Vuajtja dhe dhimbja nuk kanë kuptim. Janë përvoja negative në jetën e një njeriu. Mendoj se kurrë arsyeja njerëzore nuk do të arrijë të gjejë një pse rreth vuajtjes, rreth të keqes që shkakton vuajtje, qoftë kjo kur shkaktohet nga njerëzit apo qoftë kur vjen nga rrethana të një sëmundjeje të rëndë e të papritur.
Sigurisht njeriu mundohet e kërkon një pse në mënyrë që të gjejë një kuptim, por edhe duhet të kuptojë se pjesa më e madhe e nyjeve do të mbeten të pazgjidhura e pa përgjigje.
Ka ama një mënyrë se si vuajtja dhe dhimbja jetohen: kur jemi bashkë. Kur ai/ajo që vuan nuk lihen vetëm e nuk braktisen. Një shoqëri njerëzore nuk është e tillë kur gjen ilaçet për eleminimin e vuajtes a dhimbjes, por kur nuk braktis ato që janë në këtë gjendje.
Shkenca që zbulon ilaçet është çështje e arsyes, ndërsa ajo që po them unë ka të bëjë me zemrën. Mund të gjesh ilaçet më të mira e mjekët më të mirë, por një dorë që të shoqëron kur ngrihesh nga shtrati, një përqafim kur je i/e lënduar, një ledhatim kur dergjesh i sëmurë, një vizitë në spital, një lugë gjellë e kuar me dashuri, janë mënyrat më të mira për t’i dhënë dritë territ që mbulon njeriun në çastin e vuajtjes.
Sot është e Diela e Larit dhe e Mundimeve të Krishtit. Gjuha e trupit të Jezusit është më e fortë se çdo gjë tjetër. “Kam etje” zbulon përmasën më njerëzore të Zotit-njeri. Në fakt këtë do të doja më shumë: t’i jepja një gotë uji atij në kryq e jo fjalë ngushëlluese. Shumë krishta në kryq sot kërkojnë pikërisht një dorë me një gotë uji në të, një përqafim, një gjest butësie, një buzëqeshje që të hedhë një rreze drite në kalvarin e ekzistencës së tyre. /Nga Dom Gjergj META, publikuar në Facebook/