Edhe pse ish-kryeministri Berisha vazhdon ta trumbetojë idenë e “mosbindjes civile”, duket se pak frymë ka mbetur mes mbështetësve të tij. Arsyeja: Njerëzit e PD-së janë më të paqartë se të gjithë dhe këtë e kupton nga shumëllojshmëria e përgjigjeve që japin, ndërsa militantët e tyre mbeten tejet të lodhur nga piruetat e vazhdueshme të politikanëve. Nga ana tjetër, maxhoranca mundohet që ta përcjellë të gjithë këtë valë, si domethënëse në kundërshtim ndaj ligjit demokratik. Mes të tjerëve, do të ishte Spiropali, kryetarja e re e Kuvendit, që do të jepte versionin e saj të “mosbindjes civile”, ku argumentimi në thelb kishte veprimet e djegies nga ana e opozitës: “…sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e ‘Mosbindjes Civile’, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt”, e mbyllte ajo me këtë rast një argumentim gjysmëteorik dhe shumë patetik. Për hir të së vërtetës, “mosbindja civile” më shumë sesa problematikat e pakta që ka sjellë për pushtetin “Rama” ka treguar paqartësinë e ideatorëve të saj.
Jo se nuk ka individë të saj që s’e kuptojnë termin dhe ligjësinë e “mosbindjes civile”, por janë ende pa ide dhe zgjidhje për udhën shqiptare të saj. Përgjegjësia bie te vertikaliteti i autoritetit të Berishës dhe mospasja guxim e shpurës së PD-së për të gjetur udhën e duhur, kurse e dyta te gjetja e nervit të duhur popullor. Deri më sot, ne nuk kemi një Rosa Park apo paraardhësen e saj, 15- vjeçaren, Claudette Colvin, afrikanoamerikania e parë që refuzoi t’i jepte vendin e saj një gruaje të bardhë në një autobus në Montgomery të Alabamës. Shumëkujt ky rast do t’i dukej një gjë e thjeshtë, po frymëzimi ishte i pashoq në një demokraci si ajo amerikane, ngërthyer me paradokse, ardhur nga perceptimet e larta të lirisë dhe deri te kufizimet e egra për grupet sociale apo ato me ngjyrë. Ka disa mënyra të “mosbindjes civile”, u shpreh jo fjalë për fjalë Berisha dhe, ne kemi aplikuar deri më tani pak syresh.
Këtu qëndron pikërisht filli për të kuptuar se “mosbindja civile” në Shqipëri është thjesht një akt për të mbajtur gjallë elektoratin dhe për të parë angazhimin e protagonistëve të PD-së, ata që mëtojnë listën e madhe (lexo atë të ngushtën, të sigurtën) të zgjedhjeve dhe tjetrën, ku janë të gjithë ata, që e pranuan autoritetin e tij. Sak, këtu gjendet dhe diferenca e protagonistëve Ndoka, Bardhi, Paloka e pak të tjerë, që duan të përdorin forcën ekstreme dhe të tjerëve më të butë, por që binden për të dhënë imazhin e një “mosbindjeje civile”, që kërkon nga kundërshtimi deri te “armatosja”, djegia dhe kthimin e forcës me çdo lloj mënyre. Problemi ka qenë se ideja e vagullt nuk ka gjetur frymën e duhur në publik. Ata, pak, që e kanë mbështetur aktivisht kanë provuar burgun dhe privacionet, por më shumë se kaq publiku sheh një gjendje që nuk ndryshon. Ndaj, te PS-ja ka menefregizëm dhe kënaqësi për këtë lloj situate, që ua lë parlamentin bosh për të folur dhe qetësinë e mospasjes dialog.
Fatmirësisht, këtë herë djegien e kartës ua bëri opozita që e “hëngri turpin më bukë” dhe u kthye atje ku e ka vendin për të përballur idetë e saj. Rasti i fundit dhe nga të paktit, i cili mbante realisht tagrin e “mosbindjes civile”, lidhet me veprimet që pasuan Dekretin e ish-Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit të vitit 2019, si data e zgjedhjeve lokale dhe mospranimin e këtij vendimi nga KQZ. Teksa, kjo e fundit vazhdonte procesin drejt datës zgjedhore, bashkitë, që administroheshin nga PD, nisën realisht mosbindjen civile. Kryetarët e këtyre bashkive dhe militantët kërkuan lirimin e mjediseve, ku KQZ kishte vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) me kutitë e votimit, listat e zgjedhësve dhe gjithë materialet e tjera zgjedhore. Mosbindja civile filloi në Bashkitë e ashtuquajtura të djathta të Shkodrës dhe Tropojës. Një ditë më vonë, iu përgjigj Bashkia e Beratit, Matit, Lezhës, Kukësit, Klosit, Skraparit, Kavajës, Bilishtit, Gjirokastrës që njësoj kërkuan lirimin e mjediseve në pronësi të bashkisë me arsyetimin e zbatimit të dekretit të Presidentit Meta për moszhvillim të Lokaleve-2019. Peizazhi civil i asaj kohe dihet që nga thyerja e mjediseve dhe prishja e materialeve.
Për ta bërë situatën edhe më të hidhur, organi i shumëshitur “Bild” publikoi një tjetër seri përgjimesh të Prokurorisë në Shqipëri, lidhur me blerjen e votës nga PS, në zgjedhjet parlamentare 2017! Për ironi të gjithë asaj situate dhe lojtarëve politikë të asaj kohe, kjo frymë nuk pati përgjigje. Madje, edhe më keq: I gjithë pushteti lokal, përveç Shkodrës, do binte në krahun e PS-së, një inerci, që zgjati pothuaj në më shumë se 2\3 edhe mandatin e ardhshëm. U soll ky shembull për të thënë se përballë një pushteti të plotfuqishëm, me të gjitha mjetet legale dhe jo legale, duhet të gjesh forcën por më shumë mençurinë për ta sfiduar. Aktualiteti e ndih mendimin dhe opozitën: krimi i sofistikuar dhe cinik, problemet ekonomike, kalcifikimi i PS-së në mandatin e tretë dhe korrupsioni i saj e kërkon ndryshimin.
Po a mund ta bëj një “armatosje”, PD-ja, si zgjidhje për të gjitha kërkesat e saj? Në kuptimin e parë të fjalës, kjo është e pamundur në demokraci. Zakonisht këtë e bënin dhe vazhdojnë ta bëjnë me efikasitet regjimet totalitare. Gjermania e dikurshme dhe BRSS e bënë me efikasitet, përmes strukturave të tyre policore, duke ekzekutuar pa fund njerëz prej inkriminimit edhe të strukturave të tyre të policisë. “Në total, policët e zakonshëm vranë më shumë hebrenj se sa Einsatzgruppen. Shumë prej tyre nuk kishin ndonjë përgatitje të posaçme për atë detyrë. Ata e gjetën veten në një tokë të panjohur, morën urdhrat dhe nuk deshën të dukeshin të dobët”, – thotë Timothy Snyder në librin e tij me esse “Mbi tiraninë”.
Në argumentimin tonë, kemi nevojë për një armatosje ndryshe dhe kjo lidhet me idenë e “mosbindjes civile”, atë që në kohë, apo në situata shumë më të pafavorshme sesa Shqipëria trandën fuqi si BRSS dhe Mbretëria e Bashkuar. Madje, te kjo e fundit, historia është e kohëve fare të reja dhe lidhet me Theçer. Flitet për të ashtuquajturën “Poll Tax” apo Taksën Komunitare në vitet 1989–1990, ku Mbretëria e Bashkuar, fillimisht Skocia, u bashkua për të luftuar një sistem diskriminues të zbatuar nga një kundërshtar i përbashkët: qeveria britanike. Miliarderi Duka i Westminster-it do të paguante të njëjtën taksë si shoferi i tij, thuhej në atë kohë! Por, në Shqipëri, ku politikanët e dy krahëve stepen edhe për përmendjen e super të pasurve (apo në mbajtjen aq afër të ligjeve për ta) apo frikësohen paq për emrat e kriminelëve, kjo është utopi, ashtu si koncepti i “mosbindjes civile”, që tek PD-ja e interpretojnë sipas mënyrës së tyre. Më mirë se cilido e shpjegon politologia e njohur, frymëzimi i shumë argumenteve, Hannah Arendt, që shkruan se: “Ekziston një ndryshim i madh në botë midis shmangies së kriminelit nga syri i publikut dhe marrjes në dorë të ligjit nga mosbindja civile. Ky dallim midis një shkeljeje të hapur të ligjit, të kryer në publik, si dhe një shkeljeje klandestine është aq i dukshëm saqë mund të neglizhohet vetëm nga paragjykimi ose vullneti i keq”. Urojmë që tek opozita të gjejnë frymëzimin e duhur për ta “armatosur” idenë e tyre të “mosbindjes civile”, pa e bërë paktin e radhës me maxhorancën. (Homo Albanicus)