Pordha nuk duhet pjerdhur. Pordha duhet shitur. Atje ku pordha çmohet, nderohet, paguhet. Në mes të katundit. Ku nëse shpërthen pordhën e duhur, me mënyrën e duhur, aromën e duhur, thonë për ty fjalët më të mira, të ftojnë për kafe, dreka, darka, qoka.
Katundi ynë nuk është fshat, qytezë, qytet, apo metropol. Katundi ynë është Pordhopol. Ne banorët e Pordhopolit me më tepër pordhë se gurë e drurë, jemi pordhëtarë.
I vetmi mjet që ne pordhëtarët e pordhopolit kemi për të çarë dallgët e jetës është pordha.
Ne pordhanjosët e Pordhopolit nder e lavdi nuk kemi punën, por pordhën.
Në Pordhopolin tonë po i the tjetrit “punë të mbarë” e bën hasëm. Ama po i the “pordhë të mbarë” e bën mik për kokë.
Ne pordhopolasit mes pordhësh gdhihemi, ngrysemi, lindim, vdesim.
S’kemi muhabet tjetër ne pordhacakët veçse pordha jote, pordha ime, pordha e këtij, pordha e atij, pordhë kot, pordhë plot, pordhë për pordhë, pordhë për hall, pordhë për sebep, pordhë dhe vetëm pordhë.
E gjithënjohura “pordhë me rigon”, për shembull, këtu në Pordhopol nuk është e vetmja pordhë e sofistikuar. Ne pordhacakët pordhopolitanë pordhën e gatuajmë jo vetëm me rigon, por edhe me mish, me presh, me spinaq, me qepë, me hudhra. Ne me pordhë bëjmë edhe ëmbëlsira, kadaif, revani, bakllava, madje bëjmë edhe tavë me pordhë të mbushura.
Pordhët në Pordhopolin tonë variojnë nga pordhët e heshtura, pordhët bombë, pordhët artistike, pordhët sizmike që tundin dheun, pordhët karizmatike përmes të cilave intelektualët tanë mahnitin miletin, deri tek pordhët e larta, pordhët historike, pordhët patriotike, pordhët akademike, pordhët filozofike.
Pordhët tona nuk janë të njëllojta. Secili pordhën e vet. Pordha pordhës nuk i ngjan. Ka pordhë e pordhë. Ka pordhë të shtëna në momentin e duhur nga njeriu i duhur në mënyrën e duhur për të bërë efektin e duhur, parfumi i të cilave nuhatet nga larg, po ashtu si ka edhe pordhë pa asnjë parfum dalë nga fundshpinat ngordhalaqe të pordhëtarëve hyzmeqarë.
Nuk është e kollajtë të jesh pordhëtar.
Cilësimi “Pordhëtar” është titull nderi që nuk e mban kushdo por vetëm ata që e meritojnë.
Kemi në Pordhopolin tonë pordhologë të famshëm me tituj shkencorë në fushën e shkencës së pordhologjisë që pordhën e njohin me rrënjë dhe përhapin këshillat e duhura si të bësh karrierë ose biznes duke shitur pordhë.
Kemi analistë dhe opinionistë të regjur pordhësh të cilët njohuritë e tyre pordhologjike i pjerdhin rregullisht karshi shpërblimeve të majme nëpër gazeta pordhacake, revista pordhanjose, televizione pordhëtare.
Kemi edhe komisione të posaçme për promuovimin e pordhëve, pordhëtarëve, pordhologëve, pordhologjisë dhe nëndegëve të saj, përmes dhënies së çmimeve dhe dekoratave si; “Pordha e Nderit”, “Pordha e Moralit”, “Pordha e Kombit”, “Pordha e Atdheut”, “Pordha e Popullit”, “Pordha Patriotike”, “Pordha Diasporike”, etj.
Për dhënien e titujve kemi ngritur juri me ekspertë të shquar në fushën e pordhologjisë dhe nëndegëve të saj, pordhosociologjisë, pordhoterapisë, pordhopsikiatrisë, pordhografisë, që seleksionojnë dhe vlerësojnë me kujdesin më të madh pordhët e të gjitha llojeve dhe nënllojeve; Pordhë nga para, pordhë nga pas, pordhë nga brënda, pordhë nga jashtë, pordhë nga lartë, pordhë nga poshtë, pordhë frontale, pordhë anësore, pordhë tërthore, pordhë diagonale, pordhë vertikale, pordhë zigzage, pordhë spirale, pordhë rrethore, pordhë trekëndore, pordhë kuadratike, pordhë kubike, pordhë piramidale, pordhë shumë dimensionale, pordhë multifunksionale, pordhë primitive, pordhë integrale, pordhë e ngrohtë, pordhë e ftohtë, pordhë firmato, pordhë e piratuar, mono pordhë, multi pordhë, pordhë lokale, pordhë ndërkombëtare, pordhë totale, pordhë stratosferike, pordhë astronomike, minipordhë, maksi pordhë, stërpordhë, super pordhë, mega pordhë, giga pordhë, pordhë direkte, pordhë e nënkuptuar, pordhë e formatuar, pordhë e zip-uar, pordhë e enkryptuar etj.
Jeta në Pordhopolin tonë është e tëra një kampionat pordhe ku garojnë parreshtur pordhanjosët më të talentuar që secili sipas takatit hedhin pordhë nga më të ndryshmet; Pordhë të vogël, pordhë të madhe, pordhë kolosale, pordhë batare, pordhë me të shtëna një nga një, pordhë nazelie, pordhë lozonjare, pordhë tradhëtare, pordhë qesharake, pordhë serioze, pordhë që zgjat, pordhë që bëhet për një çast, pordhë me pasoja imediate, pordhë me sahat që plas pas një kohe, pordhë që e bën kur do vetë, pordhë që të shpëton, pordhë e folur, pordhë e shkruar, pordhë e pjerdhur, pordhë e vjellë, pordhë e pshurrur, pordhë e printuar, pordhë elektronike, etj. etj. nuk po t’i rendis të gjitha se duke folur më merren ment, mund të më vijë për të pjerdhur, dhe pordhën s’dua ta humbas por ta shes.
Mos kujto se po ja fus pordhës. S’lë pordhë të më shkoj dëm. Kam ngritur dy vila dhe blerë tre makina me pare pordhe.
S’çahet jeta pa pordhë. S’kemi mënyrë tjetër për të fituar ndonjë kacidhe ne pordhopolitanët pordhologë veçse duke shitur pordhë.
Pordhën, e cila, siç ka dalë nga studimet më të fundit, është më unikale edhe se shenjat e gishtave, ne pordhanjosët e pordhopolit e përdorim si mjet identifikimi, pasaportë, kartë identiteti.
Ne nuk e pyesim tjetrin për emrin, mbiemrin, moshën, grupin e gjakut. Ne i biem shkurt. I themi të pjerdhi. Prej aromës, krismës, kohëzgjatjes, dhe disa cilësive të tjera të pordhës që i dimë vetëm ne pordhëtarët, mësojmë për fatin e tashëm dhe të ardhshëm të pordhacakëve të pjerdhur më tepër se çdo sferë e kristaltë, magjistar, psikanalist, apo llum kafeje.
Për ta njohur një njeri, s‘është i rëndësishëm emri që ai mban por pordha që ai bën. Më thuaj çfarë pordhe bën, të të them se cili je, themi ne pordhopolitanët.
Për pordhën dhe efektet e saj çudibërëse mbi shëndetin e popullit dhe të Kombit, ne bëjmë mbledhje, mbajmë kongrese, sympoziume, organizojmë panaire, shkruajmë libra, kompozojmë muzikë, vemë në skenë pjesë teatrale, bëjmë filma, dhe shumë e shumë gjëra të tjera që s’i rrok mendja e budallenjve dhe mjeranëve që s’kanë asnjë haber nga pordhët. /Nga Edison YPI, publikuar në Facebook/