Ai është i shitur. Ajo është e blerë. E di unë se më ka thënë ai që i kishte thënë ajo, që i kishin thënë ata.
Ai e mori mikrofonin i pari. Ajo foli e dyta. Ata të tretët. Mua më hoqën zërin. Atij nuk i dhanë fjalën, ndërsa ata që erdhën në fund dhanë intervista nëpër studio televizive.
Kjo është protesta ime. Nuk ka punë të vijë ai. Duhet përzënë. Te protesta ime nuk erdhi ai edhe unë nuk i shkoj.
U bë ai të organizojë protestë! Pale ajo, që nuk e duroj dot hiç, bashkë me ata që nuk i honeps fare.
E pe?! Dhanë vetën intervistën e atij në televizor . Intervistën time e dhanë vetëm dy minuta.
Tragjikomedi shqiptare që arrin në nivele dêshpëruese aq sa ndonjëherë të vjen të pyesësh- Kush e ka patentën e opozitarizmit në Shqipëri?!
Kujt i duhet kërkuar leje për të ngritur zërin kundër një fenomeni me të cilin nuk pajtohesh?!
Post Scriptum- Për sa kohë ndjenja e protagonizmit do të jetë më e fortë se kauza e protestës, sekti rilindas do të vazhdojë të qeverisë pa vramendje. /Nga Elona CASLLI/