“Shkrim e Këndim”, pra fjalë dhe këngë, tekst dhe muzikë, arsyetim dhe ndjenjë, përmbajtje dhe formë, ekziston vetëm në Shqip, në asnjë gjuhë tjetër.
Gjuhët e tjera kanë Shkrim e Lexim.
E vetmja gjuhë në botë që “shkruhet” dhe “nuk lexohet” por “këndohet”, është Gjuha Shqipe. Gjuhët e tjera thjesht “shkruhen” dhe “lexohen”.
Këtë cilësi të rrallë e të lartë me të cilën mund të mburret sa të dojë, Shqipja nuk e ka për të gjithë. E ka vetëm për pakicën e lumtur që di “Shkrim e Këndim” Shqip, pra për ata që kanë aftësinë t’ja dëgjojnë shkrimit muzikën, t’ja ndjejnë tekstit këngën.
Të dish “Shkrim e Këndim” është zotësi, fat, talent.
Të dish “Shkrim e Këndim” nuk mund të jesh i palumtur, i pafat, i pashëndetshëm.
Nëse di “Shkrim e Këndim”, di gjithçka, ke gjithçka, bën gjithçka, asgjë nuk është e paarritëshmr, asgjë nuk është e pamundur.
Të dish vetëm shkrim ose vetëm këndim, është e vështirë, e rrallë, e mangët, e çalë.
Të dish ti bësh të dyja, të shkruash dhe të këndosh, ke kapur qiellin.
S’ka rëndësi kush shkruan e kush këndon, çfarë shkruan e çfarë këndon.
Rëndësi ka që çka shkruhet të ketë brenda muzikë, të jetë e këndueshme, të këndohet, jo domosdoshmërisht me zë.
Diçka që shkruhet por nuk këndohet, në Shqip nuk vlen, as nuk ekziston. Për një arësye që autorët mediokër nuk mund ta kuptojnë dot kurrë; Sepse teksti Shqip që nuk këndon, nuk udhëton.
Shkrimi Shqip që nuk udhëton, pra shkrimi Shqip që nuk këndon, mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shkrim Shqip. Është pellg shurre që për shkak të paaftësisë rekreative të prostatës autoriale, mbetet aty ku derdhet.
Këndim pa shkrim ka.
Këmborët dhe zilet e bagëtive, zogu në degë, dallga që rreh bregun, përroi që rrjedh tatëpjetë etj. janë këndim pa shkrim.
Këndim pa shkrim janë edhe legjendat, epet, që përcillen nga brezi në brez duke u lëmuar pa u shkruajtur. Ky këndim pa shkrim, që duhet dalluar nga këndimi pa shkrim i zilkave dhe këmborëve, sado sugjestiv, dhe sado që ka rezistur ndër shekuj, nuk mahnit më, është shterrur, e ka mposhtur tirania e kohës.
Ajo që edhe shkruhet edhe këndohet pra është vetëm 1, Gjuha Shqipe.
Mëso “Shkrim e Këndim” dhe vdis.
Shkrim e Këndim nuk ka në gjuhë të tjera veç Shqipes por megjithatë:
Shkruan rrufeja, këndon bubullima.
Shkruan shiu, këndon era.
Shkruan dimri, këndon pranvera.
Shkruan proza, këndon poezia.
Shkruan filani, këndon fisteku.
Shkruan i patalentuari, këndon askushi.
Shkruan Lasgushi, këndon njerëzia.
Bota lexon. Shqiptari këndon.
Bota kanë “Libra Leximi”. Shqiptarët kanë “Libra Këndimi”.
Si quhet Rilindasi që këtë mrekulli e shpiku ?
Ku e ka varrin t’ja bëjmë prej floriri ? /Nga Edison YPI, publikuar në Facebook/