Si peshqesh për vitin e ri 2024, bashkia po i bën shkodranëve ndryshimet në paketën fiskale, me projektvendimin e depozituar në Këshill Bashkiak. Pa asnjë relacion të bashkëlidhur dhe me një bazë ligjore të cunguar, Bashkia:
Dyfishon dhe e rrit në maksimum taksën e ndikimit në infrastrukturë nga 4% në 8%, si dhe gjithë tarifat që lidhen me lejen e zhvillimit, lejen e ndërtimit e deri në 10 fish e më shumë për çertifikatë përdorimi. Ju shkodranë që doni të zhvilloni pronën tuaj, tashti do të paguani dyfishin e taksës dhe të tarifave.
Shkodra deri në fund të 2022, është në rajonet me nivelin më të ulët të sipërfaqeve të banesave, sipas lejeve të ndërtimit të miratuara. Kaq shumë u rritën për një vit, kërkesat për ndërtime në Shkodër, kur Shkodra është në rajonet me nivelin më të ulët në Produktin e Brendshem Bruto për fryme? Apo i ka ardhë radha Shkodrës të përçudnohet me modelin e kullave të parave informale?
Rritje gati dyfish e tarifës për “Zënie e hapësirës publike (përdorim trualli) në qendrën e qytetit Shkodër Rr. “13 Dhjetori”, “28 Nëntori” dhe “Kolë Idromeno”. Shtohet Rr. Gjuhadol, Prill, Maj, Qeshor, Korrik, Gusht, Shtator” .
Shtohen dhe shumëfishohen tarifa të tjera për tregjet “Shfrytëzim i hapësirës për tregtim fruta perime në banak Tregu Rus Bio Strajca nga 5000 deri në 16,000 lekë/muaj.
Mbi bazën e cilit studim caktohen këto tarifa? Me rënien e konsumit, si efekt emigracioni, si do të arrijnë të paguajnë shitësit e këtyre tregjeve, këto tarifa të rritur? Gjithçka do të përkthehet në rritje të çmimeve për qytetarët.
Edhe ai treg, ku gjithë shkodranët e në veçanti ato me të ardhura të ulta, gjenin produkte me çmime të përballueshme, do të zvogëlohet deri në mbyllje të plotë. Si do të nxisë tregtimin e produktit lokal dhe zhvillimin e ekonomisë rurale, ndërrmarrja e re Bio Strajca?
Për çfarë është krijuar, për t’i ardhë në ndihmë tregëtarëve të vegjël, a por për t’i falimentuar të gjithë? Po gjobat e Policisë Bashkiake, cilës bazë ligjore i referohen?
Nguti për të rritur taksat, tarifat, gjobat, e ka bërë bashkinë të harrojë edhe ndryshimet në ligjin bazë “Për sistemin e taksave vendore”. Shkodër, paguej e mos druej! /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Qarkut Shkodër/