Gjeografia është një ndër disiplinat më favorizuese sepse merr në analizë aspektet natyrore të territorit, aspektet sociale dhe humane si dhe mënyrën e zhvillimit të mjedisit në të ardhmen.
Gjeografia padyshim është njëra ndër shkencat më të vjetra. Qysh në parahistori njerëzit kanë provuar të sqarojnë zhvillimin e proceseve në natyrë, pastaj të njohin renditjet kronologjike edhe pse shkenca në një mënyrë ka qenë e pranishme në pjesën më të madhe të civilizimeve të lashta.
Studimi i marrëdhënies njeri-natyrë na lejon të kuptojmë se si veprimet tona ndikojnë në hapësirën territoriale që ne zëmë, e cila nga ana tjetër siguron mjetet e nevojshme që njerëzit të riorientojnë veprimet e tyre ndaj mjedisit.
Nga ana tjetër, zbatimi i informatikës në disiplina të ndryshme studimore ka luajtur një rol të rëndësishëm në evolucionin e Gjeografisë si shkencë, pasi përparimet teknologjike në hartografim kanë lejuar zhvillimin e një sistemi të automatizuar të gjeografisë, siç është GIS (Sistemet e Informacionit Gjeografik).
Me mjetet e siguruara nga teknologjia e informacionit brenda gjeografisë, arrihet analizimi dhe zgjidhja e shume problemeve territoriale dhe mjedisore që ndikojnë në shkallë lokale apo globale, si dhe qëndrueshmëria e burimeve natyrore.
Praktikisht gjeografia bën bashkë të gjithë pjesët përbërëse të një mozaiku duke analizuar hapësirën që nga niveli lokal deri në atë global. Gjeografia i përgjigjet disa pyetjeve që shqetësojnë njerëzimin sot, që kanë lidhje me natyrën, ndryshimet mjedisore, ekonominë, popullsinë, aspektet sociale dhe kulturore. /Nga Ervis KRYMBI, pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, publikuar në Facebook/