Të dielën në darkë, të këtij muaj si gjithnjë, ku njerëzit ngjajnë më tepër si sumnambul për shkak të ‘tretjes’ së konsumit kryesisht, por edhe të llogarive që kurrë nuk përputhen me dëshirat e shprehura natën e ndërrimit të viteve, pak para apo pak pas saj, u dëgjua një shkundje e fortë e Natyrës, fill pas një tjetër më e lehtë, për t’u zgjuar nga mosfjetja e mendimeve se sa e sa do të pasonin më vonë.
E kemi të freskët tërmetin e Nëntorit të 2019, kur ndjejmë ende pasojat e atij kobi të zi, mes të cilit u ndërtuan pamjet gjigande të një humanizmi kozmik, dhembshurie tronditëse të se, sa e aftë dhe e brishtë njëherësh ishte qënia njerëzore për t’u gjendur pranë e për të luftuar me Natyrën, ani pse ajo si në atë rast përmes pashpirtësisë, e njeriu ynë, pra ne, përmes dashurisë e sakrificës, fituam. Në këto raste, njeriu fiton veten e vetja fiton njëri-tjetrin.
Sa herë ndjejmë një lëkundje, edhe tërmet në mos qoftë, nuk ka se si të mos na vijë në mendje, ajo derë që nuk hapej mëngjesin e përfrikshëm në tentativë për t’ia mbathur e shpëtuar kokën, atë gërmadhë përbindëshe që rrëzohej, atë klithmë për jetë, atë frikë e pasiguri të papërballueshme e të pamenagjueshme, atë fotografi që valvitej në majë të rrënojave ku jetonin njerëz të thjesht të këtij vendi, që luftojnë ndoshta shpesh me njëri-tjetrin, por kur i ‘lufton’ Natyra, bëhen bashkë kokë më kokë, vajtojnë makthet e tmerret duke harruar mllefin e urrejtjen e përqafuar jetën.
Por ja që ndodh, kur ndjejmë tërmetet që shembin, por në shumicën e rasteve nuk na shembin, sepse ato na bashkojnë e kur na bashkojnë, dashuria, toleranca e sinsibilizimi, ngrihen mbi zgafellat e dëmeve dhe pasojave, bëhen bashkë, të fortë e të gjallë përballë Natyrës kur ajo shprehet dhe e shpreh veten në versionin më të ‘keq’.
Por çfarë na shemb NE, NJERËZVE?!
Na shemb ajo që harrojmë se jemi në betejën e përminutshme për të qenë e dukur ato që duam të jemi, ani se të gjitha herët kemi dështuar të tregojmë edhe atë që jemi edhe atë që dëshirojmë të jemi. Në përvuajtjen tonë endacake, të konsumit të bollshëm që nuk na ngop por na konsumon, që nuk na rrit, por na tkurr, që nuk na shëron por na ngjet sëmundjen e vështirëshërueshme të egos së keqe për një jetë më të mirë e cila shpesh na shpjer në jetën e mirë të të keqes pafund. Këtë lloj shembje e gjen tek komercialiteti, çmimet, promovimi e fama, kostot e pajustifikuara e justifikimet me kosto, pagimi i çmimit të famës dhe famës pa vlerë.
Tërmetet bien në forma të ndryshme, ato zakonisht kanë një të përbashkët që është shkaktimi i lëkundjeve, pavarësisht shkallës, epiqendrës, thellësisë e kohëzgjatjes, me diçka matet, maten në ndonjë rast edhe shkaqet, sidomos maten pasojat, por ato tërmete që nuk iu gjendet kurrë epiqendra, kurrë shkalla e goditjes, thellësia apo kohëzgjatja, janë tërmetet që shembin qënien njerëzore, ato tërmete që shkaktojmë e përballojmë çdo ditë, të shkallës nga më e thjeshta, e një drejtori rural, në atë qëndror e qeveritar, me vjedhje e grabitje, me faje e përgjegjësi, me tolerancën e masës dhe pangopshmërinë e majës.
Ato tërmete që deformojnë të ardhmen e brezave me një firmë, me një shfaqje skandaloze televizive që ngërthen audiencën, me një tender, me një fat të vendit që nënshkruhet në një tryezë kazinoje. Këto soj tërmetesh kanë çuar shoqëritë drejt falimentit, drejt rënie e asgjësimit, drejt kaosit e dhunës, drejt paligjshmërisë e anarshisë. Nuk ndalen më as me votë, nuk ndalen as me censurë, nuk ndalen as me konferenca shkencore, nuk ndalen më as me protektorat, as me ndërhyrjë ndërkombëtare.
Ishte rasti të ndaleshin, të ndaleshin atëherë kur një tërmet i vërtetë na ktheu në vetvete. Por atëherë nuk e bëmë, s’do ta bëjmë më dhe po, kështu shemb një tërmet, duke gërryer poshtë shembjes. Gropa e kësaj gërryerje do të na thith të gjithëve poshtë, si një tufë budallenjsh. /Nga Fatjon GJINAJ/