Ti që ikën me idenë dinake dhe idiote se kur të kthehesh Shqipërinë do ta gjesh të ndrequr nga ata që nuk ikin, je një i papërgjegjshëm i pashërueshëm, një skarcitet biologjik, një lapsus i Natyrës.
Ti që ikën, dhe nga pasiguria se çfarë do bësh atje ku do shkosh, ikjen e lidh me dërrdëllitje jopokjo qeveri jopoajo qeveri, je një ndyrësirë, një pisllëk i paevitueshëm, një ekskrement shoqëror.
Shqipëria ka vende të bukura me të ik menia: Relieve danteske, dushknaja shekspiriane ku natën dalin magjistricat, katunde me ndërlikime dostojevskiane, zabele si ai ku bëri duel Pushkini, që kur i sheh të mbushen sytë me lotë. Kot lodhem. Ti që ikën, nga Bukuria e lotëve dhe lotët e Bukurisë s’ke asnjë ide.
Shqipëria është plot me shenjtëri manastiresh, magji’ kishash, legjenda shenjtorësh, shpella heremitësh. Ti që ikën dhe s’ke frikë se mallkimi i tyre do të ndjeki në fund të Botës, s’je njeri, je shtazë.
Në katundet shqiptare ka njerëz të urtë që kanë zgjedhur të bëjnë jetët e tyre modeste në qetësi. Mbjellin, korrin, mbarsin gratë, rritin çiliminjtë, falen në Kishë ose në Xhami. Ti që ikën dhe jetën e përkorë të shqiptarëve shembullorë e përbuz, nuk je njeri, je derr.
Nëpër krahinat tona jetojnë dijetarë të veçuar që të mahnisin duke ta rrëfyer Historinë fijepërpe. Jo si e tregojnë soc-historianët burokratë rrogëtarë, por si ka ardhur gojë më gojë nga lashtësia. Ti që ikën me të drejtë nuk beson se në Shqipëri ka dijetarë të heshtur. Sepse nuk je shqiptar, je majmun.
Shqipëria ka peisazhe të magjishme që ja kanë ndezur shpirtin dhe zemrën: Naimit, Nolit, Fishtës, Lasgushit, Kadaresë. Ti që ikën, atje ku vete, dridhesh e strukesh 24 orë me makthin e mbijetesës. Dhe nuk e di, e as kurrë nuk do ta dish, ku bie shpirti dhe ndezja, aq më pak cilët janë Ata që për Shqipërinë digjen e shkrihen si qiriri.
Ti që ikën ke dëgjuar, për shembull, për piramidën e Keopsit që ka këto e ato të fshehta gjeometrike, matematike, inxhinierike, astronomike, që lidhen me pozicionet ndaj Diellit, hënës, yjve, yllësive. Ti që ikën, ikën, mes tjerash, edhe sepse nuk e di se Kishën e katundit tënd, apo Manastirin diku aty rrotull, nuk e kanë bërë budallenjtë si ty që ikin, por inxhinierë, matematicienë, astronomë, piktorë, nga më të mëdhenjtë e botës përmes kalkulimesh mahnitëse astronomike, trigonometrike, gjeologjike, edhe më të sofistikuara se piramidat e Egjiptit.
Ka ca lugina e ca pllaja nëpër Shqipëri, ku aromën e mollëve, dardhave, kumbullave, rrushit, qershive, fiqve, manaferrave, i nakatos era dhe bën parfumin më marramendës që se bën dot asnjë laborator, asnjë industri. Ti rrënjëshkuluri i pandjeshëm me shqisa të mangëta që ikën, nuk ke asnjë haber mbi atë parfum, ku ndodhen ato lugina e ato pllaja.
Të huajt që vinë këtu prejnga ti ikën, shkallojnë nga trutë e kokës për ushqimet tona bio. Ti që ikën, s’bën asnjë dallim bio e stërbio. Ti që ikën do vetëm të ngopesh me produkte sa më të lira, me mish si kashtë, kos ai llastik, fruta të denatyruara.
Ti që ikën edhe pa pasur asnjë difekt karakterial apo ndonjë problem tjetër, vetëm pse ikën, atje ku do shkosh do jesh një qytetar i dorës së dytë e të tretë, një puthador, një qyqar, një hyzmeqar, një ziliqar, prej të cilit askush nuk do presi gjë tjetër veç larjes së pjatave dhe pastrimit të haleve.
Ti që ikën, meqënëse e konstaton shpejt sa e vështirë është të zësh rrënjë dikund tjetër, nga inati, atje ku shkon, bën gjënë më të ligë mbi dhe’, shan Shqipërinë. Kësisoj je më i zi se serbi, më dinak se greku, më halldup se turku.
Ti që ikën dhe atje ku vete, me kokën këndej nga u nise, llap për politikë me gjuhën e Zërit të Popullit, je një qen bir qeni që duhet me ta zhyt kokën te kazani i valuar ku lan pjatat e zbrazura nga ata që të shohin dhe të shfrytëzojnë si qënie e ulët, si bastard.
Ti që ikën sot, mos kij asnjë dyshim se në Diktaturë nuk do ishe kurgjë tjetër veçse një spiun që do spiunoje ata që donin të iknin.
Ti që ikën, thua me vete: Iku Naimi, iku Noli, iku Kadarea, pse të mos iki dhe unë.
Po e the këtë, nuk ke ikur nga Puka, Mokra, Mirdita, Mallakastra, Përmeti, Shkodra, Myzeqeja etj. Ke ikur nga ment’ e kokës. /Nga Edison YPI, publikuar në Facebook/