Shqipëria ka patur disa dallgë emigracioni qysh prej ndryshimit të sistemit politik. Dhe nëpër media e nëpër kafenera, janë përmendur me rradhë si shkaktarë të këtyre dallgëve – Enveri e Ramizi pas dallgës së parë, Saliu pas dallgës së dytë, Fatosi pas dallgës së tretë, Saliu pas dallgës së katërt, dhe Edvini pas dallgës së pestë…
Pa u futur në analizën e shkaqeve apo shkaktarëve, ky shkrim synon vetëm të analizojë kurbën e emigracionit shqiptar përgjatë tre dekadave të fundit. Nga regjistrimi i popullsisë para ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri (u krye më 1989), numri total i banorëve rezultoi 3,182,417 (shihni tabelën shoqëruese). Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3,214,241 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 32 mijë shtetas rezultonin atëherë emigrantë (politikë apo ekonomikë). Nga regjistrimi i parë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik (në fund të vitit 2001), numri total i banorëve rezultoi 3,069,275. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3,993,077 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 924 mijë shtetas ishin atëherë në emigracion.
Nga regjistrimi i dytë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik (në fund të vitit 2011), numri total i banorëve rezultoi 2,821,977. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4,289,950 shtetas shqiptarë. Pra, rreth 1.47 milionë shtetas ishin atëherë në emigracion. Regjistrimi i tretë i popullsisë pas ndryshimit të sistemit politik ende nuk është kryer, por nga llogaritjet vjetore të popullsisisë banuese që publikon INSTAT-i, mund të nxirret shifra e përafërt 2,750,000 banorë në fund të vitit 2022. Ndërkohë, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4,586,144 shtetas shqiptarë në fund të dhjetorit 2022. Pra, rreth 1.84 milionë shtetas janë aktualisht në emigracion.
Në grafikun shoqërues janë përmbledhur të gjitha shifrat e mësipërme, për të treguar se sa përqind e shtetasve shqiptarë kanë qenë në emigracion në fund të secilës nga dekadat e shkuara.
Në dekadën e parë pas ndryshimit të sistemit politik, ndodhi emigracioni më i madh – nga një emigracion i papërfillshëm më 1989, u arrit deri tek pothuaj çereku i shtestasve shqiptarë në emigracion më 2001. Në dekadat pasardhëse u ngadalësua ritmi i rritjes së emigracionit – përqindja e shtetasve në emigracion u rrit me 11 pikë pas dekadës së dytë dhe me pothuaj 6 pikë pas dekadës së tretë.