Tashmë ka filluar propaganda e 3D-ve dhe zgjidhjes së të gjitha problemeve në takime 5 minutshe, në këmbë. Ura 3D, rrugë kudo, korsi bicikletash, patinash, parqe me bimësi tropikale, zogj që cicërojnë vetëm me orar, qenj dhe mace që kalojnë rrugën në vijat e bardha dhe përshëndesin me kapele, rroga Hollivudi, siguri jete si në Quebec e të tjera si këto do na ofrohen pa fund…
Ndërkohë në Shkodër në 10 vite mosqeverisje, në plot 3650 ditë “rilindje”, kemi patur fatin të shohim dhe përjetojmë se si persekutimi dhe diskriminimi (ekonomik e administrativ kësaj rradhe) mund të lërë shenjën e tij.
– Drejtori rajonale të larguara nga Shkodra: drejtoria e Arsimit, drejtoria e Arkivave, drejtoria e administrimit të ujrave.
– Banorë të larguar në emigracion: rreth 36 000, duke shënuar vendin e parë të të larguarve nga Shqipëria (sipas Instat).
– Niveli i papunsisë: më i larti në Shqipëri.
– Niveli i të ardhurave: ndër më të ultat nga të gjitha bashkitë.
– Asnjë investim infrastrukture nga buxheti i Shtetit Shqiptar përveç rrugës 10 milion euro Berdicë – Qafë Shtiqen, sheshit të Shirokës 3 milion euro nga BE, rrugës Qaf Thore – Theth 6 milion euro nga Banka Botërore dhe mbi kalimi në Bahçallek, i cili u shemb para pak kohësh.
Propaganda “votojmë qeverinë se do sjelli investime pafund” përveç se fyese ndaj të gjithë votuesve që taksat e detyrimet i paguajnë si majtas e djathtas dhe duhet t’u kthehen mbrapsht në shërbime e investime, është edhe qesharake. “T’a provojmë bastanin brenda se është i mirë” kur kemi “shijuar” provën e hidhur të 10 viteve është një absurd të cilit do të dihet t’i jepet përgjigja e duhur, me votë. /Nga Bekim MEMA, publikuar në Facebook/