Babi shpirti,
15 prill 2024. Ti mbush 100 vjeç. Ose, kishe me mbushë. Mbaj mend se për 75 vjetorin tand, t’u pat akordu nga Presidenti i Republikës i kohës titulli “Mjeshtër i madh i Punës”. Fola diçka në atë ceremoni dhe nuk mbaj mend gjithçka thashë, por ndërmend fort qartësisht se e pata mbyllë atë ndërhyrje temen me fjalët: “du që në 15 prillin e 100 vjetorit tand, me të ardhë te shtrati në mëngjes, me të puthë e me të thanë – e mbajte fjalën, shpirt”! Ndërmend vetëm emocionin në lotë tandin dhe përpjekjen titanike temen për të mos e lëshu veten në skena patetike. Nuk e kam të qartë tashma mbas 25 vitesh nga kjo shprehje publike e dashnisë, nëse kur ta pata thanë isha e bindun a jo se do të ndodhte. Kam frikë se jo. Nuk kisha asnjëfije vetëdijësimi se si do të ishte kjo ditë, se si do të isha unë, ne…Ti nuk je ma në jetë dhe sigurisht nuk përban një çudi. Jeta biologjike ka rregullat e saja. E unë, kam muej që mas forcat e mia për me ta shkru këtë letër tuj e ditë se do të ishte nji ushtrim i fortë emocional për mua. Por ia dola, bash si personazhi i Kunderës te romani “Pavdekësia”: Agnes e ndigjon me dhjetra herë “Adagion”, për me mujtë me e përballu kur ta ndigjonte te funerali i të atit.
Po pse të shkruej sot publikisht? Letra për vetë natyrën e saj nuk mund të jetë publike, aq ma shumë kur bahet fjalë për një letër midis familjarësh. Nuk e di a do të kishe kenë nji mendje me mu për këtë letër, por unë e kam vendosë tashma e, letra asht në sytë e tanëve. Nuk jam pishman, përkundrazi. I dhashë lirinë vedit me e ba publike, por edhe me e shkru në gegnisht përsa kohë ky ka qenë kodi jonë i komunikimit në shtëpi. Du me qenë krejt e sinqertë me letrën. Po të tregoj se në këtë pikë të jetës ku ndodhem, jo thjesht të moshës, por edhe të disa bindjeve që njeriu përfton në këtë kohë që na asht dhanë me jetu, se ka disa syresh që duhen shprehë, duhen nda me të tjerët. E ty du me të vu në dritën publike për atë çka unë jam e bindun se i takon publikut. Ti i ke taku publikut qyshkur vetëm 20 vjeçar dole në shtyp me një studim mbi “Dramatikën shqiptare”. E prej atëherë nuk u ndale ma tuj i dhanë publikut lexues punë tueja, që kapshin një gamë të gjanë fillimisht, por që paralajmëroshin hullinë ku do të shkoje: studimin. Nuk kam njoftë në jetën teme deri më tash të paktën, nji tjetër njeri ma punëtor, ma sistematik, ma të zellshëm, ma të organizuem. Imagjinata jeme pat shkue deri aty sa pata rindërtu nji skenë (mos qesh): kur ke lindë ti, Fatat që mblidhen rreth shtratit për me përcaktu udhëtimin e foshnjës, do të kenë këndu në kor: punë, punë, punë!
Ku më xanë fill ndërmendjet e mia për ty? Herët, por më vjen krejt e qartë skena kur unë isha pa u futë në klasë të parë e nuk dijsha me lexu, por shifsha motrat e mija ma të mëdhaja që lexojshin e atëherë iu drejtova atyne me lutjen: ma lexoni edhe mue këtë librin (kisha gjetë nji me ngjyra në raftin e librave…). Kujtoj krejt qartë se si e ku ishin motrat e mia binjake: në salonin e madh të katit të parë ku banojshim asokohe, në një kanape, njena nga njena anë, tjetra nga ana tjetër. E ndigjune lutjen teme, por as sytë nuk i çunë kah unë. E fyeme prej mospërfilljes të “egër” të tyne, bana do metra e erdha mbrapa shpindës tande tek skrivania në fund të salonit: babi, unë iu kërkova atyne dyjave me ma lexu këtë librin, por ata as nuk m’u përgjigjen! Ti e more shumë seriozisht këtë “denoncim” temin për “sjelljen e keqe” të motrave dhe brofe në kambë tuj më marrë për dore: ashtuu?? Hajde t’iu thona bashkë lutjen tande! (vonë kam marrë vesh që ti mezi kishe mbajtë të qeshunën).
E sigurtë tashma për fitoren teme, ndejta përbri teje tek i qortojshe për faktin se nuk e kishin vlerësu kërkesën teme dhe iu the ta ndalojshin leximin e tyne e të merreshin me mu. E futun në mes tyne me nji buzëqeshje sfiduese, njena prej tyne filloi me ma lexu tanë hundë e buzë. Ndërkohë mu më iku vëmendja dhe u largova tuj i lanë ato dyja të habituna e të nervozueme me mu. Por kur hyna në klasë të parë ama, më pate kërku në formë urdhni, mu e motrave para meje, që në nji fletore 16 lekshe të kohës, të shënojshim librat që kishim lexu përgjatë gjithë klasës së parë deri në pushimet e verës, me nji rregull të caktuem që sot kishte me u quejt “bibliografi e arsyetueme”. Fletoret janë aty, të ruejtuna prej teje. Edhe kur u bane gjysh për së parit, ia bane të njëjtën kërkesë mbesës tande. Edhe ajo fletore asht endè aty. Por mbaj mend edhe nji rast tjetër kur isha në klasë të parë tashma dhe kisha mësu përmendësh një vjershë që e kishim detyrë shtëpije dhe, e bindun për përgatitjen teme, të kërkova me ma ndigju teksa e recitojsha. Gabim i fortë: qysh në rresht të parë më ndalove duke më thanë t’u vendosja theksin logjik fjalëve, vargjeve, pauzave. Për gjithësecilin varg, tuj më kthy nja dhjetë herë! Bindja jeme fillestare për lavdi, kishte qenë e rrejshme!
U betova me vedi se nuk do të kishte një herë të dytë kërkesë vullnetare nga ana jeme. Por prapë tek ti përplasesha. Ritmi jot i ditës, javës, muajve, viteve që kalova me ty, kornizohej nga makina jote e shkrimit dhe skrivania jote e përmbytun nalt e poshtë në tokë nga libra, letra, dosje e stilolapsa. Të gjitha të vendosuna në një rregull kirurgjikal. “Xhaxhi Jupin e shof gjithmonë me shpindë” – thoshte një shoqe e jemja e fëminisë. Ishte pozicioni i skrivanisë që me pamje nga balkoni i dhomës, kishte derën e hymjes mbrapa e meqenëse ti ishe aty rregullisht, asaj i dukej se ti rrije gjithmonë me shpindë. Por unë atë pozicion e dojsha shumë. Për secilën pyetje që kryet tem prej fëmije krijonte, unë vijsha nga mbrapa shpindës tande, të preksha e me kënaqësinë e atij që e din se merr vëmendje, të pyetsha pa parathanie. Gjesti që më lumturonte ishte të hequnit e beftë të gjyslykëve nga sytë tuej dhe shprehja që e shoqnonte: po shpirt! Nuk kujtoj as edhe njenen prej pyetjeve të famshmme që të kam pas bâ. Kujtoj ama me kthjelltësi, ndjesinë e plotnisë teme, të sigurisë që unë mund të vijsha tek ti përgjithëherë që dojsha.
Tash mund ta kuptoj se çka don me thanë me të ndërprè tash e mbasandej kur je duke punu me kokë. Të kam falenderu me mend ma vonë, por ndruhem se nuk ta kam pas thanë me gojë. Veç tash e di se baza e vetëbesimit tem, xen fill njaty. Nuk m’u tradhëtu ndonjiherë prej teje ky vetëbesim, nuk mori kurrë plasë, as kur u dergjshe në shtrat në muejt e fundit e unë kisha nevojë për disa të dhana për Shkodrën që më duheshin për një takim me Dacia Marainin. Si me pasë kliku në internet, memoria jote mitike, m’u gjet ndihmë. Edhe aty, i kthyem përgjysë kah unë, pamvarësisht dhimbjeve fizike të sëmundjes që kishte avancu, kryejshe ritualin e shenjtë për mu: atë të Vëmendjes. E mu më përkthehej me tingullin që ishte i jemi tashma, tingulli i Besimit në ty e që përthehej i plotë në mu.
Në tanë këtë film të jetës me ty, ndërmendja jeme për ty e me ty, mban gjurmë të forta e plot me ngjyra. Më vjen figura jote e kërrusun në skrivani deri vonë në mbramje; e ndryshove këtë orar kur mosha filloi me u ndì e ora e mbylljes së punës ditore tande ishte 11 e darkës. Para se me i mbyllë letrat e makinën e shkrimit, të shifja në kambë para skrivanisë tuj shkru promemorien për ditë e nesërme: me të kuqe ishin prioritaret, me të zezë rutina. Nadja të shifte ty të parin në kambë. E më vijnë të kthjellta si drita e lëbyrtë, zgjimet në shtëpi, mëngjesi i bamun gati prej teje në tavolinë për ne tri vajzat, kurse Nanit ia çojshe te shtrati, përditë. E në sfond kishte muzikë, gjithmonë. Kur të takonte me dalë prej shtëpije para se ne trija me u ulë në tavolinë, mbi të gjejshim pusullat e shkrueme me atë kaligrafinë e stërrregullt tanden: “Shpirtat e mi, sot kam leksion deri nga ora…Në orën …kam mbledhje katedre. Në drekë do të vij në shtëpi me hangër bashkë, mbasdite kam prapë mbledhje…”. Janë nuk di sa syresh të ruejtuna në dosjet që ti vetë i ke pasë sistemu.
Për vite me rradhë kena pasë dhomën e hêjes në atë që ne e quejshim “dhoma e mesit” ku në murin përballë nuk mungonte edhe aty nji raft librash i mbushun nga toka deri në tavan. Tuj u gjetë përditë përballë tij, kishim mësu përmendësh titujt e librave a të revistave dhe derisa të na shërbehej vakti nga Nani, ne motrat kishim xanë një lojë: njena përmendte titullin e ne dy tjerat duhet ta gjejshim ku ndodhej në raft. Mandej të vêjshim ty në provë; e kotë me thanë që u përgjigjshe saktë tuj tregu edhe radhën ku ndodhej në raft. Kjo më habiste pa fund. Nuk e imagjinojsha se si mund të mbaheshin mend vendet ku ndodheshin gjithë ato libra. Shtëpia ishte e mbushun cep më cep me rafte librash e me libra e revista që rrijshin në tokë ngaqë nuk kishte mâ vend të lirë. Vetëm Nana jonë shenjtore mund ta përballonte kësi parehatije në shtëpi, por e kotë me e thanë: ju adhuroshit njeni tjetrin e gjithçka mbartte ngjyrën e dashnisë, edhe parehatia e lëvizjes bahej bukuri.
Kam në hundë sot e gjithmonë erën karakteristike të librave, të pluhnit, normal. Pastrimin e risistemimin e bajshe vetë. Më kujtohet që u mundojsha me të ndihmu, ne temen. Tek më thojshe kriterin se si do të vendoseshin, unë isha pak si e paorientueme, por saktësia e veprimeve tueja, mbi të gjitha sistematiciteti, ma forconte paorientimin tem. Kujtesa jote ishte pak me thanë, fenomenale. E kjo në 360˚: për librat e datat e botimeve, për autorët, për edicionet e ndryshme. Kam kuptu ma vonë se kjo kujtesë nuk ishte thjesht dhunti e lindun, ishte e kultivueme. Në sistemin tand cerebral të të punuemit, kishte një organizim perfekt të kohës, të projekteve për studimet që do të bajshe, të ditarëve që mbajshe. Feja jote ishte kultura e shkrueme. I plazmuem me shkollën klasike të të menduemit, fjala e shkrueme, memorizimi në letër, dokumentimi mbi të gjitha, ku futej edhe ai i memories me celuloid, fotografive pra, shtëpia jonë ngjante me një bibliotekë – arkiv. Kur isha e vogël ua kisha zili disa shoqeve që i kishin shtëpitë ma pak të ngarkueme me këto “objekte”. Kur u rrita pak e kuptova se notojsha në thesare.
A e din shpirt se ç’ka më vjen në mend tjetër? Nji mbasdite vere kur unë tashma kisha hy në moshën e adoleshencës. Në raftin e dhomës së pritjes, kisha kohë që kisha vu ôre nji libër në italisht me nji titull ftues të tipit “L’amore e il sesso”, në mos u gabofsha botim i fund viteve ’30 të shekullit të kaluem. Në fakt, ishte libër studimor. Prita sa ti shkove me pushu në nji orëshin e gjumit kanonik të mbasdites dhe iu afrova raftit. Mora librin dhe ndejta me sytë nga dera në mënyrë që ta kontrollojsha situatën në rast se do t’u çojshe prej gjumit. Libri ishte i vjetër, me gërma të vogla. Italishtja jeme nuk ishte as elementare, ama dëshira e kureshtja jeme ishin të mëdhaja. Filloj me lexu. Në 10 fjalë të nji fjalie, kuptojsha tri a katër. Shtoji këtu edhe vështirësinë e shkrimit akademik studimor, zor se po kapsha gjâ. Ndërkohë, e përhumbun në këtë përpjekje temen titanike, nuk ndigjoj zhurmën e hapave të tu në dërrasat e dyshemesë së vjetër që kërcitshin dhe, ndjej zanin tand të qetë: “Shpirt, mendoj se italishtja jote nuk ka me të leju me e kuptu. Ma mirë lene prapë në raft dhe e lexon në nji kohë tjetër kur ta kesh xanë mâ mirë gjuhën!” Në largësinë prej 4 metrash, kishe kuptu për cilin libër bahej fjalë! E kontraktueme nga xania bef, me gjymtyrët që mezi po më bindeshin, e vuna në raft e ngrita sytë me të pâ. Të kam qenë mirënjohëse pa fund në atë moment po aq sa sot e kësaj dite. Në rast se ti do të më kishe bâ moralizma në atë çast, nuk e di se si do të isha raportu ma vonë me libra të kësaj natyre. Me matuni ma hoqe librin që sigurisht nuk ishte për moshën teme, por nuk më krijove tabunë. E kjo asht tejet e randësishme për nji adoleshente.
Mbaj mend që aq sa ishe përkëdhelës me ne vajzat (edhe ma shumë se Nani), po aq ishe rreptë e autoritar. Idem Nani për këtë të dytën. Ishte nji simfoni in duo. E prapë me intuitë kuptojsha që kur ishte puna me marrë leje për me shku diku, ma lehtë e kisha me ardhë tek ti së parit. Përgjithëherë përgjigja jote ishte: pyete Nanin! Ndoshta falë natyrës teme ma komunikuese e të hapun, kisha fillu herët me folë me ty, me dalë me ty shëtitje. Mbaj mend që nji vajzë komshije më pat thanë: si del me babën ti në këtë moshë? (isha në gjimnaz). Nuk iu pata përgjigjë. U ndjeva e paralizueme në pamundësinë teme me i shpjegu asaj që shëtitja me ty ishte balsam për mû. Në krah tandin, rreth meje më mbështillte nji ajrì e papërshkrueshme. Më flitshe e më ndigjojshe e mbi të gjitha, më jepshe aq informacion sa nuk do ta kisha marrë as në vite të tana leximesh. Ti ishe rrëfimtari i lindun, ai që të magjepste. Ishe pasionanti. Ishe mbreti i fjalës e emocionit të bukur. Ishe elektrizues. Mbramjet e verës me ty më vijnë saktësisht me të njëjtën ndjesi: mirakandje shpirti, mendjeje.
Mbaj mend kur ma pate dhanë makinën e shkrimit për me të daktilografu librin e Faik Konicës “Doktor Gjilpëra…”, të cilin e kishe marrë hua e t’u donte t’ia kthejshe të zotit mbrenda nji jave. Kësodore, ti i daktilografojshe vetë. Ndër vite mbaj mend këtë stërlodhje tanden me veprat e autorëve që nuk i kishe. Besoj se kam kenë në fund të tetëvjeçares. E mora disi me frikë, por nga njena anë stili ironik i Konicës me të cilin po bijsha për herë të parë në kontakt, e nga ana tjetër besimi jot në mu, ma hoqën sikletin e parë. Edhe sot e kësaj dite e përdori kompjuterin me thuajse të njajtën mënyrë si makinën tande të shkrimit Olivetti.
Mbaj mend se as ti, as Nani, nuk ju xente sytë dashnija për ne vajzat, sa mos me dallu ku i kishim dobësitë tona. Gati gati “të pamëshirshëm” në vlerësim, por falë Zotit objektivë, e kishit kuptu natyrën e prirjet e secilës. E kur erdh momenti me zgjedhë drejtimin tem për studime, prirja e pasioni jem për gjuhët e hueja, i pikasun herët nga ti, më çoi drejt asaj që tashti asht jo thjesht profesion për mu, por pasion: gjuha e kultura italiane. Isha e “përmbytun” në dashni për atë që po bajshe, që nuk ishte tjetër vetëm se zgjatimi i tanë bisedave tona ndër vite. Por asokohe studioshim edhe ekonominë politike….socializmin. Unë i bajsha rezistencë landës për “moslogjikën”. E në fakt, në provim mora nji notë jo fort të kandshme. Kur u ktheva në shtëpi atë natë, m’u tha nga ti e Nani: për provimin tjetër do të përgatitesh vetëm në dhomë, derisa të jesh bindë se e ke përvetësu si duhet! Mbaj mend se provimi tjetër ishte letërsia italiane. Ekstazë për mu. Por ndërkohë dialogu me ty ishte i mekët. Kaluen dy ditë, tri; të katërtën vara në derën e dhomës teme nji fletë A4 ku shkruhej: “Per me si va ne la città dolente, per me si va ne l’etterno dolore, per me si va tra la perduta gente…/ Lasciate ogne speranza, voi ch’intrate” (Komedia Hyjnore, Ferri, Kanga III). Funksionoi! Të ndigjova mbas deret që po qeshje. Hyne mbrendë e u rrokëm. Paqja zbriti në mû.
Mbaj mend se ti ishe Mentori i temës teme të diplomës. Mbaj mend përgatitjen e ankthshme, prezantimin para komisionit, rezultatin e bukur. E, mbaj mend se si në korrik të atij viti që kisha mbaru studimet, teksa kotesha në divan, më erdhe me nji turrë librash në dorë e më the: “E mira do të ishte që të mendojshe për me shkru nji artikull te numri i ardhshëm i Buletinit…Në rast se don me u përqëndru te Treqindshi italian, këto libra mund t’i kesh si bazë fillestare. Çka të lindin nevojë rrugës, i gjen në Bibliotekë të qytetit.” Të pashë me bezdinë e atij që i prishet lezeti i ndejtjes kot mbasi mendon se i ka mbaru detyrimet e studimit. Mbaj mend që vetëm më dhe orientime si me e hartu bibliografinë e referencat. Edhe sot e kësaj dite, pavarësisht formave të reja të shkrimit të aparatit shkencor, unë ruej remineshencat e formës të mësueme asokohe. Iu futa edhe nji herë leximit. Nuk e di a e kam pas shkru mirë a jo atë artikull, por ti ma lexove vetëm në fund kur e kisha mbaru. Më përgëzove. Ndoshta për me më dhanë zemër. Kot me të thanë sa mirënjohëse të kam kenë e jam për atë mbasdite vere që do të kishte kalu anonime dhe e pashije, si tana ditët kur nuk bajmë diçka të vjefshme e të bukur. Më ka vlejtë jo thjesht Modeli jot, më ka vlejtë fryma që më jepshe, shtysa, optimizmi, bindja e ngulitun sot e kësaj dite se kur merresh me librin, “i je largu përgjithmonë banalitetit”. Tash e kuptoj se fillimet e mia mbasuniversitare, ishin hala të rrëmujshme për mue. Nji gja ama e kisha të qartë diku në nënvetëdijen teme: në nji mënyrë a tjetër, pak apo shumë, do të merresha nji ditë me atë çka kisha nuhatë prej nji jete në shtëpinë tonë.
Mbaj mend që nuk u ankojshe asnjiherë për kurgja. Veç dy gjana përbajshin “setin” e ankimeve tueja: koha që nuk të mjaftonte kurrë e, hapësina fizike në shtëpi për librat. Skedarët e tu ishin në ato kutitë e drunit a kartonit. Ishin të pafundme, në të gjitha dhomat, me përjashtim të kuzhinës. Nji pjesë të tyne, mjerisht, i kishim vendosë edhe në balkon që kishte nji strehë po kaq mjerane për me mbrojtë atë mund të pacak tandin ndër dekada. Ishim mundue me Nanin me i mbulu disiqysh. I kontrollojshim herë mbas here, por shiu hyn gjithkund. Mbaj mend që në nji nga ato herët e kontrollit periodik, vumë ôrè se thuejse tanë skedarët që ndodheshin në ballkon ishin damtue plotësisht. Më vjen turp, shumë, e më pushton dhimbja tek ta them: një natë nga e vona, për mos me të shqetësu ty që skedarët kishin dalë jashtë përdorimit, fshehtas i nxorëm me kutija e i hodhëm në… kazanin e plehrave të rrugës. As nuk e di se cilave veprave tueja i përkitshin, por ime motër Mira më pat thanë se më duket nji pjesë e tyne ishin shënime për hartimin e nji Fjalori foljesh të gjuhë shqipe. As nuk e di sa dekada jetë e punë të kishin marrë për me i qëmtu, mbledhë e sistemu, por imagjinoj që shumë. Du me lehtësu disi vedin me faktin se çuditërisht nuk pata ndigju në shtëpi se i pate kërku. Ndoshta i kishe shfrytëzu tashma, ndoshta nuk të ka dalë koha mâ me u marrë me këtë projekt studimor, por duke ditë fort mirë se si edhe pusulla ma e vogël ishte e shenjtë për ty, më djeg shpirtin ky fakt. Por menduem me ta kursy ty dhimbjen. Sot, nuk do ta kishim bâ. Do t’i kishim mbajtë edhe të mykuna, edhe të palexueshme. Më fal shumë, shpirt!
Mbaj mend ritmin tand marramendës të përditshëm, mbledhjet e pafundme në Institut, katedër, madje këtu përgjithë të hane në mëngjes në ora 8. Mbaj mend se përgjithë të dielë, përpos të tjerave impenjime tueja, ti përgatisje raportin për mbledhjen e katedrës të së hanës, raporte që shkonin mbi 4 faqe rregullisht. I kemi të gjitha të ruejtuna. Mbaj mend që anëtarët e katedrës, edhe ish studentë të tu që sot punojnë a drejtojnë atë institucion, më patën deklaru: në rast se dimë si shkruhet një relacion a studim, e kemi prej Profesor Jupit.
Mbaj mend kërkesat e promemoriet e tueja drejtu instancave të nalta qeveritare në Tiranë për ta shndërru Institutin Pedagogjik të Shkodrës, në Universitet. Ishin përpjekje të vijueshme të tuejat, për me e sjellë Shkodrën në naltësinë që i takon, për traditën e shkrueme të saj, për eksponentët e jashtëzakonshëm që ka nxjerrë në çdo kohë. Ishin këto argumentet e tueja në ato letra që sigurisht ndodhen tek ne, por me siguri edhe në arkivën e Institutit apo të institucioneve të kohës. Madje, kur mbërriti momenti për me u ba ky shndërrim në Universitet, ishe ti që e pagëzove me emrin e përndritshëm që mban, atë të Luigj Gurakuqit. Dashnija jeme për Shkodrën, Shqipninë, Kosovën e për Arbreshët, xen rranjë tek ti, tek pasioni jot i pashterrshëm për to. E unë pa drojë aspak, sot në këtë moshë që di me të gjyku jo si babë, por me akull të mendjes, të quej Përbashkues kombëtar. Iluminist.
Kujtoj që udhtojshe shumë shpesh në Tiranë për në Bibliotekën Kombëtare, në Arkiv për gjurmime, në Institutin e Gjuhësisë, në Akademi. Udhëtimi zgjaste 5 orë me shku…kthimi po aq. Kujtoj miqtë e kolegët e tu në shtëpi tonë, rregullisht, ti nuk frekuentojshe lokalet; kujtoj se gjatë gjithë jetës tande ne kishim gati pelegrinazh njerëzish të panjoftun që vijshin edhe nga Jugu i Shqipnisë për me të marrë një mendim, një libër, një bibliografi për aksh çështje; kujtoj letrat e pafundme të studiuesve nga jashtë e mbrenda, por edhe të mësuesve të thjeshtë, të një poeti që sapo kishte fillu udhën e krijimit, të studentëve të tu. Kujtoj se edhe me shoqet e mia ishe i njajti mikpritës i pashoq, elegant, civil. Ti nuk e din shpirt se sa mesazhe me vijnë mue e motrës teme në celular nga njerëz të ndryshëm që jeta i ka sjellë me të njoftë mirë, por me të taku edhe rastësisht, ish studentë tuej që sot janë mbi 70 e kusur vjeç. Po të tregoj nji rast ndër të shumtët: 4 vjet ma parë më vjen në zyrë një zarf me një letër të shkrueme me dorë nga nji ish studente e jotja e cila jetonte në Itali prej kohësh; sot gjyshe. 6 faqe letër sistemu me kujtimet për ty, me nderime që n’rast se nuk do ta dijsha se si ke kenë, mund ta merrsha për idolatri. Në këtë përmbytje memoristike për ty, ka të paktën disa konstante që i gjej tek secili syresh që na drejtohet thjesht me shprehë vlerësimin a respektin për ty: qytetar model, civil, korrekt, skrupoloz, profesional, pasional, erudit e sidomos i pajisun me një bujari unike intelektuale. Më beso shpirt se arrijnë me mbajtë mend edhe librat që iu ke huajtë, bibliografitë që iu ke kalu, projektet e jetës në të cilat janë hedhë e që mbajnë gjurmën e fjalës tande në zanafillë. E pra, unë e di tashma që nuk ndodhë thuejse kurrë që dijenitë e nji jete të kalueme me studim, kërkim e sistemim ditunish, t’i kalohen kaq lehtësisht tjetrit. E unë kam kenë dëshmitare e këtyne skenave të panumërta e, n’rast se atëherë më dukej normale, sot e vlerësoj si modelin ma të vyer që na ke lanë. Ua kthej falenderimet e mirënjohjen, por shpirt, nuk e din sa e vështirë asht me u marrë me sistemimin sikur edhe të epistularit tand që qysh në ikje tande nga jeta kur atëherë numëronte gati 5000 letra, paramendo sot!
Mbaj mend e më janë ngulitë në kokë si leitmotiv i memories teme të gjallë, shqetësimi jot për veprat e pabotueme tuejat, për veprën studimore për Mjedjen që ta kishin “djegë e çu për karton” (shprehja jote), fryt i sa viteve punë, fill sapo e kishe mbaru e ia kishe dorëzu shtypshkronjës; njëjtë për veprën monografike për Konicën që përpos se të ndalohet me viju punën që ishte fillu tashma, edhe botimi në SHBA mbas 1990 del i cunguem; njëjtë për veprën e shumë dekadave punë për mbledhjen e shkrimeve me karakter filologjik, historik e publicistik të De Radës që mbetë fjetë në Akademi të Shkencave për ma shumë se nji dekadë e nuk u botu prej tyne; njëjtë për Historinë e Albanologjisë vëllimin e dytë; njëjtë për Studimet arbëreshe…Ti na i ke lanë me shkrim e me gojë porositë e tueja testamentare e sot mund të tham se veprën e plotë për Konicën e botuem; po kështu edhe Veprat historike filologjike të De Radës; po kështu, shpejt ka me dalë edhe nji tjetër botim i joti. Shiko, nuk asht puna se na “duhet” me mbajtë fjalën para tejet si prind; jo, na dy vajzat tueja jena të binduna se DUHET me i botu për nji arsye që i kapërcen caqet e thjesht nji dashnije për prindin: këto studime janë një e Mirë Publike e si të tilla na kemi detyrimin me u marrë me to. Veç ta dish sa e vështirë asht për ne, jo aq për kohën, mundin, a shpenzimin për botimin e tyne, por për faktin se punojmë me një përgjegjësi të dyfishtë kur bahet fjala për veprat tueja. Sa të mundemi fizikisht e mendërisht, nuk do ta ndalim këtë punë. E kur të mos jemi na ma në jetë, kanë me qenë nipi e mbesa, të jesh i qetë. Ndërgjegjësimi i tyne për këtë “barrë”, asht i plotë, le që për fat ti ke arritë me ua dallu karakteristikat e tyne qyshse ishin fëmi. Mundem me të thanë se ndoshta ata kanë dalë përtej parashikimit tand e tonit. E n’rast se kam nji prehje në shpirt, më vjen prej kësaj sigurie.
22 shtator 2003. Ishte dita e fundit e jetës tande. Unë nuk isha as me ty, as në Shqipni. Kisha nji muaj që ndodhesha në Hollandë për një kurs diplomacije. Instituti Clingendael i Hagës pranë të cilit ndiqsha kursin, atë ditë na kishte nisë për të ndjekë leksionet në Universitetin e Maastricht-it, 272 km larg Hagës. Ishte ora 10 e mëngjesit, ndodhesha në sallën e leksioneve. Bie zilja e celularit, ishte ime motër, Bardha. Dal jashtë me një shtypje në gjoks. E ndjeja. Me avash më thotë që ti nuk ishe mirë, që temperatura nuk zbriste prej dy ditësh. Më tha që ndoshta ishte mirë të nisesha… Motra tjetër, Mira, e besuemja jote e përjetshme, ajo që të kishte ndejtë mbi krye ditë e natë, me muej e vite, e kujdesshme si gjithmonë, nuk kishte dashtë me më trazue. E shushatun, e kalamendun, i marr leje profesorit dhe nisem për nga stacioni i trenit. Me autobuz do të duheshin disa orë të mira me mbërritë në Hagë, me tren diçka ma pak. Në nji gjendje kaosi, trazimi e dridhjeje në trup, futem në vagon pa pre biletën. Isha vetëm në sedilje. E shkrehun nga mungesa e të tjerëve në skompartiment, i jap rrugë vajit të mbledhun. Jashtë xhamave mbretnonte nji kohë e vranët, e ftoftë, e idhtë siç ishin tana ditët thuejse në atë vend. Pa asnji rregull në kokë, midis vajit me zâ, isha tuj mendu a thu e kishe lexu letrën e nji foto që t’i kisha nisë pak ditë ma parë nga Amsterdami (letra ka mbërritë mbas ikjes tande, mora vesh).
Kisha vizitu Rijksmuseum të Amsterdamit ku kisha fotografu vedin para kuadrit Caritas romana të Rubensit me qëllimin me ta nisë ty. Kishte edhe nji letër me nji përshkrim temin emocional nga vizita aty dhe të premtojsha që sa të kthehesha do ta flisnim bashkë. Tuj mos i dhanë formë asnji ndjesie në ato momente, nuk e ndigjoj kontrollorin e biletave. Kurrë nuk do ta harroj finesën e atij burrë. Kishte ndejtë në krah temin, pa m’u drejtu me fjalinë e zakonshme: biletën, ju lutem. Ktheva kryet vrikthi. Me siguri që pamja jeme e shpërfytyrueme, e shtyu me më thanë: nuk po ju shqetësoj. Nuk më pyeti as pse isha ashtu, pyetje të cilës tash që e mendoj, nuk do të kisha mujtë me iu përgjigjë saktë sepse nuk kisha mbërritë me e realizu mendërisht ngjarjen, jo mâ me e artikulu – kam humbë babën. Kujtoj si në jerm vrapimin në Institut, kërkesën zyrtare për largim, prerjen e biletës së avionit që nuk kishte atë ditë fluturim, por të nesërmen, tranzit. Nji përqindje krejt e vogël iluzioni më mbante pezull me shpresën se do t’ia mbërrija me të përqafu të ngrohtë… Pjesa racionale më shkulte përposhtë e më fuste ankthin që përpjekja jeme me të gjetë gjallë, nuk do të realizohej. Miqtë e mi të shtrenjtë, Alketi, Xhuli, rrinin me mu atë natë që nuk mbaronte.
Hagë – Bologna – Tiranë. Aeroport Tiranë e kthim në Shkodër. Ti nuk ishe mâ qysh nji ditë ma parë mbasdite. Kishin shty për në darkë vonë ceremoninë mortore. Ishte e para herë në jetë që unë hyjsha në shtëpi e ti nuk më flisje. Gjeta Nanin, e paralizueme prej 3 vitesh tashma nga njëra pjesë e trupit që edhe në atë gjendje ekstreme të sajën, e përmbledhun, murmurin, pa lotë: po tash? Ishte ma e thukta frazë që përmblidhte pakuptueshmërinë e jetës së saj tash e mbrapa. Rrugëtimi juej bashkë, kishte kapë mbi gjysmë shekulli. Mbas nja nji viti nga ndarja jote kam vendosë arësyetimin mbi ngjarjen; prindërit ikin të parët, zakonisht e fatmirësisht. Mjerë kush provon të kundërtën! Për mu përbante herën e parë. Nuk isha e pajisun me kulturën e besimit për botën e përtejme. Kjo ma vështirësonte pranimin e faktit, aq ma shumë përpunimin e tij. Por më ka prevalu mendimi e bindja që tek e fundit jeta jote kishte qenë e mbushun plot me pasione, punë, bukuri, dashni familjeje. Kishe përmbyllë nji cikël në mënyrën ma intensive të mundshme. Këtu gjeta prehje. Edhe sot kur vij me ju vizitu në varreza, ty, Nanin, motrën Bardha, teze Zanën, tek motra 46 vjeçare nuk di me folë lirshëm. Nuk e kam pranu. Sa fat që ti e Nani nuk ishit ma në jetë kur Bardha ndërroi jetë. Tek ti flas qetë e me bindje, pavarësisht bindjeve të mija për botën tjetër, bindje që mbas humbjes të motrës kanë marrë forma të tjera… Ty të tregoj e të tregohem, në paqe. Edhe sot du me të tregu se nuk më doli parashikimi publik që në ditën e 100 vjetorit me ardhë te shtrati jot e me të puthë e me të thanë se e mbajte fjalën. Sot du me ta folë shpirtin tem, e publikut tandin. Të rroku krejt, jeta jeme! /Nga Diana KASTRATI/