Me Aktin Normativ të fundit 2023, buxheti i shtetit, po financon indirekt detyrimin prej 110 milionë eurosh të arbitrazhit të humbur përfundimisht për çështjen Becchetti.
3 miliard lekë nga taksat e shqiptarëve shkojnë për të financuar aktivitetin e shoqërisë Albcontrol, e cila sipas Pasqyrave Financiare të vitit 2022, depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me 13.12.2023, për të tretin vit radhazi është në vështirësi financiare.
Kjo shifër, që është sa dyfishi i asaj që u shtua për shtresat në nevojë, as nuk u cek ne Komisionin e Ekonomisë gjatë shqyrtimit të Aktit.
Ministria e Financave dhe maxhoranca, nuk mund të pranojnë që llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, është e bllokuar për pagesën e detyrimit të shtetit shqiptar.
Por në shënimet shpjeguese të PF theksohet :
“Bazuar në pamundësinë e tërheqjes së fondeve tona nga Eurocontrol (“Gjatë vitit 2022, ashtu si dhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi onroute dhe terminal charge, si pasojë e një vendimi të shkallës së parë të Brukselit për ngrirjen e llogarive të Albcontrol sh.a, pranë organizatës Eurocontrol”), risku i likuiditetit vazdon të mbetet i lartë.
Këto rrethana mund të ndikojnë në aftësinë e shoqërisë për të marrë hua të reja, nëse lind nevoja.
Në raportin e audituesit të pavarur, për PF të Albcontrol për vitin 2022, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë , jepet opinion me rezervë, për aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi, nisur edhe nga informacionet publike, si rrjedhojë e vendimit të gjykatës së apelit në Bruksel dhe rritjes së shumave që nuk arkëtohen.
Trafiku i pasagjerëve në vitin 2022, ishte me rritje 80 % krahasuar me vitin 2021, duke arritë shifrën 5 milion të numrit të udhëtarëve dhe në 2023 në 7 milionë udhëtarë.
Albcontrol duhet të kishte rritje të të ardhurave, të fitimit dhe të likuiditetit, por qeveria me politikat e saj bën që edhe kjo shoqëri të falimentojë.
Me shifrat e raportuara në Pasqyrat Financiare, si dhe nga shënimet shpjeguese, shoqëria është në vështirësi financiare, nuk janë arkëtuar 6.7 miliard lekë, nevoja për hua ka lindur, por mundësia e marrjes së huave nga bankat, është e pamundur, pasi askush nuk merr përsipër të financojë një aktivitet, që nuk gjeneron të ardhura.
Huanë e jep qeveria, me urdhër të KM, i cili është shkaktar i kësaj situate.
Ministria e Financave dhe maxhoranca, nuk mund të pranojnë që KM dështoi në përpjekjen e tij për të penalizuar një biznes të huaj për hakmarrje personale, por me kosto për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.
Refuzimi, nga maxhoranca, i ngritjes së komisionit hetimor për çështjen ‘Becchetti’, është dëshmi e mbrojtjes së veprimeve të KM. Të vetmit që penalizohen janë shqiptarët, të cilët do të paguajnë kushedi për sa vite, tekat e Kryeministrit. /Nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI, publikuar në Facebook/