Në Shkodër çdo familje “thahet” për të parë fëmijën veshur me uniformën kuqeblu. E tillë ka qenë dhe familja ime, e cila ishte dhe është shtysa e fortë që unë të djersis sot si kapiten nën uniformën e Vllaznisë. Sot dua të gëzoj momentin e ekipit, por edhe momentin tim. E dini pse?
Sepse ëndrra për futbollin mund të ishte shuar pak kohë më parë tek unë. Nga një dyluftin rutinë, pas kokë më erdhi goditja fatale me taka. Luanim ndaj Laçit. Nuk kuptova asgjë.
Edhe sot nuk mbaj mend asgjë pas atij momenti. Ishte sikur dritat fiken dhe papritur nuk shikon më. Isha në gjendje kome! Gjendje të cilën e kalova disa orë.
Pas përmendjes kaloi rreziku për jetën, por u shtua rreziku për ëndrrën, futbollin. Mjekët i thanë familjarëve se unë nuk do mund të rikthehesha në futboll, sepse këmbët nuk përgjigjeshin. Ky moment ishte tmerri i madh.
Çdo gjë rreth meje ishte përmbysur.. Nuk shikoja shpresë, nuk shikoja jetë… Jeta është e çuditshme me të mirat dhe këqijat e saj. Nga ërrësira erdhi papritur drita.
Falë besimit këmbët u rikthyen në situatë normale dhe nisa të vrapoj. Por ndryshe si më parë, vullneti ishte dyfishuar dhe zemra po më buçiste fort për të ndjekur qëllimin. Nisa ta ndjek si më parë, sikur të isha sërish ai 6 vjeçari që trokiti në akademinë e Sabah Bizit.
Isha rikthyer për të ndjekur rrugën time.Isha aty…Isha sërish ai lojtari i të rinjve të skuadrës së Vllaznisë drejtuar nga Luan Zmijani që shpallesha kampion për U19.
Isha ai kur hodha hapat e para si profesionist me Veleçikun, ku për 4 muaj nën drejtimin e Kreshnik Krepit mora eksperiencën e domosdoshme për të qenë gati për Vllazninë.
Ishte i njëjti gëzim kur u aktivizova në minutat e para si profesionist me Vllazninë në kampionatin shqiptar ndaj Kukësit.
Gëzimi im sot është i madh për momentin që po kalon ekipi sepse e ndiej që po lumturoj dhe engjellin tim mbrojtës. E nisa në këtë formë rrëfimin tim për të shprehur se sa e fortë është lidhja e futbollit me jetën e një sportisti. Rezultatet ndonjëherë ose shpesh nuk reflektojnë asgjë nga bota e brendshme e sportistëve.
Sot Shkodra po vlon, sepse futbolli e ka nisur me këmbën e mbarë edicionin 2020-2021. Pandemia i ka thënë jo shkodranëve për të qenë në stadium, por jo në jetën e përditshme, ku në çdo vend flitet vetëm për skuadrën.Ky virus e ka një armik të fortë sot, sportin. Unë jam rasti që e provova edhe këtë fenomen, pra që sporti është jetë.
Luanim një ndeshje miqësore me Kukësin. Koka ime ishte rënduar dhe kisha temperature. Më thonë të bëj tamponin. Rezultoj lojtari i parë në skuadër i infektuar nga korona. Kisha këputje, virusi më kishte prekur pak mushkëritë. Por frika ime ishte diku tjetër. Nuk mendoja fare për veten sepse futbolli më jepte siguri.
Mendoja dhe lutesha për familjarët, sepse nuk doja që unë të isha shkaktar. Më këtë frikë kam jetuar dy javë. Në fund u çlirova. Me largimin e virusit u largua edhe ankthi për pasojat që mund të kisha lënë. Rikuperohem dhe rikthehem shpejt aty ku e kisha lënë misionin.
Si kapiten i ekipit kam detyrën të kultivoj frymën pozitive në grup. Me ngjarjet e kaluara motivimi im është dyfishuar për të dhënë më të mirën në fushë. Nga fatkeqësitë njeriu duhet të gjejë forcën për të shtyrë fort përpara dhe për të mbjell shpresë. Gjithçka tjetër i duhet lënë fatit dhe besimit.
Në çdo ambjet flitet vetëm për Vllazninë. Kishim vite që prisnim që kjo Vllazni të kishte këtë nisje. Po jam i vetëdijshëm. Jam i vetëdijshëm sepse luajmë futboll dhe në futboll asgjë nuk është e parashikueshme.Futbolli është i bukur sepse gëzimi dhe hidhëriumi ecin së bashku.
Ajo që e bën të bukur këtë lojë është ëndrra, e cila shkon përtej rezultatit.Kjo ëndërr duhet jetuar në çdo moment! /Nga Erdenis GURISHTA/