Para dy vitesh bota u përball me “luftën e ashpër ndaj armikut të padukshëm”. Në shumë shtete u vendos “gjendja e emergjencës” dhe politika huazoi pa kursim terminologjinë e luftës.
Qeveritë u gjendën të papërgatitura në përballjen me virusin, ndonëse rreziku i epidemive ishte prezent prej dy dekadash. Me ndihmën edhe të medias, pa shumë rezistencë, u arrit forcimi i autoritarizmit në shumë vende, në kufizim të lirive kushtetuese të individit.
Italia, si shumë vende të tjera, vijon të funksionojë edhe sot në kushte emergjence (vendosur në Janar 2020) dhe po propozohet që kjo situatë të zgjatet deri në Dhjetor 2022. Sot, lufta është e prekshme dhe në kufi me Evropën.
Armiku u bë i dukshëm dhe media lehtësisht i zhvendosi projektorët nga arma-gjilpërë tek arma-mitraloz. Sërish politika globale u gjend e papërgatitur, ndonëse përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar pushtetin nuk kanë reshtur asnjëherë.
Peshorja e financimeve po zhvendoset nga sektori i farmaceutikës në industrinë e armatimeve, pasi siç thotë Arendt “lufta nuk bëhet për të vendosur drejtësi, por për të rivendosur pushtetet”. Koston dhe pasojat e luftës i mban populli, si në vendin e pushtuar ashtu edhe në vendin e pushtuesit… /Publikuar në Facebook nga Eli GOLEMI/