Isha në Xhaminë e Shkodrës. Një vajzë e mbuluar u afrua te hyrja e grave.
-Të të bëj një fotografi, e pyeta.
-Nuk është e mundur, tha ajo.
-Fotografia ime nuk është për keq, i thashë.
-Ky është Ben Blushi, tha një grua tjetër, pranoje nuk ka problem.
-Për çfarë i bën këto foto, tha vajza.
-Dua të bëj një libër me njerëz të bukur, thashë unë.
-Mendon se jam e bukur?
-Shumë, i thashë.
-Mirë, por a mund të më nxjerrësh vetëm me kurriz, tha vajza-
-Të paktën në profil, i thashë.
-Sot jam pak e skuqur, tha vajza.
-Si quhesh, e pyeta.
-Sonada.
-Sonata?
-Ma ngatërrojnë shumë njerëz, Sonada jo Sonata.
-Kur je mbuluar?
-14 vjeç.
-Je e lumtur?
-Shumë e lumtur.
-Po mami është e mbuluar?
-Mami u mbulua 2 muaj përpara meje.
-Pra ti u mbulove nga mami?
-Unë u mbulova sepse e ndjeva.
-Po motra është mbuluar?
-Motra është praktikante, nuk është mbuluar, por mezi po pret.
-Dëgjon muzikë, e pyeta.
-Është e ndaluar, tha Sonada.
-Po si mund të jetosh pa muzikë, a ka gjë më të bukur, e pyeta.
-Është e provuar që muzika dëmton veshët, tha Sonada.
-Po në dasma shkon?
-Kam shkuar, tha Sonada.
-Nuk ke kërcyer asnjëherë?
-Pothuajse nuk kërcej, tha Sonada.
-Duhet të dëgjosh muzikë, i thashë, nuk ka asgjë të keqe.
-Këngët kanë shumë fjalë të papërshtatshme, tha Sonada.
-Sa vjeç je?
-19.
-Çfarë shkolle bën?
-Për infermieri
-Të lejojnë në shkollë të mbuluar?
-Po aty ka dhe vajza të tjera si unë.
-Kur do martohesh?
-Kur ta vendosë Zoti.
-Po si do njihesh me dikë kur nuk del, nuk dëgjon muzikë, nuk shkon në disko dhe nuk të lejohet të takosh djem?
-Përmes lutjes, tha Sonada.
-Pra ti lutesh edhe për të gjetur një djalë, e pyeta.
-Unë kam përcaktuar karakteristikat e njeriut me të cilin dua të jetoj dhe lutem që ai të shfaqet
-Po a gjendet burri duke u lutur?
-Edhe familja mund të ndihmojë, tha Sonada.
-Pra do fejohesh me mblesëri?
-Mblesëria nuk është e keqe, por familja nuk do bëjë asgjë pa më pyetur mua.
-Çfarë është Zoti për ty?
-Zoti është diçka kaq e madhe sa nuk përshkruhet dot me fjalë.
-A mund ta hedh foton tënde në instagram?
-Mund ta hedhësh.
-Je një vajzë shumë e mirë Sonada.
-Duhet të iki, tha Sonada.
-Do marrësh abdes, e pyeta.
-E mora abdesin, tani do lutem.
-Lutje të mbarë, thashë unë.
-Faleminderit, tha Sonada. /Nga Ben BLUSHI/