Kemi harruar se shqiptarët janë edhe mirënjohës, edhe me shpirt, edhe empatikë, edhe dashamirës, edhe xhurmetë (jo dorështrënguar)…
I kemi harruar këto, madje më keq, na duket se jemi komplet të kundërt, sepse veshët dhe sytë tanë i zënë përditë lumenj fjalësh për kriminelë, orë të stërgjatura debati për korrupsion e vrasje, yje ekrani që bamirësinë e kthejnë në biznes, kukulla plastike që përpushin mendjet e vajzave të reja, vrasje, plagosje, aksidente… (lajmi keq-lajm i mirë; por lajmi i mirë mund të jetë shumë më i mirë).
Brenda pak orësh nga thirrja e bashkëshortes, solidariteti shqiptar bëri të mundur mbledhjen e shumës për operacionin e aktorit Genc Fuga (shërim të shpejtë). Nuk pati dhurime snobiste. Dhe kjo tregon akoma më shumë se jo gjithçka ka vdekur brenda nesh. Se duam ende t’ia dimë për tjetrin, për hallin e tij, edhe pse nuk është “star”.
Ndoshta do duhet të ketë një ndryshim të lehtë në qasjen mediatike e më tej. Diku, diku, si një njollë, le të shfaqen edhe vlerat që tregojmë. Nuk është hera e parë që ndodh sigurisht, por nuk ka ende një herë të parë që të reflektojmë pak më shumë se një status. /Nga gazetari Edmond ARIZAJ, publikuar në Facebook/