Pikërisht kur Basha shpalli vendimin e tij “sovran” për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, më rastisi të drejtoj një sondazh rigoroz në terrenin e gjithë vendit (shtator 2021). Nga sondazhi më rezultoi se pothuaj gjysma e atyre që kishin votuar për PD-në në zgjedhjet parlamentare të atij viti simpatizonin Bashën, dhe po aq Berishën (vetëm 7% e votuesve të PD-së nuk simpatizonin asnjërin prej të dyve).
Para zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki, në pranverën e vitit 2022, zhvillova një sondazh ku më rezultoi se kandidatët e Berishës ishin kudo më lart se kandidatët e Bashës. Madje në Shkodër, kandidati i Berishës ishte edhe më lart se kandidatja e Ramës. Dhe rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan gjetjet e sondazhit tim parazgjedhor – Berisha e dërrmoi Bashën në të gjshta bashkitë ku u zhvilluan zgjedhje të pjesshme lokale.
Fast-forward: Në zgjedhjet e përgjithshme lokale më 2023, kandidatët për kryebashkiakë të Berishës fituan vetëm 7 bashki, ndërsa të Bashës asnjë. Ndërkohë, kandidatët e Ramës fituan plot 54 bashki. Sipas thënies së një mikut tim, Shqipëria u shndërrua në një Edvinistan
Tani që historia e sfidës së Bashës ndaj Berishës është mbyllur, këtij të fundit i është shfaqur një sfidë e re në opozitë – nga partitë e reja. Adriatik Lapaj, Agron Shehaj, Endrit Shabani, Arlind Qorri etj. udhëheqin parti të reja, që në sondazhin e fundit që zhvillova për Report TV rezultonin me 14% të votave të të vendosurve për të votuar qysh sot.
Në situatën aktuale, Berisha ka shkuar deri tek 30% e atyre që janë të prirur për të votuar, ndërsa PD-ja merr 32% të votave të atyre që janë të vendosur të votjnë qysh sot (dmth, karroca shtyn kalin). Nga ana tjetër, Rama ka përkrahjen e 50.1% të atyre që janë të prirur për të votuar, ndërsa PS-ja merr 49.5% të votave të atyre që janë të vendosur të votjnë qysh sot (dmth, kali tërheq karrocën). Mes tyre janë partitë e reja, që mbetet të shihet nëse do ta tërheqin karrocën e tyre deri në fund… /Nga Eduart ZALOSHNJA/