Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë sot. Një grua, nënë e 3 fëmijëve, ka vendosur t’i japë fund jetës duke u hedhur në Bunë bashkë me fëmijët e saj. Trupi i vajzës 9 vjeçe është gjetur nga një peshkatar dhe sipas të dhënave paraprake vajza është me shenja dhune në fytyrë. Ndërkohë, polumbarët po kërkojnë edhe 3 trupat e tjerë.
Kryefamiljari është arrestuar nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes dhe dhunës në familje.
Askush nuk vuan i vetëm në jetë. Sado hermetik qoftë individi që vuan, ekziston gjithmonë një apo më shumë dëshmitarë të vuajtjes së tij. Pyetja që lind pas kësaj tragjedie është; A ka vuajtur e vetme kjo grua dhe nënë njëkohësisht?
A nuk ka pasur kjo grua një familjar, një fqinj, një mikeshë që t’i rrëfente dhunën sistematike të të shoqit?
Vendimi për të kryer aktin e vetëvrasjes nuk mund të vijë nga njëra ditë në tjetrën. Unë besoj se vetëvrasja është një bashkim i shumë ditëve të vështira dhe netëve të pagjuma. Është gjendje skajshmërisht e rënduar mendore ku vdekja të duket i vetmi shpëtim. Ajo çka të vret në këtë mes është fakti që dhimbja dhe gjëndja e kësaj gruaje është lënë në gjendje mospërfilljeje të plotë.
Kjo grua ka familjarë. Kjo grua dikujt i ka thënë “mirëmëngjes”. Me dikë është përshëndetur rrugës kur shoqëronte fëmijët për në shkollë, apo bënte pazar. Si ka mundësi që dikush nuk e ka vënë re vuajten e saj? Si ka mundësi që nuk i është shtrirë një dorë për ta ndihmuar apo një prani për ta dëgjuar?
Është tepër e rëndë vetëvrasja e saj dhe e 3 fëmijëve, por akoma më i rëndë është fakti që ajo është gjetur krejt e vetme në dhimbjen e saj.
Post Scriptum- U vetëvra apo e vrau mospërfillja?! /Nga Elona CASLLI, publikuar në Facebook/