Nëse një i varfër denoncon një kryebashkiak, e ardhmja e tij do të jetë ende më e mjerë. Historia e H. Daja nga Rrogozhina nis me një video-regjistrim të bisedës që ka bërë me kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla (sot i pandehur dhe në gjykim për krime zgjedhore). Zyrtari që ishte në prag të votimeve në të cilat kandidonte telefonohet nga zonja atë kohë nënë e 4 fëmijëve të gjithë në moshë minore.
“Alo kryetar, kanë ardhur këta të OSHEE, po më presin dritat se jam debitor”
Kryetari i kërkon ti kalojë punonjësin e OSHEE në telefon, teksa i thotë këtij të fundit “lëreni deri sa të kalojnë zgjedhjet. Flas unë me drejtorin, e paguaj unë faturën”.
Kjo bisedë kompromentuese që ra në duart e SYRI TV, u publikua, dhe pas saj SPAK nisi hetimet. Disa muaj më pas i komunikohet akuza kryebashkiakut e më tej shkon në gjykim.
Këtu është pika kulmore e kësaj historie. Gjatë procesit gjykues mes të tjerave kërkohet edhe dëshmia e H. Daja, sot nënë e 5 fëmijëve. Më i vogli 6 muajsh dhe më i madhi 13 vjeç. Zonja shfaqet në gjykatë me bashkëjetuesin dhe dy prej fëmijëve (edhe për historinë e trishtë familjare do flasim). Të miturit nuk mund të lejoheshin në ambientet e gjykatës.
Asaj gjykate dhe drejtësie që për të qenë totalisht e drejtë duhet të jetë edhe humane, sidomos humane.
Drejtësia duhet ta dijë kur thërret një dëshmitar apo dy, edhe përbërjen e tyre familjare. Por jo, në të njëjtën ditë thërret edhe H. Daja edhe bashkëjetuesin e saj me të cilin ka një fëmijë, më të voglin, Briamin 6 muajsh!
Malvin, djali i zonjës 10 vjeç la shkollën këtë të mërkurë, sepse duhej të qëndronte me të vëllain sa kohë prindërit do të ishin në gjykatë për të dëshmuar. Na tërhoqi vëmendjen në derën e drejtësisë që ushqente përmes një biberoni vëllain e vockël me qumësht. Kur qante e merrte në krahë, lëvizte karrocën e mjerë, e mbulonte me batanije, pastaj ia largonte, i fliste me përkëdheli, lozte me të…
Më shumë se dy orë zgjati makthi i këtij minoreni të rreshkur që i lexohej në sy mjerimi e njëherësh krenaria për të mos u dukur i tillë. Nuk kam parë shpesh të një moshe të tillë me pjekurinë e tij në mendim e artikulim. Malvin nesër do iu thotë shokëve se nuk mori dot pjesë në mësim pasi ishte në gjykatë me të ëmën, për të dëshmuar krimin që e la këtë shoqëri në këtë farë feje e që s’u ndëshkua kurrë. Mbase nesër do flasë edhe për kamerat e rreshtuara para godinës së Strukturës së Posaçme, por blicet nuk e kapnin dot atë, pasi i kanë sytë nga propaganda shumë herë, tek çështjet e mëdha, tek ato që redaksitë e informacionit (të imponuara dhe të orientuara oh bre sa e sa herë politikisht dhe ekonomikisht), i kanë në plan të parë.
H. Daja arrita ti marr një intervistë. “Po më zihet fryma në Rrogozhinë. Nuk i dal dot përpara opinionit se më gjykojnë për atë që ndodhi me kryetarin”.
Natyrisht, në një qytet të vogël, fajtor është viktima. “Po si guxon kjo mjerane të presë në besë djalin tonë, të parin e qytetit”, do të ishin mbase disa perceptime të opinionit vendas.
“Të kisha marrë para, do kisha bërë hajër. Më mirë them të kisha vrarë se sa të kisha regjistruar atë bisedë. Se po më kryqëzojnë e tollovisin nëpër gjykata për diçka që e bëra për tu siguruar që do kisha rrymë elektrike. Pagova dhe faturën e debinë. 500 mijë lekë i mora borxh se ma ndërprenë kur doli video”, thotë H. Daja.
Ajo rrëfen më tej se jeton në një shtëpi me qera që ç’bie jashtë futet brënda. “Shpesh” – shton zonja, – “fëmijët e mi shkojnë pa bukë në shkollë, me atë që kanë ngrënë mbrëmjen e kaluar kthehen në drekë, se ku ta marr atë 50-të lekshin që më kërkojnë(?)”
Merr 10 mijë lekë të reja ndihmë ekonomike. Bashkëjetuesi herë punon e herë jo. “Prej një viti marr edhe ato paratë e urdhrit të mbrojtjes nga ish-bashkëshorti. Por 1-vjeçar është, tani më ndërpriten”.
Zonja është divorcuar me ish-bashkëshortin me të cilin ka 4 fëmijë. “Më dhunonte, pinte alkool. Rrihte fëmijët, erdhi një moment që thashë “mjaft më”, dhe vendosa të ndahem. Kërkova mbrojtje sepse ai s’na linte të qetë mua dhe fëmijët. U njoha me bashkëjetuesin që jam, ai ka 3 vajza nga martesa e mëparshme. Ishte në kërkim të një djali dhe ja ku është, Zoti ia solli”, thotë H.Daja teksa bën shenjë nga bebi që fle në karrocë.
Zonja kërkon vetëm dy gjëra: të mos e bezdisin më me punë drejtësie dhe ta ndihmojë dikush të ndërtojë jetën jashtë Rrogozhinës. Ajo erdhi bashkë me dy fëmijët e bashkëjetuesin në autobus, e ashtu tha se do kthehet.
Pasi vendosi të rrëfehet, i sugjerova ta priste bashkëshortin tek kafeneja përballë.
“Jam me fëmijë, bezdis njerëzit”
Insistova se kjo s’kishte aspak rëndësi…
“Epo diçka duhet të porosis, e me se…?”
Ajo u largua nga aty ku po qëndronte por as në kafene nuk u fut. Edhe pse lekët tanimë sa për kafe i kishte, e pashë pas disa minutash që sillej lart e poshtë me fëmijët në rrugën përballë, duke u justifikuar me pyetjen për emrat e fëmijëve, e pyes edhe pse nuk ulet në lokal.
“Zoti ta bëftë mbarë more djalë, por nuk janë pak lekët e rrugës që do harxhoja aty. Ja se shpejt do dalë se s’ka ça thotë më”.
Me të vërtetë s’ka çfarë thotë më zotëria që ajo priste, as ajo vetë dhe as unë. S’kemi çfarë themi më!!! /Nga Fatjon GJINAJ, publikuar në Facebook/