Ndryshimi i strukturës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, po e qendërzon korrupsionin vetëm në duart e disa punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme.
Aplikimi online i gjitha procedurave, që nga korriku 2023, çoi vetëm në përqëndrimin e shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve në pak duar, vonesa pa fund në përgjigje, të shumtën negative, mos regjistrim të pronave.
Tashti gjithçka është në duart e Qendrës së Kadastrës Dixhitale, e cila kontrollon të gjitha pronat në Shqipëri dhe vetëm nëpërmjet tyre do të mund të zgjidhësh problemet me pronesine.
Korrupsioni në sektorin e pronave, kadastra dhe të drejtat pronësore, theksohen në raportin e Komisionit Europian 2023.
Raporti DASH 2023 shprehet: Të drejtat e pronësisë vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri, sepse një titull pronësie, është i vështirë për t’u marrë. Vlerësohet se afërsisht 80% e të dhënave për pronat e regjistruara janë të pasakta.
Ristrukturimi dhe shërbimet digjitale, vetëm sa nxorën të panevojshme Drejtorinë Vendore të Shkodrës, institucionin e radhës, që qeveria largon nga Shkodra.
Duke filluar nga viti 2014, për 10 vite janë 8 institucione të rëndësishme rajonale, që u spostuan nga Shkodra si qendër rajonale drejt qyteteve të tjera, pa asnjë shpjegim, por vetëm me dëshirën e Edi Ramës për ta bërë Shkodrën, një qytet periferik dhe të harruar, dëshirë të cilën vazhdon ta kultivojë.
Të gjithë qytetarët e qarkut të Shkodrës tashmë janë të detyruar që për zgjidhjen e problemeve të drejtohen në personat e caktuar në Tiranë, pasi digjitalizimi dhe ristrukturimi, shoqërohen vetëm me vonesa në pajisjen me çertifikata pronësie, me kosto të shtuar, sorollatje, refuzim të regjistrimit të pronave dhe mundësi për vjedhje të tyre. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës, publikur në Facebook/