Gjatë këtyre viteve të fundit, kam vënë re një lloj “agresiviteti” të autorëve, që në ditët e Panairit t’i tërheqin lexuesit-blerës sa më fort drejt librave të tyre, të cilët mbajnë ende erën e tipografisë. Kësisoj Panairi është bërë një “Panair autorësh” më shumë se sa një “Panair Libri”. Libri është flijuar e vazhdon të flijohet mbi altarin e unit autorial…
I kuptoj disi autorët e rinj, që janë akoma në ethet e publikimeve të para dhe si fëmijët e vegjël bërtasin kthinave të shtëpisë që të tërheqin vëmendjen, por është pak e vështirë të kuptosh autorë që tashmë kanë një karrierë krijimtarie mbi supe.
Me të dalë prej duarve të autorit, çdo libër ka fatin e vet dhe rrugëtimin e vet. Ka një jetë të vetën, të pavarur prej asaj të krijuesit të tij. Do ta promovojnë vetë lexuesit duke folur për të me miqtë e tyre, duke shkruar përshtypjet e tyre për të nëpër profilet e tyre në rrjetet sociale, duke bërë reçensa, duke shkruar kumtesa, etj. Sado reklamë të mirë t’i bësh librit, ai është i vetmi prodhim që nuk varet aspak prej saj.
Ky lloj fiksimi deri në mani i reklamimit të librit (lexo i autorit), në fakt fsheh gjëmën e madhe ekzistenciale në të cilën ka rënë kultura aktuale në përgjithësi: kultura (pra edhe libri) si konsum. Kërkohet medoemos që nëpërmjet “promovimit” komercial, edhe libri të hyjë në produktet e konsumit. Kjo është vdekje e librit, vdekje e kulturës.
Do të ishte bukur që takimet rreth librave në Panair, të bëheshin rreth atyre që janë botuar në vitet e kaluara. Një libër nuk peshohet me shitjet e tij, por me lexuesit e tij. Me ata që ndoshta e marrin hua në Bibliotekat publike se nuk munden ta blejnë, por e lexojnë edhe tri e katër herë. Matja e tij me anë të shitjeve e barabit librin me një smartphone, me një çantë a me një rrobë firmato.
Nuk promovon autori librin, por libri autorin. Vetëm kështu autori dhe libri bëhen klasikë dhe kjo do kohën e vet. Është lexuesi ai që e bën klasik një autor apo një libër dhe jo konsumimi i tij komercial.
Dhe një shënim anash fletës. Kur do t’i krijojë kultura jonë e librit përkthyesit nga gjuhët klasike? Ndoshta ka ardhur koha që të ripërkthehen disa vepra nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër. / Nga Dom Gjergj META, publikuar në Facebook/