Rënia e kursit të euros, po e fundos ekonominë e brishtë shqiptare. Ndikimi më i madh është në sektorët më të rëndësishëm të vendit: eksportuesit, prodhuesit dhe turizmin.
Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqatat e biznesit, që në muajin prill ’23, Ministria e Financave dhe Ekonomisë u angazhua për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit.
Por e vetmja ndërhyrje nga QEVERIA, është shtyrja e pagesave në vitin 2024, të kësteve të tatim fitimit, për tatimpaguesit, eksportues të mallrave në regjimin e përpunimit aktiv, të cilët në vitin 2022 kanë eksportuar jo më pak se 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet.
Janë vetëm 387 subjekte që përfitojnë, me një shumë 617 milion lekë me një ndikim të papërfillshëm në buxhetin e shtetit.
Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzive.
Qeveria është ajo, që po përfiton në kurriz të shqiptarëve: Të ardhurat totale për 6 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 105 % të planit të të njëjtës periudhë.
Asnjë politikë favorizuese për bizneset prodhuese, me rritjen e kostove te prodhimit, energjisë, pagave, kontributeve.
Asnjë ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë apo Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke lënë në rënie “të lirë”, me arsyetimin e thjeshtë se çdo gjë e përcakton tregu.
Asnjë masë nga Ministria e Financave në bashkëpunim me te gjithe institucionet e ngarkuara me ndjekjen e informalitetit, per ndalimin e parasë, që po shkatërron ekonominë shqiptare.
Asnjë studim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zhvillim të ndonje dege te re ekonomie, per biznesin e ndershem. Vetëm legalizim të kanabisit, si shpërblim për bandat, që kontribuan në zgjedhjet e politike dhe vendore.
Vijimi i kësaj indiference po çon në mbylljen e bizneseve kryesisht në fushën e industrisë prodhuese të destinuar për eksport, me pasoja reduktim të vendeve të punës, mosrritje të pagës për mijra të punësuar, përkeqësim të shkëmbimeve tregtare si dhe frenim të rritjes ekonomike. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Qarkut Shkodër/