Dashuria me verbëri e mllef, për VULEN e Partisë, kur e di se nuk ke çfarë të vulosësh, përveç pafuqisë për fitore, është një thartirë jo vetëm për stomakun. Boja e nënshkrimit ështe votuesi, mbështetësi, apartiaku, anëtari i Partisë, sakrifikuesi i përhershëm, përfitues i rastësishëm.
Nënshtrimi dhe mungesa e fibrës politike, hallakatja personale financiare, servilizmi poshtërues ndaj ambasadave, kapja nga errësira e karrierës, janë instrumentet falimentues opozitarë sot. PD ka një krizë të investuar thellësisht nga pushteti i Edi Ramës.
Gjykata e Apelit, me një paligjshmëri therëse, dëshmoi se Drejtësia e Re, është një Parti e shëmtuar Politike, aleate e Qeverisë dhe dy tre Ambasadave klientelë interesash, në mjaft raste. Përrallat me interpretime emocionale, janë thyerje arrash pa dhëmbë në gojë.
Demokratëve, vuajtja opozitare ndëshkuese mund tua mprehë vështrimin skanues, sepse do hasen me veprimet e përfaqësuesve këtej dhe andej Vulës.
Vendimi për vulën e PD, ka sjellë njëherësh dëme dhe dobi.
Dëmet janë procedurale, formale, elektorale, shpresë-tkurrje, bonus agresiv për kundërshtarin. Tregon se drejtësia sot është gënjeshtra e dhunshme në interes të qeverisë autoritare. Shënon pragun e një rreziku të pahasur më parë. Gjykatat janë një lavash ose ekspres kafeje të Edi Ramës. Qoftlargu po flet. Ai i ka hapur derën një eksodi të ri duke privatizuar me dhunë mundësinë për demokraci.
Dobia, ndonëse e sforcuar dhe jashtë vullnetshme përcakton fatin e demokratëve. Vota bëhet e qartë. Shihet kush ka nevojë dhe përdor Edi Ramën dhe kush e lufton atë. Deputetët këtej dhe andej Vulës do të përballen me realitetin e ri. Ky vendim ka rrëzuar 25 prillin brenda PD. Asnjë deputet nën strehën e Vulës së dhuruar nga Rama, nuk i ka votat për tu ribërë as çerek deputeti.
Matanë Vulës. Menjëherë pas lënies së Vulës tek pakica, ushtuan thirrjet për bashkim. Jo fort për sevda demokratësh, por sepse e dinë se po përsëritet njëlloj 2019-a, kriminale elektorale. Kanë të drejtë në ftesë, por koha dhe forma çalojnë nga sinqeriteti. Duan më tepër të ndajnë koston e mosfitoreve. Duan të miqësohen me votuesit, duan votat e mbështetësve të Berishës, pa Berishën.
Basha është ende kryetar ligjërisht pas vendimit të Apelit. Alibeaj është kryetar, i pakonfirmuar nga Këshilli Kombëtar, kryetar i emëruar nga sekretari i përgjithshëm i kryetarit të paçregjistruar. Tre juristë të ngatërruar ligjërisht, duan parti në një sallë gjyqi e cila nuk prodhon kurrsesi anëtarësi.
Vula përkohësisht në një novelë gjyqësore, mbetet te një ish-parti, e përmbysur në një fraksion, duke tentuar të sillet ndryshe nga sa dhe si është. Deri më tani kanë qenë me kokë nga Rama dhe qeveria. Këndej Vulës, Partia po synonte rezultate premtuese me bashki konkretisht. Janë shumica e demokratëve duke zgjedhur për herë të parë përfaqësues me votë.
Është Partia Demokratike në përqindje masivisht të lartë. Rriti presionin ndaj mazhorancës, zhbëri përpjekjen për qeveri PS-PD. Opozita po fitonte terren të shpejtë. Nëse marrësit e vulës kanë pasur synim dorëzimin e zgjedhjeve këtë përgjegjësi ta ndajnë me fitimin e kësaj humbjeje. Nëse duan ti dorëzojnë Ramës edhe selinë për lakminë e disa kullave në territorin gjeografik të saj, ky është një mëkat akuzues shtesë.
Pasi morën dhe pranuan paligjshmërisht me vendim gjoja gjyqësor, si një Akt Normativ i Edi Ramës, duke bashkëpunuar fort me Ramën, turren duke refuzuar Ilir Metën, të cilin e kishin aleat në zgjedhjet e 2021. Chërçilli bëri aleat Stalinin për të mundur Hitlerin, ndaj poezitë politike nuk janë akte politike.
Në fillim të kësaj krize në PD kam pasur bindjen njëlloj si sot, se PD bashkohet duke u ndarë. Demokratët kanë integritet, dijeni, bindje, inteligjencë, se kush meriton t’i përfaqësojë. Kush lufton Ramën qeverinë e tij dhe Veliajn çdo orë dhe çdo ditë. Të tjerët janë qiraxhinj pushteti.
PD me Vulë i vë Vulën fitores së Edi Ramës në ditët më të errëta te jetës së tij politike, me dosjen Rama-McGonigal, korruptimin e kryeagjentit të FBI. Sot kemi një PD pa vulë, sepse Rama ia dha një grupimi të vogël brenda saj duke qene ai përfituesi kryesor dhe një Vulë pa PD, pa shumicën e anëtarësisë.
Ideja e thënë nga Zoti Berisha e debatuar në forume për regjistrimet e kandidatëve të primareve edhe si të pavarur, po merret në konsideratë, është mundësi treguese më e mirë se sa nën vulën e Ramës që e mbajnë të interesuarit e tij.
Demokratët duan të mundin Edi Ramën dhe Erion Veliajn kjo është emergjencë kombëtare. Kjo duhet me çdo çmim. Vula më e madhe është Vota. /Nga Basir ÇOLLAKU/