Qeveria zyrtarisht po orienton, në mënyrë të hapur dhe të organizuar, ekonominë e vendit drejt aktiviteteve të kundërligjshme, duke falur ato persona që kanë kryer vjedhje, abuzime dhe akte korruptive duke u pasuruar, do të dekurajojë të gjithë biznesin e ndershëm.
Qeveria më e korruptuar në Europë, të cilën, Raporti vjetor i Transparency International për korrupsionin e rendit në vendin e 110 nga 180 shtete, duke zbritur 6 vende për një vit, promovon informalitetin, shmangien e taksave, legalizimin e shkeljes së ligjit.
Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar për pastrimin e parave , të ashtuquajturën lista gri, për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar (FAFT), një mekanizëm i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave. Amnistia e propozuar ose falja këtë herë ka dy komponentë, atë financiar edhe atë penal. Deri tani janë bërë amnisti financiare, ku janë falur pjesërisht ose plotësisht detyrimet fiskale apo gjobat dhe kamatëvonesat. Me amnisti edhe penale, një individi apo biznesi mund t’i falen jo vetëm detyrimet financiare karshi shtetit, por ai çlirohet nga përgjegjësia penale për evazion fiskal, kontrabandë apo pasuri të vendosur në mënyrë të paligjshme.
Ky projektligj do të amnistojë pandershmërinë, paratë e emigruara në parajsa fiskale apo paratë e siguruara nga aktivitete të paligjshme dhe jo mundin e emigrantëve. Une nuk besoj qe ka emigrant, i cili me punë të ndershme, ndoshta edhe në “të zezë”, paska 2 milion euro pa deklaruar, pa harruar edhe paratë në vite që sjellë për të afërmit në Shqipëri.
Ky projektligj ka probleme serioze me legjislacionet fiskale dhe ato penale të shteteve ku ndodhen këto para.
Një tjetër paqartësi e madhe, është edhe mënyra se si do të zbatohet kjo amnisti, cilat janë mekanizmat bankare, mënyrat se si këto para do të vijnë nga shtete anëtare të BE-së apo vende të tjera.
Komisioni Europian është shprehur se amnistia fiskale do të dobësojë kontrollin kundër pastrimit të parave si dhe përbën një rrezik thelbësor për reputacionin e vendit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër nismës së amnistisë fiskale pikërisht me arsyetimin se kjo do të nxisë futjen në qarkullim të parave të pista, edhe parave që mbahen në parajsa fiskale nga shqiptarët dhe jo shqiptarët, pasi amnistia përfshin dhe jorezidentët, të cilët kanë një seli fiskale në Shqipëri.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është shprehur se rreziqet e projektligjit tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme. “Kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend”.
Shqetësimi i BE është se Shqipëria ka rrezik të kthehet jo vetëm parajsë e të dënuarve shqiptarë por edhe parajsa e të huajve që kërkojnë amnisti fiskale dhe penale.
Amabasadori i BE-se kërkon që të merret këshillimi nga Moneyval, grupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës për pastrimin e parave, dhe Autoritetet Tatimore, Ministria e Financave dhe BE-ja të jenë të kënaqura me ligjin.
Ambasadori holandez ka shprehur paqartësi me mënyrën e zbatimit të ligjit, modalitetet, mënyra e organizimit, cilat janë përjashtimet, cilat janë kushtet, çfarë do lihet, çfarë do hiqet.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh se Shqiperia, duhet të marrë hapa të vërtetë për të parandaluar pastrimin e parave dhe mos të rrezikojë integrimin në BE.
Por KM, deklaron se nuk do të tërhiqet, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, pavarësisht kundërshtive nga shoqatat e biznesit, ekspertët. /Nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI, publikuar në Facebook/