Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet më 21 mars. Si e tillë ajo është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Çdo vit, ngjarje të ndryshme shënojnë këtë ditë duke ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, si dhe pemëve jashtë pyjeve, në dobi të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Ngjarjet ekstreme, të tilla si zjarret, janë një kërcënim i madh për vendet evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë. Gjatë dy dekadave të fundit, dukuria e zjarreve në pyje është rritur në numër dhe gjithashtu në madhësinë e zonave të prekura. Pyjet shqiptare preken nga zjarret veçanërisht në fund të pranverës dhe gjatë verës së nxehtë dhe të thatë. Shkaqet e këtyre të zjarreve mund të jenë antropogjene (pakujdesitë njerëzore, djegia e kullotave dhe në një masë jo të vogël si rezultat i zjarrvënies) ose natyrore (rrufetë).
Ekosistemet pyjore mbartin vlera ekonomike, mjedisore, rekreative dhe turistike. Këto ekosisteme kërcënohen në mënyrë serioze nga zjarret, të cilat sjellin pasoja të mëdha negative të tilla si: shkretëtirëzimi, erozioni i tokës, humbja e biodiversitetit, humbja e funksioneve biologjike të cilat pasohen me humbje të mëdha social-ekonomike.
The Guardian shkruan se: “Gjatë dy dekadave të fundit, shumë pemë në Shqipëri pranë lumenjve të furishëm si Vjosa, Osumi dhe Shkumbini janë prerë nga fshatarët në kërkim të drurëve për zjarr dhe nga sipërmarrësit për të spastruar territorin e për t’i lënë zonë të lirë një bum-i ndërtimesh nga i cili kanë përfituar më së shumti firma të huaja. Pemët kanë mbajtur nën fre rrëshkitjen e tokës për shekuj me rradhë – duke shërbyer si sfungjer thithës gjatë kohës së shirave – por pa to, erozioni i tokës ka përshkallëzuar dëmet nga përmbytjet.”/AgroWeb.org/
Rritja e frekuencës dhe intensitetit të rënies së zjarreve në pyje, sidomos në dekadat e fundit, ka çuar në një rritje të nevojës për të monitoruar zjarret por edhe për të vlerësuar sipërfaqet e dëmtuara nga zjarret nëpërmjet teknikave bashkëkohore ku përfshihet edhe hartografimi me metodat e Remote Sensing dhe GIS.
Pas vitit 2011, viti 2017 ishte një vit tjetër me një numër të madh zjarresh në pyje e kullota (rreth 250 zjarre). Të dhënat nga viti 2008 deri 2021 për sipërfaqet e prekura nga zjarret në Shqipëri gjenden tek linku me poshtë: https://effis.jrc.ec.europa.eu/…/effis-estimates/NOTEU/AL
Njohja e gjendjes së sipërfaqeve të prekura nga zjarret dhe përcaktimi i rrugëve dhe mënyrave për rehabilitimin e tyre është një sfidë e madhe por edhe domosdoshmeri për menaxhimin e përshtatshëm të sipërfaqeve të dëmtuara në të ardhmen.
Menaxhimi i sipërfaqeve të djegura kërkon domosdoshmerisht një vlerësim të shpejtë të dëmit të shkaktuar nga zjarret në pyje me qëllim që të merren masat e nevojshme për rehabilitimin e këtyre sipërfaqeve.
Marrja e masave konkrete, kundrejt çdo lloj rreziku natyror, duhet të jetë pjesë e studimeve dhe sidomos kontrollit periodik mbi territor. /Nga Ervis KRYMBI, publikuar në Facebook/