“Dëgjo mor djalë, u kriminalizuat edhe vetë, kriminalizuat shoqërinë, tmerruat të pakriminalizuarit”, do të më thoshte një mjek gjatë një bisede private për një çështje familjare.
“Është e dëmshme djalosh, më mirë thoni e tregoni rrena të bukura e të padëmshme”, vazhdoi ai.
“Të drejtë ke”- i them – mund të flasim për pemët, njëmilion pemë…”
“Po – thotë ai – bukur, mund të mos jenë njëmilion, numëroi, do të të dalin pesëdhjetëmijë, të garantoj se për herë të dytë, po ti rinumërosh, do të dalin pesëdhjetëmijëeca ose pesëdhjetëmijëpaca, ora jo fiks pesëdhjetëmijë. Kjo do të shtyjë ta bësh sërish e sërish. Ka pemë që numërohen edhe dy-tre-katër…-nëntëmbëdhjetë herë. Është lloj i pemës së atillë. Do zbavitesh, do kalosh kohë në natyrë, do shkathtësohesh matematikisht. Është terapi truri po të them! As s’merr në qafë njeri, as nuk të merr në qafë njeri. Kohën tënde do çosh dëm, punë e madhe, pse s’po e çon duke numëruar plumba, viktima, armë e dinamit? Kush po të dëgjon? Keni luajtur mendsh pasha Zotin, numëroni mor pemë…”.
Dhe ta mendosh, atentatin e fundit në Lushnje ta komentosh sipas rekomandimit të mjekut:
“Një pemë u vendos në shënjestër të kryepemës së fshatit, duke marrë goditje të rënda në trungun e saj. Dy pemët në Lushnje kishin patur mosmarrëveshje të herë pas hershme për çështje degësh që shtriheshin në territorin e njëra-tjetrës. Më herët, kryepema që i drejtoj sopatën tjetrës, i kishte prerë një filiz fare të ri pemës së goditur sot, i cili shkoi tek pemët e shumta. Pemët ishin edhe në proces gjyqësor me njëra-tjetrën, madje edhe ditën e ngjarjes, pemët po ktheheshin nga gjyqi i zhvilluar tek kafshët e pyllit në Lushnje. Si duket, pemët nuk gjetën karar as në gjyq, dhe kryepema, si dorace e hershme në pyll, i pret udhën pemës së seksit femër duke e prerë në këmbë.
Edhe në shoqërinë e pemëve, ndonëse ligjet dhe zakonet e tyre e konsiderojnë të shenjtë një pemë të seksit femër, pema e seksit mashkull e pret. Grupi hetimor i pemëve blu, po punon për zbardhjen e ngjarjes, ku pasi dëgjoi bashkëshortin e pemës së sulmuar se kryepema e fshatit ishte ai që sulmoi, e identifikuan në kohë rrekord përgjegjësin dhe u vunë në ndjekje të tij. Në lidhje me ngjarjen, kryepema e të gjitha fshatrave dhe qyteteve, u prononcua duke thënë “hënkshin degët e njëri-tjetrit”.
P.S. Unë duke ndjekur këshillat e mjekut. /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar, publikuar në Facebook/