Elisa Spiropali, e emëruara si drejtuese e Qarkut Shkodër, e ka marrë me ‘turr’ të madh besimin që i ka dhënë ‘Skënderbeu’ i saj duke i lënë në dorë drejtimin e bastionit të së djathtës për zgjedhjet e 14 majit, Shkodrën, e cila prej 32 vitesh nuk i ka dhënë asnjëherë fitoren PS-së duke mos preferuar të ndahet nga plagët e së shkuarës dhe të harrojë pasojat që ky qytet ka pësuar nga regjimi komunist. Udhëheqësi i Spiropales mesa duket i ka kërkuar kësaj të fundit me çdo kusht fitoren e këtij bastioni anti-komunist, fitore të cilën sic duket e ka një fiksim të momentit apo ego personale për të ‘thyer’ traditën e zgjedhjeve në këtë qytet.
Spiropali shfaqet në këto kohë cdokund, duke përqafuar e duke i buzëqeshur socialistëve shkodranë, të cilët pavarësisht buzëqeshjes që i kthejnë, në tavolinat e ngushta ka kohë që shprehin pakënaqësitë për drejtuesit dhe kandidatët që emërohen prej lart, pa i pyetur fare, por duke ia sjellë ‘pako postale’ nga Tirana në Shkodër. Gjithashtu, socialistët shkodranë ndjehen të fyer që kandidatët për kryetar bashkie apo për deputet, janë figura që vinë nga Tirana, pa pikë kontributi në Shkodër, pa njohuri për këtë qytet apo qark, thua se s’ka socialistë të aftë shkodranë të lindur e të rritur këtu, që me të drejtë pretendojnë angazhimin politik edhe në poste të rëndësishme jo vetëm të mbledhin e numërojnë vota.
E deleguara për Shkodrën, merr pjesë çdokund, tashmë duke qarë edhe hallet e banorëve të përmbytur, duke ndjekur me prezencë ndoshta edhe me vëmendje mbledhjet e shtabit të emergjencave, duke lënë pas shpine edhe vetë kandidatin për kryetar bashkie të përfolur por ende të zyrtarizuar z. Beci, i cili thjesht shkon ku t’i thonë por nuk flet asnjë fjalë sepse duhet njohur realiteti por duhet edhe t’i japë shpjegim të përmbyturve për përmbytjet e herpas-hershme që po i ndodhin Shkodrës, mos dhënien e dëmshpërblimeve, mungesën e investimeve për të shmangur përmbytjet e të tjera si këto.
Znj. Spiropali ka marrë ‘frenat’ e fushatës në dorë sepse do me çdo kusht të plotësojë ‘tekën’ e kryeqeveritarit të saj, e për t’i hapur rrugë plotësimit të çdolloj kërkese pozicioni që Spiropali (me të drejtë) do të synojë të ketë apo të drejtojë nëse del fituese e 14 majit!
Të fitosh Shkodrën është fjalë e madhe dhe dëshirë e pamundur, sepse të fitosh Shkodrën do të thotë të shlyesh të pashlyeshmen, të fshish një histori të dhimbshme që Shkodra ka përjetuar, të mbyllësh një plagë e cila nuk mund të mbyllet nga pasuesit e plaghapjes!
Shkodra është i pari qytet i Shqipërisë që ka guxuar të shembë një sistem ndēr më të egrit që ndonjë shtet ka pasur e përjetuar në historinë e vet.
Por kjo, nuk do të thotë se Partia Demokratike duhet të ‘flejë’ e qetë në dafina duke pretenduar se fitoren e ka në xhep. PD duhet të krijojë frymë e besim, të takohet me qytetarët derë më derë (ato pak që kanë mbetur), të paraqesë platformën e vet drejtuese duke synuar më së shumti elektoratin që nuk voton (gri) I cili është shtuar ndjeshëm vitet e fundit. PD e Shkodrës nuk duhet të presë ardhjen e Berishës për të bërë fushatë, pasi PD e Shqipërisë sot synon të kryesojë në qarqe të tjera të rëndësishme si Tirana, Durrësi dhe Elbasani që t’i hapë rrugë fitores dhe marrjes së pushtetit në 2025-sën!
Gjithsesi, sado që kryeministri po përqëndron të gjithë makinerinë e votave dhe premtimet e investimeve të mëdha që Shkodra do ketë nëse z. Beci fiton, Ai harron se Shkodra është qytet unik që (për fatin e PD-së) nuk ul kryet dhe nuk harron pasojat shkatërruese që regjimi komunist, vijimësi i të ciit është PS sot, ka bërë ndaj intelektualëve dhe figurave të ndritura të Shkodrës vetëm për shkak të aftësive të tyre intelektuale.
Shkodra do vijojë të jetë bastion i së djathtës, jo pse është totalisht e kënaqur me PD-në, strukturat drejtuese apo të zgjedhurit e saj për Shkodrën, por sepse është qytet revolucionar që nuk pranon shtypjen dhe nuk harron të shkuarën persekutuese që ka kaluar.
Por, të fitosh Shkodrēn apo ta rifitosh atë, duhet shumë punë dhe dashni, sepse Shkodra e ka treguar se di edhe të ‘dënojë’ neglizhencën ndaj Saj! /Nga Eliona KODRA SHKRELI/