Rritja e investimeve italiane, në sektorin fason në vite, ka qenë një tregues i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe zgjerimit të investimeve italiane në Shqipëri. Në Shkodër janë mbi 45 nderrmarrje biznes i madh, shoqëri të huaja, të përbashkëta ose shqiptare, që operojnë në sektorin fasoneri, të cilat janë burimi kryesor i punësimit në qarkun e Shkodrës.
Sipas INSTAT, 5 bashkitë e Qarkut të Shkodrës, kanë përformancën më të dobët mes 12 qarqeve të Shqipërisë, si në treguesit e papunësisë, klimës së biznesit dhe emigracionit të lartë. Qarku Shkodër rezulton me numrin më të vogël të bizneseve, krahasuar me qarqet e mëdha të vendit. Në rang kombëtar, për nga xhiroja vjetore, industria përpunuese, manufactured, është e treta në radhë me 9,0 % tek grupi i Prodhuesit të të Mirave, pas prodhimit të energjise elektrike me 10.4%, dhe ndërtimit me 9.1%.
Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar kanë kontributin më të lartë në punësim, me 50,6% në vitin 2022, ndërkohë që zënë vetëm 1,6% ndaj totalit të ndërmarrjeve. Politikat që po ndiqen vitet e fundit, po rrezikojnë mbylljen edhe të ato pak ndërrmarrjeve, ku janë të punësuar mijëra qytetarë.
Rritjes së menjëhershme, të pagës minimale me urdhër qeverie, me 33% brenda 1 viti, nuk i përgjigjet rritja e produktivitetit dhe përmirësimit të biznesit, ndërkohë që për katër vite 2017-2021, rritja ishte vetëm 25%. Rritja e çmimit të energjisë elektrike për bizneset, çmimit të karburantit, pagave, kontributeve ishin disa nga arsyet e rritjes së kostove.
Por goditja më e fortë, ishte zhvlerësimi i euros, një shqetësim madhor i sektorit, i cili përditë e më shumë po humbet konkurueshmërinë dhe kontratat afatgjata. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të sektorit, që nga muaji prill 2023, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, qeveria u mjaftua me shtyrjen e pagesave të tatim- fitimit, jo për të gjithë, por vetëm për 387 subjekte.
Rritja e kostove të prodhimit, në vendin tonë, po shkakton largimin e investitorëve të huaj dhe transferimin e prodhimit të tyre në Indi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, me çmime më të ulëta.
Po çfarë zgjidhjesh ose orientimesh po jep qeveria dhe në veçanti Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për parandalimin e një vale të re papunësie nga tkurrja e fasonerive?
Në 10 vite, qeveria vetëm ka punuar në dëm të biznesit me ndryshime gjithmonë në rritje të taksave. Rritja e sasisë së parasë informale që qarkullon në Shqipëri, një shqetësim i ngritur edhe nga FMN dhe raporti i DASH, ngrenë dyshimin dhe i kërkojnë qeverise hetimin për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe pronave të paluajtshme.
Por qeveria nuk po ndërmerr asnjë masë, së bashku me gjithë institucionet e ngarkuara me ndjekjen e informalitetit, per ndalimin e rrjedhjes së këtij fenomeni, që po shkatërron ekonominë shqiptare. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës, publikuar në Facebook/