Sahatët publikë të ndërtuar në Shkoder përgjate shekujve 18- të e 19- të kishin kryesisht lehtësimin e njerëzve në matjen e kohes ditore, objekti ku këto vendoseshin shoqërohej me nje stil të dukshëm europian. Objektet e para me sahat ishin kompanjelët e kishave. Kompanjeli në të cilin do vendosej sahati nuk ishte thjeshtë një objekt për vendosjen e kambanave si në shumë kompanjelë, por qysh në projekt konceptohej si një vepër arti. Më të veçantat kanë qenë kompanjeli i kishës së Madhe, kishës së Fretënve dhe kishës së Shënkollit.
Në vitin 1967, me ndalimin e ushtrimit të fesë, filloi një luftë edhe ndaj objekteve të kultit, kryesisht ndaj kompanjelëve duke çmontuar edhe sahatët e ndodhur në to. Kështu që në atë kohë thuhej se sahatin e Kishës së Madhe e vendosën në kullën e sahatit në kalanë e Gjirokastrës. Përpos këtyre Shkodra ka pas edhe një sahat tjetër të veçantë në të ashtuquajturen Kulla e Inglizit, bile edhe sahati ka pasë të njejtin emër, sahati i Inglizit. Së bashku me luftën ndaj kompanjelëve me sahatët e tyre, në atë kohë u çmontua edhe sahati nga Kulla e Inglizit për tu vendos diku në ndonjë magazinë.
Sahati i Inglizit, sipas historianëve, është vendos aty së bashku me ndërtimin e kullës përkatëse nga një lord anglez në fundin e shekullit të 19- të, histori tjetër.
Kështu që pas vitit 1967 Shkodra mbeti krejt pa sahatët e sajë, e ndërsa kompanjelët e kishave u shkatërruan krejtësisht, Kulla e Sahatit të Inglizit u ruajt, e cila ekziston akoma sot.
Duke kaluar vitet edhe nevoja për sahatët publikë kishte rënë pasi niveli i njerëzve rritej dhe tashmë nuk ishte shumë i nevojshëm sahati publik. Por gjithsesi fama e sahatëve të Shkodrës nuk mbaronte, mbaheshin në gojë duke treguar edhe humore e bejta, ku më e famshmja ka qenë kjo:
Kundraxhija majë bizit
Karshi pusit t’ Sali Agës
Ç’ po punon sahati Inglizit
Si mullini i Hajdar Agës
Diku në vitin 1981 në mos gaboj, nga ndonjë drejtues vendor i kohës, duke pas dashni për Shkodrën por nivel të ulët kulturor dhe estetik, vendos mbi një pallat publik gjashtëkatësh, një shëmtirë të pashoqe arkitekturore, të montojë sahatin e Inglizit. Askuj nuk i vintë në ndihmë, askush nuk ja hidhte sytë, e vetmja gjë pozitive ishte për banorët e pallatit se identifikoheshin me ” te sahati ” E sot entuziazmi për rivendosjen në të njëjtin vend të sahatit, mbi pallat- shëmtinë më duket sa fëminor aq edhe qesharak.
E para e punës, askush nuk ka nevoje për të gjetë sa është ora, mundësitë e pajisjeve elektronike janë aq të mëdha sa çdokush nga mosha 10 vjeç deri në 90 vjeç ka me vehte dy apo tre paisje elektronike që tregojnë orën.
Kjo nuk do të thotë që Shkodra nuk e do një sahat simbol. E do një kullë sahati dinjitoze, multifuksionale në mes të qytetit. Me modesti mund të jap mendimin tim, krejt në qendër, ku dikur kanë qenë të vendosur Herojt e Vigut, sot e rrethuar si pronë e xhamisë, por duke e ditë që ai cep ka qenë gjithmonë zonë publike.
Shkodra sot ka struktura drejtuese vendore që mundohen të bëjnë punë, por kurrsesi nuk duhet ti ngjajnë atij kuadrit të vitit 1981 që përshkrova më lart. Shpresoj që ky shkrim të lexohet nga ndonjë arkitekt, nëse ka mbet kush në Shkodër. /Nga Edip SHIROKA, publikuar në Facebook/