“U ka pa sot Shkodra e u ka marrë mrapa. U ka pa, distinktivin e Zojës në parzëm, dritën e hirit shenjtnues në ballin e hapet, zjarmin e atdhedashtënisë në gji. Me hapa të përvuejt por të sigurtë u ndaltë te kambët e Rozafës, u pame tuj hi në Shejtnoren e Zojës, n’at monument shejt feje dhe kombësije”.
Kështu do të shprehej i lumi dom Ndre Zadeja në fjalimin e tij drejtuar një grupi besimtarësh me rastin e festës së Zojës. Shkelqësi të nderuara, që sot më emëroni si rektor i shenjtërores së Shqiptarëve, duke më vesh me një detyrë të lartë baritore, përgjegjësi shpirtërore për të shërbyer në këtë tempull që është i mbushur me ngjarje, i dendur me histori i pasur me fytyra.
Si bir i këtij konaku dhe njëri prej meshtarëve të kësaj dioqeze ndihem i pamjaftueshëm për t’iu qasë kësaj detyre misionare që kërkon vigjilencë shpirtërore, kurajo historike, dashuri shërbyese, urti doktrinore. Jam fort i vetëdijshëm, si në çdo rast, shërbimi ndaj nënës, sado i madh të jetë përkushtimi, ështe gjithëherë pak, për hiret që marrim nga kjo Nanë! Prandaj të nderuar Ipeshkvinjë, ju falenderoj, e duke ju falenderu ju, falenderoj vellezërit tuaj ipëshkvij për këtë besim dhe përgjëgjësi që më ngarkoni. Lutuni dhe me bekoni, që të mund te shërbej me përvujtëri e dedikim për këdo që rasti, nevoja apo thirrja do e sjellë në këtë shenjtërore.
Falenderoj vellëzërit meshtarë, prezentë në këtë kremtim por edhe ato që për arsye të ndryshme nuk i janë bashkuar këtij kremtimi. Kulti i Marisë, përshpirtëria dhe devocioni që gjallojnë në popullin tonë janë fal punës dhe përkushtimit të secilit meshtar, duke e kthyer këtë shenjtërore në oaz burimor dhe dritë për Shqypnin.
Falenderoj Dom Kledin për punën dhe përkushtimin e deritanishëm, i bindur që do ta kem krah edhe në vijimësi si vëlla dhe bashkëpunëtor.
Falendëroj bashkësinë e besimtarve të shënjtërores, miqtë që kanë ardhë nga dioqezat e ndryshme të Shqipërisë duke e kthyer realisht kishën e Zojës në Shenjtërore kombëtare.
Të dashtun të pranishëm, misioni im, kërkon lutjen, forcën dhe mbështetjen tuaj. Si atë ditë, rrëzë kryqit kur Jezusi ishte në agoninë e vdekjes, e i tha Gjonit, “Ja nana jote”, “e Marisë, “Ja biri yt”. Ju jeni familja ime dhe kjo është Nëna jonë.
Përgjatë shekujve tek këmbët e Marisë është ul në gjunjë çdo Shkodran e çdo shqiptar. Tek kjo kishë kanë ardhë nanat me u lut për fëmijët e vet, të sëmurët me kërku shëndetin, emigrantët me marrë bekimin për në shtigjet e anëve.
Sipas traditës gojore, para kësaj shenjtërore është lutur sa e sa herë, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastrioti i cili kishte marrë atë shkëndijë trimërie me mbrojt vendin dhe popullin e vet. Thuhet në relacionet e vjetra se kur kjo kishë u shkatërrua nga perandoria osmane, shkodranët dilnin përtej Bunës tek kisha e Shën Marisë Magdalenë (që varej nga Venediku) nga aty i drejtoheshin Nanës së Këshillit të Mirë për t’i mbrojt nga fatkeqësitë e shkaktuara nga Pushtuesi i kohës. Jehona e mrekullisë së Zojës, detyroi Papën e kohës, të formojë një komision të posaçshëm, i cili në bazë të studimit të kryer do të shprehej se “Figura e Zojës” është mrekullibërëse.
Kjo figurë e Zojës, historia e saj mrekullibërëse ka nxitur pasardhësin e Pjetrit, Papa Gjon Palin e II i shoqëruar nga Nanë Tereza të vizitojë Shqipërinë dhe të lutën të gjunjëzuar në këtë truall të shenjtë.
Shkodra e krejt Shqipëria e ruajnë kishën e Zojës si visar të çmueshëm, si strehë dhe ngushëllim i shpirtit. Edhe kur ky vend ishte vetëm një rrënojë, besimtarët si gur të çmueshëm e vishnin këtë kodër deri në kala për ti kërkuar Nanës mbrojte e bekim. Në kohë të mjerimit besimtarët i drejtoheshin me fjalët:
E kur mbi Shkodër xu m’u muzgun qielli,
e për të t’vështira m’u endun stinë e mote,
me ty shkodrani zemrën prap e kthielli,
kah gurt e lterit t’and me lot rigote.
Populli jonë e dinte dhe ishte i bindur se edhe në kohe te martirizimit sa të kenë Zojën këmbët dhe rruga e tij ishin të sigurta. Nga kjo përvojë ka dalë edhe shprehja, “ Me Zojën Shkodra e ka orën çuet”.
Sa herë është ndërtuar kjo shenjtërore ka gjallnu zemrat e besimtarve, sepse e kanë ndje veten të mbrojtun e të sigurt.
Pashko Vasa në një letër drejtu Ipeshkvit të Shkodrës me 27 tetor 1890 nga Beiruti do të shkruante: “Tani duke sjellë në mendje se në rininë time unë isha një besnik i zjarrtë i “Zojës së Këshillit të Mirë” dhe se shpesh ndieja dëshirën për ta parë të restauruar atë Shenjtore, në mënyrë që në formën e një Kapele modeste, t’i mundësohej katolikëve edhe atyre që e ndjenin nevojën, që në mënyrë të përshtatshme të kremtonin Meshë dhe të ushtronin nderimin e tyre nën strehë brenda.”.
Sot, pas shumë shekujsh dhune ndaj kësaj kishe kemi fatin të gjithë ta gëzojmë këtë tempull feje përshpirtnije e shprese. Mos të harrojmë, Provania hyjnore ka dasht që tempulli kushtuar Zojës të jetë mu në hymje të qytetit, gati- gati si me dasht me na thanë se kush hyn e del në këtë qytet duhet të kalojë nën mantelin e Nanës për të marrë bekimin e saj.
Kjoftë ngahera kjo shenjtërore, strehë shpirtnore për shtegtarin, besimtarin, për të gjithë shqiptarët. Kjoftë kjo histori, nxitëse për të ndërtuar historinë tonë personale dhe relacionale me Zojën. /Nga Dom Artur JAKU, publikuar në Facebook/