Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet më 21 mars. Si e tillë ajo është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Çdo vit, ngjarje të ndryshme shënojnë këtë ditë duke ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve.
Ngjarjet ekstreme si zjarret, janë një kërcënim i madh për vendet evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë. Ndërkaq, ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intesitetin e ngjarjeve të lidhura me motin. Ndryshimet klimatike mund t’i shpeshtojnë dhe rëndojnë fatkeqësi të tilla të motit.
Pyjet shqiptare preken nga zjarret veçanërisht në fund të pranverës dhe gjatë verës së nxehtë dhe të thatë. Shkaqet e këtyre të zjarreve mund të jenë antropogjene (pakujdesitë njerëzore, djegia e kullotave dhe në një masë jo të vogël si rezultat i zjarrvënies) ose natyrore (rrufetë).
Ekosistemet pyjore mbartin vlera ekonomike, mjedisore, rekreative dhe turistike. Këto ekosisteme kërcënohen në mënyrë serioze nga zjarret, të cilat sjellin pasoja të mëdha negative të tilla si: shkretëtirëzimi, erozioni i tokës, humbja e biodiversitetit, humbja e funksioneve biologjike të cilat pasohen me humbje të mëdha social-ekonomike.
Rritja e frekuencës dhe intensitetit të rënies së zjarreve në pyje, sidomos në dekadat e fundit, ka çuar në një rritje të nevojës për të monitoruar zjarret por edhe për të vlerësuar sipërfaqet e dëmtuara nga zjarret nëpërmjet teknikave bashkëkohore ku përfshihet edhe hartografimi me metodat e Remote Sensing dhe GIS.
Njohja e gjendjes së sipërfaqeve të prekura nga zjarret dhe përcaktimi i rrugëve dhe mënyrave për rehabilitimin e tyre është një sfidë e madhe por edhe domosdoshmeri për menaxhimin e përshtatshëm të sipërfaqeve të dëmtuara në të ardhmen.
Sistemi i përgatitjes dhe përgjigjes ndaj emergjencave civile duhet të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme , të qëndrueshme dhe të integruar, sipas një vizioni strategjik afatgjatë, duke pasur parasysh sfidat e reja si ndryshimet klimatike.
Menaxhimi i sipërfaqeve të djegura kërkon domosdoshmerisht një vlerësim të shpejtë të dëmit të shkaktuar nga zjarret në pyje me qëllim që të merren masat e nevojshme për rehabilitimin e këtyre sipërfaqeve. Njohja e gjendjes aktuale në të cilat ndodhen speciet drunore është tepër i domosdoshëm në mënyrë që të merren masat mbrojtëse në të ardhmen.
Marrja e masave konkrete, kundrejt çdo lloj rreziku natyror, duhet të jetë pjesë e studimeve dhe sidomos kontrollit periodik mbi territor. /Nga Ervis KRYMBI, publikuar në Facebook/