Historia e sjelljes së projekteve nga Tirana për Shkodrën, është si shakaja “a e bëri pula vezën apo veza pulën”. Aq më tepër kur diskutohet për lundrueshmërinë në liqenin e Shkodrës dhe më tej në lumin Buna, aktivitet që është zhvilluar në shekuj në këtë zonë.
Bashkia Shkodër që në 2015 ka një strategji të miratuar 15 vjeçare në të cilën janë të identifikuara dhe paraqitura një sërë projektesh për investime strategjike, ndër të cilët edhe lundrueshmëria e liqenit, projekte këto të cilat kanë nevojë për investime financiare që janë përtej shpenzimeve që mund të realizohen me të ardhurat e bashkisë Shkodër. Për këtë arsye është kërkuar në vite mbështetja me fonde nga ana e qeverisë, mbështetje që nuk ka ardhur kurrë që 10 vite tashmë.
Megjithatë falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar Shkodra por edhe institucioni i bashkisë kanë arritur të marrin vëmendjen e merituar nga donatorët e huaj, siç është rasti i investimit te moleve turistike të liqenit. Përzgjedhja e Bashkisë Shkodër dhe territorit të saj për realizimin e këtij projekti me shumë vlera, duke rikthyer lundrimin në liqenin e Shkodrës si në vitet e mëparshme, rezulton në linjë me planet e zhvillimit të Bashkisë Shkodër dhe projektet strategjike që duhen investuar edhe nga buxheti i Shtetit Shqiptar. Bashkia Shkodër gjithashtu ka informuar qytetarët përmes realizimit të takimeve konsultative publike, përveç zbatimit me rigorozitet të proçedurave që lidhen me pushtetin vendor, duke nisur nga hapi i parë e deri tek i fundit që është zbardhja e lejeve të ndërtimit, duke përfshirë një sërë procedurash administrative, duke e bërë Bashkinë pjesë integrale të këtij projekti.
Përkatësisht edhe ky investim, ashtu si investimi i qëndrës së Shirokës që u realizua nga fondet e BE, apo rrugës së Thethit që u realizua nga Banka Botërore, vjen në kuadër të fondeve BE – IPA Adriatic Itali – Mal i Zi – Shqipëri. Një investim ky i ardhur tërësisht nga fondet e huaja që lidhen drejtëpërdrejtë me taksapaguesit europian, e ku Bashkia Shkodër është një prej përfitueseve dhe partnereve, ashtu siç janë “Rajoni i Pulias dhe ai Molise”, si dhe Bashkia “Bar” në Mal të Zi.
Projekti Almonit – ka dy orientime kryesore që duhen përmendur:
– 1 lidhje multimodale transporti ujor të brendshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në liqenin e Shkodrës.
– 2 lidhje multimodale transporti detar midis porteve të Bari – Trani – Barletta dhe midis porteve të Termoli – Vieste.
Tani ky trumbetimi si një sukses personal të them të drejtën është shumë i pakuptimtë, pasi megjithëse projekti realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucion shtetëror Shqiptar, i drejtuar më përpara nga deputeti Beci, fondet janë të Bashkimit Evropian dhe askush tjetër përveç se Delegacioni Evropian apo BE nuk duhet të marrë autorësinë e “pulës që bëri vezën apo vezës që bëri pulën.
Promovimi dhe marketimi personal i realizimit të një projekti të tillë si ide dhe shpikje personale nuk ka vlerë për shkodranët të cilët e dinë se sa dhe kur është mbështetur zhvillimi real e jashta fushatave në rajonin e Veriut.
E aq me pak t’u shesë shkodranëve realizimin e vonuar të një projekti me fonde të huaja, patjetër me shumë vlera, pa justifikuar më parë mungesën e një sërë projektesh të tjera, që ndër vite kanë pritur investimin nga ana e buxhetit të shtetit Shqiptar… sepse të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit që duhen 4 orë për të arritur në Tiranë nga Shkodra, dhe me sa di Europa është drejt veriut të Shqipërisë. /Nga Bekim MEMA/