Në vitin 1998 kish mbaruar rikonstruksioni i shkollës së mesme të Bajzës në Malësinë e Madhe. Autoritetet lokale kishin vendosur që shkolla të mbate emrin e ish deputetit të Partisë Demokratike Dodë Kaçaj, i cili kish pak muaj që kish ndërruar jetë në mënyrë të parakohshme.
Doda dhe vëlla im Petriti, kishin mbaruar studimet e larta për gjuhë dhe letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Ishin bërë miq me njëri-tjetrin. Kur mbaruan studimet, mëgjithëse njëri në Malësinë e Madhe e tjetri në Tepelenë, i shkruanin vazhdimisht letra njëri-tjetrit.
Rasti e solli të njiheshim edhe bashkë në parlament si deputetë. Ishim kundërshtarë politikë por kjo nuk na pengoi të ishim edhe miq. Kur demokratët erdhën në pushtet, vëllain tim Petritin, e hoqën pa asnjë shpjegim nga puna.
Doda u ndje keq për këtë vendim dhe pa ja kërkuar askush, shkoi drejt e në Ministrinë e Kulturës së asaj kohe që drejtohej nga regjizori i njohur, Dhimitër Anagnosti. U ballafaqua ashpër me ministrin, i cili i dikur kish qenë koleg pune me tim vëlla në Kinostudio. Ky ishte një urdhër politik dhe Anagnosti nuk mundi të bënte asgjë. Megjithatë, Dodë Kaçaj, respektoi kodin e nderit mbi atë të politikës dhe bëri aq sa mundi.
Dodë Kaçaj ishte vetja e tij. Ai kishte shpirt të ndejshëm poeti dhe kish botuar disa vëllime poetike. Ai nuk bëri kurrë pazar me parimet e veta, ndaj e mënjanuan nga politika. Aq të padenjë u treguan drejtuesit e PD, sa nuk e nderuan atë ashtu siç e meritonte në ceremonine e vdekjes së parakohëshme më 23 prill të vititi 1998.
Një ditë në Ministrinë e Arsimit mbrriti një ftesë nga Bajza e Malësisë së Madhe. Shkollës së Bajzës do t’i vihej emri i Dodë Kaçaj. Aso kohe unë isha i deleguari i PS për Qarkun e Shkodrës dhe e kisha vizituar shumë herë Malësinë e Madhe. Kisha mbetur i mrekulluar nga takimet me njerëzit në Koplik e rrethinat e tij.
Vendosa të merrja pjesë në ceremoni, gjë që nuk ishte e lehtë. Një ministër socialist që duhet të nderonte kujtimin e një ish deputeti të PD-së. Lufta poltike PS-PD në Qarkun e Shkodrës ishte shumë e fortë. Mendoja që socialistët e asaj zone nuk do ta mirëprisnin veprimin tim, për më tepër që isha edhe i deleguari i tyre.
I mora parasysh të gjitha dhe u nisa. Doja ta nderoja Dodën. Ndaluam në hotel- turizmin e Lezhës për të pirë një kafe. Rastësisht aty takova deputetin e PS të ndjerin Lekë Çukaj i cili më pyeti se ku isha duke shkuar. Kur i shpjegova se isha nisur për në Bajzë, ai mbeti i habitur dhe më këshilloi të mos shkoja. Ky veprim nuk do t’i kënaqte socialistët e Malësisë së Madhe.
E mirëkuptova Lekën që e kisha mik, por i thashë se edhe ai duhet të më mirëkuptonte. Nuk e zgjata shumë dhe mora rrugën për në Bajzë. Tom Therçaj, miku im gazetari i shquar i televizionit shqiptar dhe bir i Kastartit, më shoqëroi në atë aktivitet.
Në Bajzë na pritën siç dinë të presin njerëzit e atyre anëve. U ndjeva shumë i nderuar që më pritën me aq shumë dashuri, megjithëse familja, miqte dhe të afërtit e Dodës ishin të gjithë të djathtë. Ishte një ditë feste e vërtet. Ceremonia shkoi si jo më mirë. Fjala ime si ministër ishte shumë e ngrohtë dhe u prit me duartrokitje. Pati nga të afërtit e Dodës që u përlotën. Ata u ndjenë mirë dhe unë po aq mirë. Në mbarim të aktivitetit dhashë edhe një intervistë për televiozionin shqiptar.
Për fat të keq, asnjë përfaqësues i lartë i PD nuk mori pjesë, megjithëse ishin ftuar. Inati tyre për këtë demokrat “rebel” nuk kishte dalë. As Jozefina Topalli dhe as Pjetër Arbnori nuk i ishin përgjigjur ftesës. Çfarë kontrasti! Mua nuk mu desh të merrja lejë askund që shkova të nderoja një demokrat. Për më tepër nuk pash asnjë sheqtsim te miqtë e mi socilaistë të Malësisë së Madhe.
Kishin kaluar dy- tre vite dhe unë u ngarkova të merrja pjesë si përfaqësues i qeverisë festën e Reçit të Malësisë së Madhe. Kjo festë e pervitshme bëhet në përkujtim të luftës historike më 30 dhe 31 gushti i vitit 1943 kundër fashistëve italianë. Një shprehje e urtë thotë se “nëse e njeh armikun siç njeh veten, do fitosh në njëqind beteja. Nëse e njeh veten por jo armikun, do kesh fitore por edhe disfata. Nëse nuk e njeh as armikun as veten, do të humbasësh çdo bejtejë”. Lufta e Reçit tregoi se luftëtarët shqiptarë e njihnin mirë veten por dhe armikun ndaj dhe korrën një fitore që ka lënë gjurmë të thella në histori.
Operacioni i pushtuesve fashist për të shuar rezistencën në Shkodër e Malësinë e Madhe u thye. Pushtuesit lanë pas mbi njëqind të vrarë. Reçi dhe gjithë Shqipëria krenohet me këtë fitore, ndaj festa e Reçit, që organizohet çdo vit, është shndërruar në një festë popullore. Ishte hera e parë që shkoja në Reç. Sheshi para tribunës ishte i mbushur plotë e përplotë me njerëz të gjitha moshave. Kryetari i komunës, një demokrat i thekur, më priti jashtëzakonisht ngrohtë. Mbeta pak i habitur por më erdhi mirë.
Pas fjalës së një veterani nga Shkodra, vura re se shumë demokratë të pranishëm nuk e pritën mirë. Pata frikë se mos prishej atmosfera e festës dhe menjëherë pas tij kapa mikrofonin. Qysh në fillim kërova me emër drejtorin e arsimit të Malësisë së Madhe të ndjerin Pjetër Smaka. Të gjithë u habitën.
Mbaj shënim Pjetër! – i thashë. Unë kam nënshkruar një urdhër administrativ për mbylljen e shkollave që kanë pak nxënës. Mësova se nxënësit e Reçit shkojnë me mikrobuz deri në Koplik për të bërë shkollën. Ky fshat që ka një histori kaq të lavdishme, nuk do ta zbatojë këtë urdhër. Të rikthehen të gjithë mësuesit dhe shkolla do të vazhdojë po këtu. Duartrokitjet qenë të pafundme. Me tej vazhdova përshëndetjen time.
Unë nuk e dija, po diku aty afër kishim bërë një shkollë të re. Në fund të aktivitetit i ftova të gjithë të pranishimit të shkonim të përuronim shkollën. Ishte me të vërtet në gjë e mrekullueshme. Unë para dhe gjithë të pranishmit, të majtë e të djathtë më ndoqën deri te shkolla. Aty mësova që tokën për ndërtimin e shkollës e kish falur fisnikërisht një nga banorët që dikur kish qenë i përndjekur. E ftova në krahun tim dhe e falënderova para të gjithëve për këtë gjest që nuk e bën kushdo.
Me përurimin e shkollës mendova se kish mbaruar gjithçka dhe tentova të ndahesha me mikpritësit. Ishte e pamundur. Më thanë se do të hanim një kafshatë bukë në shtëpinë e ish- bajraktarit të zonës. Pas pak më takuan me të. Ishte një njeri shumë i thjeshtë dhe shumë njerzor. Në shtëpinë e tij u krijua një atmosferë mjaftë e ngrohtë dhe na pritën shumë bujarisht. I zoti i shtëpisë më tha se te ai kishin bujtur vetëm demokratë, ndërsa nga sot e tutje kjo shtëpi e kish derën të hapur edhe për mua. U ndjeva mirë dhe u ndamë miqësisht.
Para se t’i jepja dorën kryetarit të komunës i thashë kam një pyetje për ty. Ju jeni demokratë por më keni pritur me kaq respekt dhe dashuri. Si është e mundur se nuk e shpjegoj dot? Është fare e thjeshtë – më tha ai. Ju nderuat emrin e Dodë Kaçaj në Bajzë dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë. Për më tepër ai është edhe kunati im, shtoi ai. Ju do të jeni përgjithmonë mik i Kaçajve dhe i joni.
U ndamë miqësisht dhe mora me vete një grusht mbresash që nuk mund t’i harroj asnjëherë. Kjo është Malësia e Madhe për mua, është para së gjithash malësia e burrave me shpirt të madh. /Nga Ethem RUKA, publikuar në Facebook/