Me përfundimin e punimeve të kongresit të lavdishëm të 9 prillit, populli shqiptar, i lidhur si mishi me kockën me partinë bën disa vërejtje për udhëheqjen.
》I mungoi kongresit solemniteti. Shoku Enver e mbante njëherë në pesë vjet dhe këtë traditë e vazhdon vetëm shoku Qi në Kinë. Popullit shqiptar (që për nga mënyra si voton po bëhet gjithmonë e më i ngjashëm me popullin kinez) i mjafton ta shohë udhëheqjen në kongres një herë në pesë vjet. Midis dy kongreseve e gjen mëngjes, drekë, darkë në Facebook.
》I munguan kongresit fjalimet dhe raportet e dikurshme. Fjalimi i shokut Edver as që i afrohet raporteve 5-6 orësh të udhëheqësit legjendar. Të vendosen para përgjegjësisë shokët e grupit të punës së raportit. Mirë është të nxirret edhe ndonjë armik apo, të paktën, sabotator.
》I munguan kongresit direktivat. Megjithëse i ndoqën punimet e kongresit me gojë hapur, shokët myzeqarë nuk arritën të kuptonin se kur duhet të nisë sezoni i prashitjes pranverore dhe as ai korrje-shirjeve. As edhe shokët e Bankersit nuk morrën vesh ku janë vendburimet e reja të naftës dhe gazit. Këtu me siguri ka dorë armiku.
》I munguan kongresit pllanet. Për shkak të mungesës së një pllani, u dëmtua rëndë procesi jetik i kanabisizimit të vendit. Shokë të sektorit të propagandës si Koço bënë gabime të pafalshme ideologjike, kurse shokë të qeverisë si Sajmiri u përpoqën ta shfrytëzonin për të favorizuar miqtë dhe të afërmit. Me dënimin shembullor të këtyre armiqve të brendshëm dhe me përfundimin e diallogut me masat merr fund edhe ç’organizimi. Pesëvjeçari i ardhshëm shpallet si “Pesëvjeçari i Kanabisizimit të Plotë të Vendit”.
》I munguan kongresit traktoristi pararojë dhe mjelësja e dalluar. Në presidium kishte vetëm përfaqësues të borgjezisë së re. Duke filluar nga kongresi i ardhshëm, të rritet pjesëmarrja e kllasës punëtore në kongres dhe në organet drejtuese. Kjo përmirëson edhe frymën e kongresit; sa më pak shkollë dhe influenca mikroborgjeze të kenë delegatët, aq më të aftë janë për të duartrokitur. Nëse pas pesë vjetësh nuk ka më traktoristë dhe mjelëse, të sigurohen përfaqësues nga profesione të ngjashme.
》I mungoi kongresit pjesëmarrja e përfaqësuesve të lëvizjes marksiste-leniniste ndërkombëtare. Të identifikohen dhe kontaktohen urgjent stërnipët e shokut Zhoao, nipët e shokut Norodom dhe djemtë e shokut Kabila. Të nisë financimi i partive simotra, t’u dërgohen atyre kopje të veprave të shokut Edver dhe të ftohen në kongresin e radhës.
》I mungoi kongresit shoqja Linda. Udhëheqësi duhet ta ndajë mendjen, o si shoku Enver që e sillte shoqen Nexhmije në çdo kongres e plenium, o si shoku Qi që e nxjerr shoqen Peng vetëm për vizita ndërkombëtare. T’i rekomandohet shokut Edver ta propozojë shoqen Linda për antare pleniumi dhe të rihapë për të institutin e studimeve marksiste-leniniste. Shokun Fatos për zëvendës aty e ka.
Mbi të gjitha, partia nuk po zhvillon siç duhet luftën e kllasave brenda radhëve të saj. Në radhët e delegatëve u rishfaqën elementë anti-parti dhe anti-Edver. Për raste të tilla, të shikohet mundësia e rihapjes së Spaçit dhe e ringjalljes së shokut Arianit.
Për të gjithë këto gabime, byroja duhet të bëjë autokritikë para shokut Edver dhe të ngrejë një grup pune për t’i korrigjuar mangësitë para mbledhjes së pleniumit të radhës.
Lavdi marksizëm-leninizmit!
Rroftë shoku Edver!
Rroftë partia!
Mbi të gjitha:
Rroftë populli!!! Është ai, pa janë këta… /Publikuar në Facebook nga Erion DASHO/