Nisur nga një postim i kryeministrit sot, ku mësova se Shqipëria qenka vlerësuar e para për rritjen e turizmit gjatë vitit 2022, u kuriozova të lexoj disa të dhëna më shumë mbi turizmin. Organizata Botërore e Turizmit (OBT) publikon statistika mujore të përditësuara, duke krahasuar vitin aktual me vitin 2019, për të vlerësuar rimëkëmbjen e turizmit ndërkombëtar pas kufizimeve të pandemisë. Disa konstatime personale:
Së pari, OBT nuk publikon një tregues përformance për rritjen në turizëm, por të dhëna statistikore të krahasueshme midis vendeve mbi numrin e turistëve, arkëtimet, peshën e turizmit në ekonomi, etj. Siç paraqitet në grafikun e parë, rritja me e lartë e numrit të turistëve gjatë 2022- it i përket ishujve Virgjin (njohur ndryshe si parajsa kryesore fiskale në listën e zezë të BE- së), ndjekur nga Shqipëria, Etiopia, Hondurasi, Andora, Porto Rico, etj.
Në grafikun e dytë të raportit, Shqipëria kryeson listën e vendeve me rritje dhe me një fluks minimal mbi 5 milion turistë në vit. Është e qartë pse stafi i KM-së ka preferuar të publikojë grafikun e dytë, pasi i pari, ngjashëm më la edhe mua një shije jo fort të mirë në interpretim….
Së dyti, përsa i përket arkëtimeve nga turizmi, Serbia kryeson listën e vendeve me rritjen më të lartë të hyrjeve monetare nga turistët e huaj, ndjekur nga Turqia, Rumania, Portugalia, etj., krahasuar me periudhën para pandemisë. Ndërsa për vendet me arkëtime nga turizmi mbi 5 miliardë USD, rritjen më të lartë e ka Turqia. Shqiperia në këto lista sigurisht nuk figuron, pasi institucionet tona nuk janë të afta ose nuk e kanë vullnetin ta raportojnë këtë tregues kryesor të performancës së turizmit. Pra, si numër turistësh Shqipëria vërtetë ka patur rritje krahasuar me 2019, por ne nuk jemi në gjendje të themi dhe as OBT- ja ta vlerësojë, nëse ka patur dhe sa ka qenë vlera e shtuar në ekonomi nga turistët e huaj në Shqipëri gjatë vitit 2022…
Se treti, KM nuk i ka informuar shqiptarët edhe mbi faktin se, me gjithë rritjen e lartë të numrit të turistëve, INSTAT raporton se në muajin gusht (piku më i lartë i sezonit turistik) infrastruktura akomoduese e turizmit (dhoma dhe shtretër) është shfrytëzuar më pak se 50% e kapaciteteve akomoduese në vend, ndërsa në periudhën tjetër të vitit vetëm 10% e kapaciteteve akomoduese mund të shfrytezohen.
Ky tregues mund të jetë i deformuar nga informaliteti i lartë në turizëm, apo nga cilësia e dobët e mbledhjes së informrmacionit në INSTAT, por rezultati është një ofertë disa herë më e lartë se kërkesa për akomodim, përfshirë sezonin e lartë të turizmit. KM gjithashtu nuk i informon shqiptarët mbi statistikat e INSTAT, ku vetëm 12% e numrit të turisteve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri figurojnë të jenë të regjistruar në strukturat akomoduese, qoftë edhe për një natë të vetme. Pra nga 10 turistë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, vetëm 1 prej tyre figuron të ketë paguar taksa për akomodim, duke krijuar dyshime se pjesa tjetër e turizmit janë kontigjent i informalitetit në ekonomi… /Nga Eli GOLEMI, publikuar në Facebook/