Kur mbrrina n’Shkodër, konakun e kisha t’sigurt. Thashë i librave ishte Filip Shiroka, e s’ idhnohet kur t’i nxjerri dengat me librat e mi!
Dorkun e lidha n’oborr, e Gjon Dukgilës i thirra: A t’ka marrë malli për Kerin e Vogël?
Qe ku e ke, pa plis, pa shall, pa tirq!
Krejt i ka vjerrë çetinave t’Stankajve, tue u ngut mos me zanë nata Karadakut!
Dil rehatoja atin, se e ka lanë Rugovën për Rozafën!
E ka ba njet me ia veshë kmishën me via t’arrës, se fort po e kqyrin ustallarët kah po i jep djalit gji! U batë përrallë tue lanë që pesëqind vjet cullak n’gur t’Kalasë!
– Kujt po i flet o mixhok, ma ktheu nji çikë shkodrane me shokën e kuqe n’ije, që rrinte brenda n’kullën e Filipit. Ky asht hotel Tradita, e Gjoni asht sonte n’Shalë, por ti bujrum, se jemi ne, bijat e Shkodrës që t’bajmë konak!
U knaqa kur m’folen n’g’juhën e nanës Sheke, sa s’prita dy herë me m’thanë, hajde mirë se ke ardhë!
Po, kjo asht shtëpia e Filip Shirokës, bile dhomën e vet e ka t’pa prekun. Mundësh veç derën me çelë e me sy me kullotë! Jo ma shumë! Gjoni paska dalë n’Shalë, thashë, se s’i rrihet n’rrapsh. Iriqi don therra e Gjoni thepa!
Mbasi u rehatova, i mora tre libra e zbrita deri të Isa Begu, se m’u duk i mërzitshëm, e thashë t’ia lexoj nji poezi për Zhazhën!
Mandej dola n’çarrshinë e vjetër e tri herë e shkela, se mu duk vetja si Isa Begu. Besa dy herë edhe bërtita tue xhirua vetvetën: Ç’t’u desht me lëshua Shkodrën e me dalë n’Podgoricë Isa Beg! A pak t’mashtroi shkjau n’Boletin, kur e maroi kishën n’tokën tande?!
Nji djalosh, me emnin Armando Dermani, që pinte kafe, rrehi shuplaka. E meritove kafën plak m’tha!
Paj pasha t’lumin Zot po, me ditë se m’lsho’ zemra, pa e pi me ty s’e la!
Dhe u ula n’tavolinën e tij!
Kur e muer vesh kush jam, edhe nji herë ma shumë u gëzua!
A ti artisti që shet libra je a?
Po more i thashë. Erdha edhe te ju. Veç ishalla s’e koritni Malsinë ju shkodrant, me thanë kemi dalë për peshkim, se asht dro me i gjujtë te tana n’liqe e me iu thanë: mbushni rrjetat. Sa shumë qeshem!
Qenke edhe hokatar ti, jo veç artist!
O gjithçka jam veç poet e shkrimtar jo!
E pse po shkruen libra pra?
Po shkruej se po shkruen gjithkush. Po knoj se po knon gjithkush. Gjithkush asht ba i mençëm e po sundon. E pse mos me i sundua unë shkarravinat e mia.
O pasha lahutën e babës krejt çarshia e muer vesh se nji plak budallë nesër ka me kjenë me libra n’Pedonale!
Njeni nga Prizreni, që ishte n’Velipojë me pushime, m’u afrua e m’tha ma nënshkruej ket libër bastardësh.
Mos i thashë se asht shtrejt, e të duhen paret për det!
Nji ditë ma pak asht nji libër ma shumë m’tha kur e pagoi!
Mbramë luente Shqipnia me Lituaninë futboll. E shikova pak, por m’kishte pasë marrë gjumi, e veç kur u çova me hangër mëngjes i ndëgjova do tifoz tue sha! Kishte humbë si Kosova!
Pasha jetën e sosun, mbramë knoi gjeli bashë kur hoxha e thirri ezanin, e mua m’shkoi mendja të gjeli i babës. More Zot thashë, bash si n’tregimin tim, edhe ky i kallxoi hoxhës kur duhet me falë sabahin, si ai gjeli i babës tem!
E kqyra orën, kishte qenë tue u ba pesë!
M’kishte pasë marrë edhe njiherë gjumi, por prap gjeli m’çoi. More perendi thashë, a mos e paskan pasë mble shkodrant at gjelin që e shiti nana n’Pejë, për pantallonat e mia!
S’fjeta ma.
Dola n’oborr me pi kafe.
Tash po ia zgjidhi kërpeshin kalit tim, e po dal n’pazar me shitë libra, sa s’kanë shkua shkodrant n’liqe me nxanë peshk!
Sa e mirë je moj Shkodërloce, po qyshë s’ma ruejte Ndrekë Lucën e Rikard Ljarjen. A e din sa herë Fishën ma kan pru n’zemër!
Kam dro se librat s’kan me m’i dasht.
A dini pse?
S’i duen fort t’njoma këta, e hala s’janë tha taman!
Shnosh, se Buna s’dvetë, n’det t’i çon, ndaç n’Velipojë n’daç n’Ulqin, e rrezitën bashkë me kosovarët!
Nga Çun Lajçi, Shkodër, Hotel Tradita
08.09.2020