Luiza Gega nuk u ankua për asgjë! Luiza Gega e bëri deri në fund xhiron me kadillak me çmimin e naftës 237 lekë / litër. Luiza i dha edhe dorën e lodhur , t’ia puthte ai që shterroi endrrën e shpresën e çdo të riu që do të jetojë në Shqipëri.
Me gjithë krenarinë që përjetuam nga valëvitja e flamurit shqiptar në arenën ndërkombëtare, me gjithë avokatinë e pakërkuar të facebookistave, Luiza nuk u ankua për mungesën e pistave të trajnimit, nuk u ankua për mungesë të mbështetjes financiare.
Përkundrazi ishte e lumtur, që përmes artificave të një shteti që nuk funksionon, arrin të marrë një pagë si punonjëse e Forcave të Armatosura, do merrte edhe një shpërblim prej 100 milion lekësh, si dhe do jetonte për sportin dhe me sportin vitet në vazhdim.
Asnje fjalë nuk tha në konferencë për nevojat e sportistëve dhe për mungesën e mbështetjes nga shteti. Asnje fjalë nuk u tha për të gjithë sportistët e tjerë të harruar e të lënë në cepat e historisë tonë.
Dhe ne avokatët vazhdojmë të mbrojmë atë që nuk do të mbrohet, mbrojmë hipokrizinë personale të secilit prej nesh duke mos kuptuar rrethin vicioz që përfshin secilin nga shqiptarët, kur bëhet fjalë për të mbushur barkun personal.
Me gjithë respektin për sakrificën personale të kampiones, kemi nevoë edhe për “qendrime” kampionësh e intelektualësh që identitetin dhe dinjitetin e mbrojnë deri në fund pavarësisht ftesës për ceremoni, bufe dhe tituj nderi nga një shtet që nuk nderon askënd, por vetëm përdor të gjithë! /Nga Bekim MEMA/