Ne vetëm mund të imagjinojmë çfarë haluçinacionesh kishte Hitleri, muajt, javët a ditët e fundit, kur dara ruso-anglo-amerikane i shtrëngohej përreth Berlinit. “Të kishte një armë që t’i zhdukte gjithë armiqtë”. V1 dhe V2 nuk ishin në atë stad…Ende.
Le të vimë 77 vjet më këtej. E gjithë Bota ka vetëm një frikë, reale: Armët atomike në dispozicion të Vladimir Putin. Çfarë e pengon atë? Shumë analistë ndërkombëtarë sugjerojnë dhe kapen fort pas të famshmes “nuk do të ketë një fitues”.
Sigurisht. Por nuk do të ketë as një humbës… A mund të pranojë të jetë humbës njeriu më i fuqishëm i Rusisë? Cari modern. Putin nuk është në pozicionin final të Hitlerit, sepse Lavrov nuk e ka braktisur, ende. Por ama ai mund të jetë po aq i sëmurë sa Hitleri. Po aq me pushtet dhe njëkohësisht pa pushtet si Hitleri. Po aq paranojak sa Hitleri. Po aq haluçinant sa Hitleri. Po aq i paduruar për një perandori sa Hitleri. Po aq i frustuar për historinë sa Hitleri. Po aq i mërzitur me të tjerët sa Hitleri…
Këto, herë bashkë, herë veç e veç, i ka bërë të qarta, jo vetëm njëherë. Ajo çka filloi vetë në Ukrainë dhe çpo ndodh në Rusi, as i hyjnë në sy. As të vdekurit, as të djegurit, as e ardhmja e errët e vetë rusëve. Pyetja, e frikshme, në fakt duhet të ishte: Mos vallë Putin e ka ndarë mendjen? Hitleri merrte vendime krejt të kundërta nga ajo që thoshte logjika.
Çfarë ka të logjikshme tek Putin në këto gjashtë ditë? Ai vazhdon planet krejt i pashqetësuar e pa asnjë reflektim nga ç’po ndodh përballë tij. Po projekton legjendën ruse, po vetkënaqet me fuqinë dhe frikën që mund të shpërndajë, apo siç thashë pak më lartë e ka ndarë mendjen? Sepse siç duket në dritë të fakteve, Putin nuk do ta ketë kurrë Ukrainën.
Mund të mos ketë as Bjellorusinë. Nuk do ta përçajë më kurrë perëndimin. Nuk do të jetë më Car dhe as të jetë influent. Nuk do të gjejë më përkrahës të flaktë, përveç atyre që e kanë lidhur fatin e tyre me të tijin. Nuk do të ulet më në organizma ndërkombëtarë e as të jetë vendimtar…Por Putin, ashtu si Hitleri, ndoshta nuk do të pranojë të dalë nga historia si Gadafi, apo si Sadami.
Ky është rreziku. Por në ndryshim, Putin ka në dorë për të bërë dëm, shumë dëm. E nuk ka ngjashmëri fare me Kubën e viteve ‘60, sepse sot bëhet fjalë jo për zona influence, por për T&T, turp dhe tërbim, aty ku diktatorët nuk durojnë dot. Dhe ai merr çdo gjë personale, njësoj si historia tregon për Hitlerin. Është e frikshme ta mendosh. Një e panjohur e errët, për Botën. Ndaj Putin duhet ndalur. Me çdo formë. Nga kushdo. Rusët mbi të gjithë. /Nga Edmond ARIZAJ, gazetar/