Teksa një drejtues policie po fliste për mediat në lidhje me një krim të rëndë në qytezën e Klosit, prokurori i qëndronte në krahë. “Dukej sikur të ishte familjar i viktimave”, tha një mik sot kur po flisnim për ngjarjen. Dhe në fakt ashtu dukej prokurori, kur drejtori filloi duke thënë se bëhet fjalë për tre viktima, autori mes tyre vrarë veten. Dy kishin mbetur të plagosur e dy të tjerë ishin arrestuar. Teksa i rikthehesha kësaj deklarate për ta dëgjuar, përpiqesha të gjeje disa ‘pista’ në portretin e prokurorit. Por vetëm sot e vetëm tani, kam kuptuar pozitën e tij të vërtetë.
]Një ditë pas krimit, dy vëllezërit e autorit, u lanë të lirë. “Ata jo vetëm që nuk ishin bashkëpunëtor në krim, por as nuk e dinin që vëllai i tyre ishte i armatosur, u përpoqën ta ndalojnë, më pas të negociojnë që të vetëdorëzohet, por ai s’i dëgjoi. U kërkoi ti premtonin që do kujdesej për familjen dhe u dëgjua krisma e fundit”, e asaj dite të zezë, që ngriu ato pak zemra njerëzish që kanë mbetur në Klosin hallemadh.
Po tani??? – sikur shkruhej në fytyrën e prokurorit, kur dëgjonte drejtorin – kë duhet të akuzoj? Kë dreqin të çoj në Gjykatë? Kush duhet të vuajë për pasojën e kësaj masakre?
Unë të isha prokuror, sikur vendimi i fundit profesional që do të merrja në jetë, do të ishte kërkesa për arrestimin e shtetit. Kanë ikur 3 jetë njerëzish dhe çuditërisht si për raste të tilla të ngjashme, krijohet përceptimi dhe aty merr fund debati, se “mjerani që shkrepi armën, e mori fajin në varr, aty do ta vuajë dënimin, po mjer të gjallët”. Vërtetë mjer të gjallët, por jo ato të gjallë që mjer po e po, po mjer ato të gjallë që i bien gjithnjë gjatë se nuk kanë kohë për më shkurt, pasi një tjetër krismë do ta marrë vëmendjen e tyre, pastaj një skandal, më pas një deklatë e “Kosova komb apo shtet”, një kokafshehti në Berlin e me radhë.
A pyeti njeri se ku ndodhet ky Klosi? Pse po rend një pjesë e mirë ta konceptojë ngjarjen, si diçka që ka lidhje me mentalitetin, zakonet?
Po mirë, mentaliteti i cilës kohë?
Të gjyshërve tanë, të mijve që janë nga e njëjta anë afërsisht? Po cilët gjyshër, të cilit mentalitet, vrisnin fëmijë e më pas vrisnin veten?
Askush nuk ka vrarë nga mentaliteti, kurrë, as për shkak të Kanunit, kurrë. As për shkak të tradhëtive e veseve të turpit, kurrë asnjëherë. Kanë vrarë e vazhdon të vrasë shteti, ai që është, ai që ishte, ai që ka qenë, madje edhe ai që nuk ka qenë, por që autoriteti i ngjashëm me të, sillej rreth pashallarëve, bajrkatarëve, kapedanëve, dreq e shejtanëve.
Kush po i rrit këta vrasës e të vrarë? Kush po i frymëzon? Pyeteni veten për një çast, a do të vrisnit ndonjëherë ndonjë dhe për cilën arsye do ta bënit nëse është ndonjë që ia pjell mendja se ‘edhe mundet’!?
– Mos bëj me gisht nga xhami, se del ndonjë që e merr për ters pavarësisht se nuk ke gjë me të – më tha një bashkëudhëtarë me të cilin po flisnim për një objekt ku disa kohë më parë ishte tronditur nga tritoli dhe i kaluam ngjitur.
– Pse? – i them, – ç’bëra dhe nga ajo që bëra, ç’duhet ta bëjë dikë të më kërkojë llogari?
– Po ja, do të përvishet në xhamin e makinës dhe do të thotë pse bën me gisht?!
– Dakord atëherë, unë do ti përgjigjem. Do ti them se jam me penallti, më vijnë pesë minutëshat tetë herë në ditë, sapo më erdhi njëri. S’kisha gjë me ty vlla. Ai do të mendoj se mirë që ia bëra me gisht, por edhe po tallem me të. Nëse i ka dy pare mend, ai duhet të ma kthejë në të njëjtën mënyrë, të tallët vendqe me mua. Nëse jo…. Shttt, mos fol se mbarova…. Nëse jo, do agresohet më tepër. Ndoshta do tentojë edhe të më qëllojë, por jo pa i thënë unë më parë, më fal, sinqerisht më fal shumë.
– Kjo është shenjë frike, ndoshta nuk është por ashtu ngjan, – reagoi bashkëfolësi.
– Jo i dashur, kjo nuk është shenjë frike por trimërie. Sepse nëse ke qenë i vëmendshëm, unë i konfirmova të supozuarit që jam person me të meta mendore dhe të tregonte kujdes. Por ç’bëri ai? Jo vetëm nuk u largua, por deshi dhe të më rrihte. Tek kërkesa për falje qëndron trimëria. Nuk ka trimëri më të madhe se sa ti kërkosh ndjesë një budallai të rrevoltuar. Ai nuk më kërkoi mua, po i kërkoj unë atij.
E kuptoj, shembulli që solla, që për më tepër ishte imagjinar në pjesën dërrmuese, nuk ka lidhje me ngjarjen e Klosit, por janë të ngjashme në një pikë.
Nëse ajo që supozova do të ndoshte, e madje ai budallai do të qëllonte për vdekje, ditën që do të dilte para Gjykatës, një Gjykatë e tillë duhet djegur nëse do ta dënonte të gjorin.
Budallenjtë nuk dënohen, mjekohen.
Për këtë duhen dënuar gjykatat, duhet dënuar shërbimi social, duhen dënuar shkollat, shoqëritë civile, organizatat e të drejtave të njeriut, familja që rrit monstra të tilla, kryeplaku i fshatit, inspektori i zonës, prefekti i qarkut, deputeti dhe madje gjithë Kuvendi edhe me kryesekretarin bashkë, që harton e miraton ligje që nuk zbatohen, ministri që kujdeset për zbatimin e llogaridhënien, Qeveria, Presidenti, Gjykata Kushtetuese dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Por duhet të ketë një prokuror për ta bërë këtë kërkesë, duhet të ketë një gjyqtar që e miraton, duhet të ketë një polic që e ekzekuton urdhërin.
Në vend që të më dhimbsen vetëm të vdekurit, më tepër më dhimbsen të gjallët, më dhimbset po, edhe ai prokurori i Dibrës, që do ta mbylli dosjen e një prej ngjarjeve më tronditëse të vitit, pas askënd në bankën e të akuzuarit. /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar, publikuar në Facebook/