Udhëtimet të bëhen vetëm me tren me qymur me lokomotivë të zezë që bën çuf-çuf duke kaluar nëpër fusha, pyje, fshatra rrëzë kodrave. Treni të ndalojë në çdo stacion. Pamja e stacionit kur treni ka ikur është një boshllëk estetik marramendës.
Më të shijshmit e stacioneve janë ata ku në tren as hypën as zbret kush, ata ku treni kur ndal qan, kur niset vajton. Të vetmet përshëndetje lamtumire që lejohen në stacionet e trenave janë ato me psherëtima, shami qurrash që valavitet, lot.
Selfiet të dënohen me rjepje lëkure, varje në litar, ose pushkatim në vend pa gjyq. I njëjti dënim për guakët që dalin në foto të lumtur para pjatave të sapongrëna.
Romanet të shkruhen me penë e bojë dhe të lexohen ulur në karrike pranë dritares me vështrimin larg në horizont dhe një gotë verë në pravaz. Nuk është roman i mirë kur ajo i thot atij “Të dua shumë”, por kur ai i thot asaj “Të dua më tepër se Leonardo Monalizën”.
Kush kapet duke e pritur të dashurën me kufje në vesh ose duke shkruar mesazhe në celular, të dënohet 7 vjet burg pa të drejtë apelimi. Autorët që kërkojnë “forma të reja” të shkruari të shkohen në hell të gjallë.
Të mos lejohet të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në kinema rradha kaq, karrigia aq. Kush kapet duke parë film në kompjuter, të shpallet budalla dhe të dërgohet urgjent në çmendinë.
Përveç avullit, korentit, barutit, synetllëkut, mbathjeve të mëndafshta të femrave, kush tenton të shpiki kollajllëqe që ngathtësojnë trupin dhe mpijnë trurin, si për shembull kolltuqe të rehatëshme, dyshekë të butë, jorganë të ngrohtë, të dënohet ta kalojë pjesën e mbetur të jetës prapa maleve.
Makina të ndizet me manovelë. Ndenjëset të jenë të ngurta. Xhamat të ulen e të ngrihen me një rrip. Motori të bëjë zhurmë sikur thyen arra. Makina të nxjerri pak tym nga pas.
Lavatriçja mund të vazhdojë të ekzistojë, por e thjeshtë, pa ndërlikime elektronike. Frigoriferi, ky dimër i panevojshëm, ky djall me brirë që na sëmur gurrmazët, të lejohet të përdoret vetëm si mjet eutanasik për ata që kanë kuriozitet të papërmbajtur për të parë çfarë ndodh përtej murit në jetën tjetër.
Sharqinjtë dhe shishet e kosit të freskohen duke i zbritur me litar në ujin e një pusi që ndodhet enkas në oborr. Ndalohet përdorimi i ashensorit si shpikje djallëzore që favorizon ngathtësinë dhe dhjamosjen.
Kondicioneri i ajrit të cilësohet “Armik i Shëndetit të Popullit”. Asgjësimi i kondicionerëve me çdo mjet dhe çdo mënyrë të shpallet detyrë patriotike.
Kush shkatërron sa më tepër kondicionerë të shpallet “Mjek Autodidakt”.
Kush ha, qoftë edhe pa dijeninë e vet, ushqime të modifikuara genetikisht, dënohet me pangrënie dhe papirje për 60 ditë.
Pse bëhet lufta, s’ka pse ta dijë ushtari, e di gjenerali. Ushtari të lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës. Nëse të dashur nuk ka, mund të mbajë fotografinë e nënës shoqëruar me vargjet lakrimogjene të Eseninit.
Ushtarit të plagosur të mos i lejohet të qurravitet pas çdo zuske, por vetëm të dashurojë në mënyrë platonike infermieren që i lidh plagët. Për habere të ngutëshme të dërgohen dhe merren vetëm telegrame. Për komunikime të gjata, të përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf që laget me gjuhë, ngjitet me tutkall, adresë, pullë, kuti postare, heshtje, pritje, ankth, derisa ta sjelli një postier me biçikletë dhe uniformë.
Mallkuar qoftë dita kur do shpiken Interneti dhe celulari. Bekuar qoftë dita kur do harrohen. Televizori të mos përdoret për filma por vetëm për habere. Filmi të shihet në kinema rradha kaq karrikja aq. Femër e bukur të quhet vetëm ajo që plotson kushtin e Gina Lollobrigita-s:
“Femër e bukur nuk është ajo që bëhet aq më joshëse sa më tepër çvishet, por ajo që bëhet aq më e dashur sa më tepër vishet”.
Problemet mes individëve, sidomos ato me përmbajtje sentimentale, nuk zgjidhen me llogje Kavaje por me Duel me shpata ose kobure. Televizioni që ka më tepër personazhe të urryer dhe të famshëm sesa të dashur dhe jo fort të njohur, të hidhet në plehra pasi është pështyrë me ceremoni.
Natën porta mbyllet me një lloz të ndryshkur që lëviz kërcet me një gërrvimë misterioze dhe makabre si në poezitë e Edgar Allan Poe. Të dënohet me jo më pak se dhjetë vite në burg cilindo që edhe nuk jeton si qëmoti edhe ankohet se i ulurin koka sikur po i këndojnë 200 zhaba, i rrjedhin qurrat, e zë gripi, mezi i del kaka, i ther mesi, i bën naze rrushi. /Nga Edison YPI, publikuar në Facebook/