Është fiks siç edhe e shikoni, një kalë i zi… dy kuaj të tjerë të zinj që kullosin në mermerin e thatësirës që ka zhdukur çdo bazë të ushqyerjes ku njerëzit të falen, të jetojnë, të ecin… Teksa ky turr urie ka marrë edhën e saj të pandalshme, me patkojnë që kërrcasin trotuareve të zisë për mijëra e qindra-mijëra ëndrra rinore që shkuan për shkak të asaj shprese që u vra nga kërrbulizimi i meritës dhe prevalimi i shtazërisë që kulmon majave të perandorisë së dhimbjes, pikërisht mbi ketë majë zgërdhihen të vetëkënaqurit që ose nuk kuptojnë, ose nuk ndjejnë (ose të dyja bashkë), therjen e thundrës së tyre mbi trupat dhe shpirtrat e disa njerëzve, ngujuar kullave të rrethuara me katër muret e fatit skëterrë; nënshtrim, diktaturë, sundim, pengmarrje.
Është fiks si kjo mynxyrë, ku një 7-vjeçar i sotëm, 20-vjeç pas 13 viteve do të përballet me surprizën e jetës, kur të zbresë në një stallë kuajsh dhe të shikojë se ata kulloskën bar e jo mermer. Brezat që rriten të mashtruar nga kjo tagji, e me mashtrim kanë për të qenë një ditë boomerang-u i një shoqërie të tërë që bie shpejt e vrullshëm dhe që hiç vlerë s’ka fajësimi i të shkuarës, pasi padija e ngjizur herët, do ta marrë përpara si një mallkim që të kujton klithjet Shekspiriane për të mos kuptuar nëse tragjedia vjen prej injorancës, fatit apo të të dyjave bashkë. Kjo thatësirë mendimesh ka ardhur, bashkë me këtë dramë të shterrimit të lumenjeve, kaskadave, fabrikave, rezervave… e që natyrshëm të vjen ideja se të gjitha këto resurse, janë shfrytëzuar për të ngritur lart propagandën. Sikur kanë ushqyer pikrisht rrënjët e saj.
Bëjeni lidhjen njerëz të pafat, që mendja iu thotë se s’është faj juaj, zemra ju sorollat nëpër labirinthet e njerëzores, e shpirti në mosdijen e se çfarë thotë as njëra e as tjetra, me një njerëzore që s’është askund e dukshme jashtë jush, e pafuqishme brenda jush, që pavarësisht se ekziston, pëlcet brenda qenies nga mospasja e një force për të dalë dhe udhëhequr, ashtu drejt e saktë siç Ligjet dhe Kushtetutat e vendeve të përparuara shkruajnë dhe përcaktojnë. Kali i zi i fitores së marrëdhënieve familjare e shoqërore në drejtimin e shtetit, për pushtetin e me pushtetin, na kanë shtjerë në këtë pabesi të kohëve që jetojmë, duke na ndukur në delen e zezë që “vetë zgjedh e vetë pëson”. Ata në vend të zgjidhjes nisin shfaqjen, diku me kostumin e diplomatit, diku me atë të ‘Atit’, që gjithnjë janë të dështuar por që sa më e lartë kështjella e kësaj humbjeje, aq më tejshpuese në vesh propaganda.
Popujt në këto situate ngrihen, por popujt e mëdhenj, që kanë kulturë të lartë informimi, që kanë gen të fortë patriotizmi, që kanë krenari të lartë kombëtare, që kanë shqisa të forta të kuptueshmërisë, e sidomos që kanë vetëdije e ndërgjegjësim të lartë për çfarë kërkojnë. Për sa kohë kuajt e zinj na shfaqen duke kullotur në pllaka mermeri, e delet e zeza po dalin nga terrori i një dimri të tmerrshëm, shëndet-liga e të rrjepura, që s’i futen në punë shejtanit as për mish, as për qumësht, as për lesh, nuk ka për të ndodhur e papritura që zbret nga qielli. E kështu, kuajt e zinj do kullosin mermereve, delet do rripen ende dhe ende, miqtë, kunetërit, baxhanakët e dashnoret do japin shfaqje kulturore në luftë dhe drama në paqe.
PS. KUJDES!!! Ky koment nuk ka për synim të fyejë askënd, aq më tepër një shoqëri të tërë! Kam shumë respekt për kuajt dhe delet. /Nga Fatjon GJINAJ, publikuar në Facebook/