Një transformim i shpejtë po ndodh me përdorimin e teknologjisë se dronëve. Kështu, biznesi, qeverisja, shkollat, organizatat jo qeveritare dhe aktorë të tjerë po mundohen të përfitojnë nga të dhënat gjeografike të përftuara nga përdorimi i dronit. Në këtë mënyrë të gjithë tentojnë të punojnë në mënyrë me efikase. Duke përdorur imazhet apo videot e përftuara nga droni, marrim një panoramë më të mirë për atë objekt apo zonë, që studiohet dhe kjo gjë përmirëson vendim–marrjen.
Duke u konsideruar në fillim thjesht si “lodra për hobi”, dronët kanë depërtuar më tej në zona të mëdha të ekonomisë sonë dhe kanë filluar të bëhen një pjesë e madhe e jetës sonë të përditshme. Përdorimet e paimagjinueshme të dronëve po vihen në jetë çdo ditë dhe evolucioni i tyre do të rritet me kohën.
Sot droni është bërë një burim shumë i rëndësishëm për sondazhet dhe monitorimin e mjedisit. Dronët ofrojnë ndihmë thelbësore në ruajtjen e burimeve të peizazhit, per monitorimin e shtretërve te lumenjve në rast permbytjesh. Me dron është e mundur të zbulohen dhe katalogohen zona të mëdha të territorit, duke kursyer kohë krahasuar me përdorimin e metodave tradicionale. Me një hartë gjeografike të referuar, zonat dhe objektet mund të maten lehtësisht me dronë, përndryshe do të duheshin ekipe studimi terreni për disa ditë.
Duke përdorur fotogrametrinë nga dronët mund të kryhen analiza që karakterizojnë studimin topografik.
Avantazhet kryesore të rilevimit me dron janë shpejtësia e ekzekutimit, gjë që bën të mundur uljen e shpenzimeve, të kombinuara me sasinë e madhe të të dhënave që mund të merren si dhe cilësinë e saktësinë. /Publikuar në Facebook nga Ervis KRYMBI, pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës/