Unë jam një tifoz i zjarrtë i Armando Brojës, që kur luante me Vitesen në Hollandë. Si unë mund të jenë me mijëra shqiptarë të tjerë. Sipas specialistëve për herë të parë Shqipëria ka një sulmues të këtij kalibri. Fat i mirë për ne. Ndaj dhe përkrahja ndaj këtij djali, interesimi për të, pritshmëria janë si asnjëherë më parë.
Rezultatet fantastike të kombëtares, puna po aq e mrekullueshme e Silvinjos, gëzimi mbarëshqiptar për kualifikimin (jo matematikisht, por të padiskutueshëm) në Evropianin gjerman, lanë në hije ardhjen, dukjen dhe zhdukjen “pa nam e nishan” të Brojës. Shtuar këtu, ngërçin e Silvinjos pasi u pyet, justifikimin me dëmtimin, dhe nga ana tjetër lajmi nga Londra se Broja është i gatshëm për përballjen me Arsenalin, shtojnë hamendësimet.
Pikërisht këto të fundit, përforcuar nga lajme pa baza, që i kanë aq qejf në portalet shqiptare, ku komentet dashakaqe dhe të liga ndaj djaloshit po vërshojnë pa hesap, duan sqarim. Çfarë ndodhi ato dy ditë? Tifozët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën. Edhe shpirtzinjve që mezi presin të kafshojnë në rrjete ndonjë emër të njohur, u duhet mbyllur goja. Heshtja nuk mbulon gjë, as sjell harresë, më shumë mund të mahisë plagën, duke lënë të lira, aludimet, hipotezat, keqdashjet.
Për atë çka përfaqëson Broja për të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares sonë, duhet thënë e vërteta. Mbi të gjitha duhet thënë për tifozët e tij dhe kombëtares. Tifozët, lojtari i 12 siç u thonë, meritojnë të dinë, atë që dinë 11 lojtarët e tjerë. Prandaj dikush duhet të flasë. S’ka rëndësi, traineri, FSHF, apo vetë djaloshi. Dhe sidoqoftë e vërteta, ka plot kohë për reflektim. /Nga Edmond ARIZAJ, publikuar në Facebook/