitet kanë bashkëpunuar Viktor Kasneci, Tefalin Malaj, Çesk Bici, Ibrahim Bilali, Paulin Ndoja etj.
Grupi nismëtar mori përsipër të zhvillonte me sukses mitingun ku do të shpallej themelimi i degës së PD Shkodër, në përputhje me axhendën e PD në qendër. Në funksion të këtij programi, me 28 Dhjetor, në shtëpinë e Lilian Idrizit, grupi vendosi të hartonte një dokument, i cili në përputhje me ligjin për partitë politike, bënte zyrtarisht të vlefshme kerkesën që i duhej drejtuar Degës së Punëve të Brendshme Shkodër për lejen e mitingut që u la të zhvillohej me 3 Janar 1991. Mbledhja përcaktoi edhe individët që do të përshëndesnin mitingun. Pjetër Arbnori u ngarkua të përshëndeste me një mesazh të veçantë, atë të pajtimit kombëtar. Dokumenti i datës 28, është tashmë i njohur publikisht.
Realizimi i mitingut përbënte një sipërmarrje të vështirë. Nga njëra anë, Sigurimi i Shtetit përhapte zëra se mitingu do të përgjakej për shkak të një hasmërie; nga ana tjetër, zëra që vinin nga aktivistët e një subjekti politik që priste të legalizohej, e ashtuquajtura Partia Popullore e Bashkimit Fetar, po tentonin të përhapnin në popull, idenë se PD nuk ishte tjetër veçse një derivat i Partisë së Punës. Nismëtarëve të PD në Shkodër u vjen në ndihmë një kasetë me nga mitingu i PD në Elbasan, e cila u shumëfishua dhe fashiti çdo hije dyshimi.
Mitingu i 3 Janarit është një nga mitingjet më madhështore të realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Mbi 75 mijë pjesëmarrës nga qyteti dhe mbarë rrethi. Ky sukses, i dha grupit nismëtar një shtysë të fuqishme për të hyrë në rrugën e zgjedhjeve me pretendimin e padiskutueshëm të fitores. Grupi në bashkëpunim me qendrën, vendosi konstituimin me datën 12 Janar 1991.
Të deleguar nga Tirana ishin Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj dhe Arben Demeti. Disa nga aktivistët e pranishëm, Eduard Grishaj, Mark Mëhilli, në shtëpinë e të cilit zhvillohej mbledhja, Tefalin Malaj etj. vendosën të rrinin në pozitat e aktivistëve të thjeshtë, për t’i lënë vend kooptimeve të mëvonshme.
I pari, megjithë insistimin e nismëtarëve të tjerë paraqiti argumentin e prezencës së vëllait të tij Alfonsit si të mjaftueshme në këtë komision, duke synuar të shmangej edhe imazhi se PD po klanizohej ende pa u ngritur mirë. Në mbledhje u diskutua gjithashtu nëse zgjedhja e Z. Pjetër Arbnori si Kryetarit i Komisionit Nismëtar me cilësinë e ish- të burgosurit politik shënonte një kalim në ekstrem, diskutim që u zgjidh nga parimi i votës.
Në vijim, po me votë u zgjodh sekretar, Z. Surri Dizdari. Komisioni nismëtar përbëhej kështu nga 12 antarë: Pjetër Arbnori, Surri Dizdari, Xhemal Uruçi, Alfons Grishaj, Edmond Bushati, Arben Broci, Zhani Sekuj, Kolec Ndoja, Lilian Idrizi, Eduard Perjaku, Fran Gjergji, Nikolin Thana.
Ky komision, bashkë me kooptimet që vijuan, udhëhoqi me sukses të gjitha detyrat që i ngarkonte koha: Ngritjen e strukturave bazë, takimet për shpalosjen e programit, përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë sipas parimit të hapjes, ndaj nuk ka qenë e rastit që PD e Shkodrës çoi në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e vitit 1991, 16 deputetë nga 19 zonat që kishte rrethi. /Nga avokat Arben MUÇA, publikuar në Facebook/