Çdo shkrim, ligjërim a vepër letrare, pikturë, skulpturë apo muzikë e do të thoja çdolloj veprimi që ne bëjmë ka një destinatar. Ne shkruajmë që të na lexojë dikush; flasim që të na dëgjojë dikush; shkruajmë romane apo poezi, dramë, novelë për dikë që zakonisht gjendet brenda personazheve a figurave letrare që përdorim; pikturojmë për të tërhequr sodisjen e dikujt; gdhendim në dru, gur apo mermer format e dikujt tjetër. Kompozojmë apo luajmë një instrument që dikush të kthejë veshët e të mahnitet nga vallëzimi i notave tona.
Tjetri është destinatari ynë i gjithmonshëm. Ai na nxjerr nga izolimi e kthehet për ne në muzë, motiv, cantus firmus, model, fjalë shpërthyese. Së paku kështu është në origjinë. Ne nisim të bëjmë disa gjëra sepse duam të pëlqehemi nga dikush që gjendet jashtë nesh. Edhe kur ai/ajo gjenden brenda nesh, dyzimi është gjithmonë një qëndrim përballë atij modeli të gdhendur brenda nesh. Kështu fjala bie e mendoj “Letër babait” të Kafkës apo “Apologjinë e Sokratit” të Platonit. Kushedi që Dante nuk e shkroi gjithë atë Komedi për Beatricen? Babai, mësuesi, e bukura e dashuruar, që edhe kur nuk janë më, por jetojnë brenda nesh, janë thjesht tjetri, banor i brendisë tonë.
Ne duam të konsiderohemi. Duam që dikush të jetë aty për ne. Mosprania nuk e asgjeson tjetrin, përkundrazi e zmadhon në shpërpjestim e atëherë ne e thërrasim, duke shkruar, kompozuar, thurur, gdhendur apo pikturuar. Janë të gjitha klithje të një nevoje për tjetrin. Është nevoja jonë obsesionuese e do të thoja më e natyrshmja nevojë, sepse na çon në origjinën e vetë jetës që është marrëdhënia.
E ndërsa shkruaj më ngatërrohen destinatarët ose shikoj si në mjegull diçka si silueta që herë afrohen e herë largohen. Një herë që shkruhen, fjalët nisin udhën e tyre dhe e gjejnë vetiu destinatarin e siluetat marrin një fytyrë, një emër duke u kthyer në përqafim, sepse destinin final të jetës e shoh si një përqafim të madh. Ashtu qoftë! /Nga Dom Gjergj META/