Sonte po risjell një shqetësim, të cilin e kam ngritë disa herë në seanca dhe në komision parlamentar, por nuk po merr zgjidhje tash sa vite. Rruga Shkodër Tiranë, vazhdon të jetë një stërmundim, një kalitje nervash për qytetarët, që e përshkojnë atë, me radhë të gjata makinash në pothuajse çdo orë të ditës.
Të rrish 4 deri në 5 ore në radhët të gjata për 94 km, është e paimagjinueshme e pafalshme dhe joproduktive.
Jemi 22 deputetë në këtë sallë që e frekuentojmë këtë rrugë, për të shku përditë në vendbanim ose në qarkun që përfaqësojmë. Por asnjë nga maxhoranca nuk e ngre zërin, ose ndonjë më i guximshëm i dërgon edhe ndonjë foto KM, me trafikun e bllokuar, por nuk shkon më tej.
Rruga ka një fluks të madh të përditshëm nga qytetarët që punojnë, studjojnë e jetojnë në Shqipëri, nga mjetet e transportit të mallrave. Por kjo rrugë frekuentohet edhe më shumë nga, emigrantët shqiptarë që kthehen në vendlindje, nga mijëra pushues, që vijnë gjatë sezonit veror në plazhe e në bjeshkë, turistë nga vendet e huaja.
Vizitorët më të konsiderueshëm janë nga Kosova, deri në fund të korrikut ishin 2 milion e dyqind mijë kosovarë që sa dalin nga Rruga e Kombit, fillojnë kalvarin në rrugën e ngushtë në drejtim të shëngjinit, Velipojës, Muriqanit, Rinasit, Durrësit, plazheve te jugut.
Po si ka mundësi që vazhdoni të penalizoni gjithë Veriun e Shqipërisë, lëvizjen e qytetarëve kosovarë dhe në dëm të lidhjes tokësore të Shqipërisë me Europën e Veriut.
Ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane, një vendim i marrë nga BE, ishte me rëndësi strategjike për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Për segmentin e parë Muriqan – Lezhë, Projektit Preliminar dhe Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social ka filluar më 15 dhjetor 2021. Por avancimi i tij lidhet vetëm me zhvillimet politike, zgjedhjet ose deklaratat e KM. KM përsëri premton se projekti preliminar pritet të dorëzohet në fund të 2023, por puna nuk fillon.
Duhet projekti i zbatimit, procedurat për prokurimin e zbatimit, lidhja e kontratës, e kush e di kur fillimi i punës, pa fole per mbarimin e punimeve.
Qeveria shqiptare, në kundërshtim me projektet e BE-së, ashtu siçe kishte planifikuar që në vitin 2019, po i jep me koncesion të gjitha segmentet në veri, pra me pagese.
Do të paguhet për segmentet Milot – Thumanë- 0.6 cent, Thumanë – Kashar-2.1 euro, Kashar- Lekaj- 3.2 euro. Kushedi sa do jetë tarifa për Balldre Milot.
Për kosovarët shtohet edhe tarifa 5 euro, për një kalim në rrugën e kombit, një rrugë pa alternativë tjetër qarkullimi. Me 9 gusht, pas reagimeve pa fund në rrjetet sociale për trafikun Tiranë Shkodër, KM, pas 10 vitesh në pushtet, tallet me përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë:
“nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim”.
Prandaj durim ju veriorë, pasi sa herë të kaloni në këtë rrugë, ose do ecni si breshka ose do të paguani! Por durimit të shqiptarëve i ka ardhë fundi. Ato po emigrojnë rrugëve të botës, duke ikë nga propaganda boshe, nga mungesa e sigurisë, nga korrupsioni i larte, për sa kohë ekonomia nuk rritet dhe mungojnë shërbimet baze. Kur flitet për Veriun, ju nuk keni asgja seriozisht! /Nga Emilia Koliqi, deputete e Shkodrës, publikuar në Facebook/